Ndërlidhjet

THAÇI NIS BISEDIMET PËR KOALICION NGA LDK-JA DERI TE PARTIA ORA


Zijadin Gashi

Partia Demokratike e Kosovës paralajmëron se nga dita e nesërme do t’i fillojë negociatat me të gjitha partitë tjera relevante politike, në përpjekje të arritjes së marrëveshjes për koalicionin qeverisës. Zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se mandatari i kësaj partie për qeverinë e ardhshme, Hashim Thaçi, pas arritjes së marrëveshjes me komunitetet jo serbe, nesër do të bisedojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të parë se ku janë pozicionet e dy partive, për sa i përket marrëveshjes së mundshme për qeverinë e ardhshme. “Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, tashmë ka filluar negociatat dhe arritjen e marrëveshjeve me subjektet e ndryshme politike. Tashmë kemi arritur koalicionin me partitë minoritare jo serbe, ndërkohë, nga nesër, do të fillojnë negociatat me partitë politike shqiptare, duke filluar nga LDK-ja e deri te partia Ora”, tha Çitaku. Ajo thotë se në këtë moment nuk mund të dihet nëse negociatat e Hashim Thaçit me partitë tjera do të rezultojnë me marrëveshje për një qeveri të koalicionit të gjerë apo jo. Por, me rëndësi, sipas Çitakut, është që të krijohet një qeveri funksionale. “Para së gjithash, PDK-ja është e interesuar që të ketë një qeveri dhe një qeverisje stabile, të ketë institucione që do të reflektojnë punë konkrete dhe angazhime që do të ndikonin në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve të Kosovës në njërën anë dhe, në anën tjetër, institucione të qëndrueshme, të cilat do të ishin garantë për procesin e rëndësishëm politik, nëpër të cilin po kalon Kosova”, vlerëson Çitaku. Në anën tjetër, zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vehbi Miftari, thotë se LDK-ja nuk ka marrë ndonjë kërkesë nga PDK-ja për këtë takim. Por, sidoqoftë, ai thotë se LDK-ja do të bisedojë me partinë fituese të zgjedhjeve, por vendimi i kësaj partie për koalicionin, sipas Miftarit, mund të merret pas balotazhit për kryetarët e komunave. “Për LDK-në, procesi zgjedhor nuk ka përfunduar, për shkak se për dy ditë do të kemi edhe raundin e dytë për zgjedhjen e kryetarëve të komunave. Ne dëshirojmë ta presim përfundimin e gjithë procesit zgjedhor dhe pastaj do ta shqyrtojmë pozicionin tonë, pas këtyre zgjedhjeve, dhe do ta shqyrtojmë po ashtu edhe strategjinë e veprimit të LDK-së”, tha Miftari. LDK-ja, e cila që nga zgjedhjet e para të vitit 2000 e këndej, vazhdimisht ka qenë pjesë e qeverisë, por asnjëherë nuk e ka drejtuar ekzekutivin kosovar, sipas zëdhënësit Miftari, nuk e përjashton mundësinë e kalimit në opozitë dhe as mbetjes në pushtet. Gjithçka varet nga oferta e partisë fituese të zgjedhjeve dhe nga analiza që do t’i bëjë asaj oferte LDK-ja, theksoi Miftari. “Nëse vendimi i strukturave partiake do të ishte që megjithatë mund të hyhet në koalicion në vend se të qëndrohej në opozitë në mandatin e ardhshëm, atëherë ne do ta shqyrtonim me kujdes edhe kualitetin e ofertës për koalicionin eventual të mundshëm. Strukturat e LDK-së nuk do të vendosin asgjë me automatizëm për ta refuzuar apo për ta pranuar këtë ofertë politike, por do të shqyrtohet me kujdes”, tha Miftari. Dje, shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve, duke sugjeruar që të formohet një koalicion i gjerë qeveritar. Kosova tashmë ka kaluar nëpër një fazë të koalicionit të gjerë në qeverinë që po ashtu ishte drejtuar nga PDK-ja dhe ish-kryeministri Bajram Rexhepi. Ndërkaq, tani, një koalicion i tillë më tepër ndërlidhet me ruajtjen e unitetit politik dhe stabilitetit në aspektin e sigurisë, në prag të vendimit për statusin e Kosovës. Deri më tani, partnerët e koalicionit LDK-AAK mbajnë rezerva lidhur me përfshirjen e mundshme në qeverinë e re, ndërkaq AKR-ja dhe LDD-ja janë shprehur të gatshme ta shqyrtojnë ofertën e mandatarit të PDK-së për qeverinë e re.

XS
SM
MD
LG