Ndërlidhjet

EKONOMIA S’MUND TA PËRBALLOJË GJATË STATUS QUO-NË POLITIKE


Nadie Ahmeti

Nëse status quo-ja politike vazhdon edhe për ndonjë periudhë më të gjatë, ekonomia kosovare nuk do të mund ta përballojë. Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, qytetarëve kosovarë u ka humbur durimi duke pritur zgjidhjen e statusit, si shpresë e vetme për përmirësimin e gjendjes ekonomike në përgjithësi, por edhe të mirëqenies së tyre sociale. Me çdo shtyrje të vendimit për statusin, shtyhet edhe shpresa për një përmirësim të këtillë, thotë Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë ekzekutive në Oden Ekonomike Amerikane në Prishtinë. Sipas saj, tash është momenti i fundit që të ketë ndryshime pozitive në aspektin ekonomik, sepse, në të kundërtën, Kusari-Lila thotë se trazirat sociale mund të jenë të paevitueshme. "Në aspektin ekonomik, kriza po vështirësohet çdo ditë. Nëse nuk ka një sinjal shprese, se kjo krizë ekonomike me të cilën po ballafaqohemi edhe sot, do të ndryshohet, atëherë besoj se problemet i kemi te dera. Ajo ka mundur të shtyhet deri sot; kohë për shtyrje të mëtutjeshme nuk ka. Zhvillimet ekonomike, me popullsinë e re që ka Kosova, është dashur të ndodhin. Me 70 për qind të popullsisë më të re se 30 vjeç, ke një bombë demografike", tha Kusari-Lila. Ajo është e mendimit se kjo çështje duhet të jetë një alarm për përfaqësuesit e institucioneve vendore, pasi, shton ajo, koha në të cilën gjendet Kosova dhe pritjet për formimin e qeverisë së re i kanë lënë peng të gjitha proceset tjera. Në këtë periudhë, Kusari-Lila thotë se gjendja mund të vështirësohet edhe më shumë dhe mund të jetë problem për tërë Ballkanin dhe Evropën. “Kemi një problem që është një alarm dhe që duhet të qëndrojë mbi kokat e atyre që vendosin dhe janë në proces të vendosjes për Kosovën. Ta dinë se problemi i Kosovës, në aspektin ekonomik dhe social, pa përmendur fare atë politik, mund të shpërthejë në çdo moment, për arsye se kriza që ka arritur dhe kriza që ka sjellë ngritja e çmimeve të tanishme, ka prekur më së shumti Kosovën në raport me vendet tjera, për shkak të nivelit të ulët të punësimit, zhvillimit ekonomik dhe nivelit të lartë të varfërisë", pohoi Kusari-Lila. Edhe Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se status quo-ja politike po e mban peng ekonominë kosovare. Sipas tij, edhe durimit të komunitetit të biznesit duket se po i vjen fundi. "Do ta vështirësojë jetën e qytetarëve vetë moszgjidhja e statusit të Kosovës dhe kjo do të jetë e padurueshme. Do të doja që qytetarët tanë të dalin në rrugë jo për të kërkuar status, por për të kërkuar diçka tjetër, zhvillim më të mirë ekonomik, sepse nëse dalin qytetarët e Kosovës dhe e shprehin pakënaqësinë e tyre në rrugë për zgjidhje të statusit dhe për shtyrje të statusit, atëherë mund të eskalojë ndonjë dhunë e paparashikueshme”, tha Shahini. Për këtë arsye, Kusari-Lila thotë se partia politike që ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e 17 nëntorit, duhet sa më shpejt ta formojë qeverinë e re, në mënyrë që së paku të mos ketë mungesë të institucioneve udhëheqëse. "Prapë po e them se nëse kemi një ndryshim të qeverisë, asaj i nevojitet kohë për adaptim dhe ne kemi shtresat më të ndjeshme të shoqërisë që do të vuajnë. Këto të gjitha janë një derë për problemet, ngritjet, shpërthimet sociale, të cilat më pas nuk mund të kontrollohen”, tha Kusari-Lila. Qeveria e ardhshme duhet ta kuptojë rëndësinë e zhvillimit ekonomik të Kosovës, thekson Agim Shahini, duke shtuar se duhet patjetër të formohen projekte për zbutjen e papunësisë dhe në këtë mënyrë të zvogëlohet edhe shkalla e pakënaqësisë tek qytetarët. "Shpresojmë se kjo qeveri do ta dëgjojë zërin e ekspertit, biznesit dhe qytetarit, për të bërë programe që do të shënonin rritje ekonomike, por rritje reale ekonomike", theksoi Shahini. Ndryshe, edhe sipas raporteve të disa organizatave ndërkombëtare, thuhet se një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve të Kosovës është ajo që ka të bëjë me përmirësimin e standardit jetësor. Në shumë raste, ekspertë të çështjeve të sigurisë kanë thënë se është pikërisht kjo çështje, një nga ato që paraqet rrezik potencial për stabilitetin në vend.
XS
SM
MD
LG