Ndërlidhjet

EKSPERTËT: KOSOVA PËRFITON NGA SANKSIONET EKONOMIKE TË SERBISË


Nadie Ahmeti

Kërcënimet e zyrtarëve serbë se do të vendosin sanksione ekonomike, të transportit dhe do ta vështirësojnë lëvizjen e lirë për qytetarët kosovarë, nëse Kosova shpall pavarësinë e njëanshme, nuk do të paraqesin ndonjë problem për Kosovën, përderisa disa prej këtyre kërcënimeve, Serbia i zbaton që nga viti 1999, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe ekspertë për çështje ekonomike. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, thotë se përfitimet ekonomike për Kosovën do të jenë të mëdha, nëse vërtet Serbia vendos sanksione ekonomike ndaj Kosovës, ashtu siç është kërcënuar, ditë më parë, në raport me zhvillimet politike rreth statusit përfundimtar. Ai thotë se ky sanksionim do të ishte një hap i mirë për Kosovën, pasi Serbia, njëherë e përgjithmonë, do ta humbë tregun kosovar. Beqaj konsideron se këto kërcënime mbesin vetëm fjalë, meqë, sipas tij, është interes më i madh i Serbisë që të shesë produkte në Kosovë, sesa që është interes i Kosovës të blejë produkte në Serbi. Megjithatë, ai thotë se nëse një gjë e tillë ndodh në të vërtetë, nuk është aspak shqetësuese, sepse lufta kundër kontrabandës do të jetë më e efektshme, ndërkaq ekzistojnë alternativa të shumta për import të produkteve ushqimore nga vende tjera të rajonit. “Nga aspekti i mallrave dhe shërbimeve që ne i kemi marrë nga Serbia, nuk paraqet asnjë problem për Kosovën. Ajo mund të shkaktojë një destabilizim momental, është çështje ditësh, mirëpo shumë shpejt tregu i Kosovës do të orientohet. Dhe, tek e fundit, është mirë të ndodhë një proces i tillë, sepse do të kemi shkëputje nga një treg, i cili asnjëherë nuk ka qenë miqësisht i orientuar ndaj nesh”, thotë Beqaj. Humbësi më i madh ndaj këtij procesi do të jetë vetë Serbia, thotë edhe Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit. Ai thotë se pavarësisht zhvillimeve politike, Serbia nuk ka llogari që të vendosë kufizime në Kosovë për prodhimet e veta, sepse atëherë do të humbë mbi 300 milionë euro në vit, sa ka fituar nga eksporti i mallrave në Kosovë. Shahini thotë se konsumatorët nuk duhet aspak të shqetësohen për këtë çështje, sepse ato produkte do të zëvendësohen me produkte të rajoneve të tjera, që do të jenë edhe më kualitative dhe me një çmim shumë më të lirë. “Sipas informacioneve, mbi 80 maune janë të bllokuara në kufirin në pjesën veriore të Kosovës, që duhet të hyjnë në Kosovë dhe Serbia e ka aprovuar këtë. Kështu që nuk duhet të shqetësohemi, sepse Kosova është e lirë dhe ne do të orientohemi atje ku do të gjejmë produkte më të lira dhe më të mira”, pohon Shahini. Por, Oda Ekonomike e Kosovës tashmë ka filluar përgatitjet nëse një gjë e tillë ndodh në të vërtetë, thotë Besim Beqaj. Ai pohon se janë duke kontaktuar me vende tjera të rajonit, për t’i zëvendësuar të gjitha ato produkte që importohen nga Serbia. “Kemi kontaktuar partnerët tanë në rajon, duke filluar nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe më gjerë, që të përgatitemi nëse kjo ndodh, për t’i zëvendësuar të gjitha ato produkte që importohen nga Serbia. Ne, gjithashtu, kemi bërë një analizë të produkteve që deri më tani janë importuar dhe këtë analizë ia kemi dërguar partnerëve tanë, në mënyrë që ata gradualisht të përgatiten për zëvendësim”, tha Beqaj. Kërcënim tjetër që ka bërë Serbia është edhe vështirësimi i transportit të mallrave, që kanë shfrytëzuar hapësirën e Serbisë. Besim Beqaj thotë se edhe për këtë çështje ekzistojnë alternativa, duke shfrytëzuar si pikë kyçe Shqipërinë, por, sipas tij, kjo do të kushtojë pak më shumë.
“Kjo nënkupton se edhe transporti do të riorientohet; natyrisht se do të jetë në funksion Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria. Shqipëria do të jetë një ndër pikat kyçe. Prandaj, unë nuk shoh ndonjë problem në këtë drejtim”, shprehet Beqaj. Ndërkaq, sa i përket ndalimit të lëvizjes së lirë për qytetarët kosovarë nëpër Serbi, kjo çështje është zbatuar që nga viti 1999, thotë Avni Arifi, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës. Ai thotë se Serbia, që nga përfundimi i luftës, nuk i ka njohur dokumentet e lëshuara nga administrata ndërkombëtare në Kosovë. “Për njerëz që nuk e dinë, vërtet tingëllon shumë, por, në fakt, qytetarët e Kosovës që kanë dokumente të institucioneve të Kosovës, UNMIKU-ut, nuk kanë pasur kurrë të drejtë të hyjnë në Serbi. Me dokumente të UNMIK-ut nuk mund të hyhet në Serbi, me vetura që kanë tabela të regjistrimit KS, nuk mund të hyhet në Serbi. Të gjithë aeroplanët që fluturojnë për në Kosovë dhe nga Kosova, kurrë nuk e kanë pasur të lejuar hapësirën në Serbi. Prandaj, ata po kërcënohen se do të zbatojnë diçka, që qysh nga viti 1999 veç është e vendosur”, tha Arifi. Zyrtarët serbë kanë kërcënuar se Serbia do t’i shkëpusë të gjitha linjat transmetuese që bartin energjinë. Por, edhe për këtë çështje, udhëheqës të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave tashmë kanë deklaruar se ‘Kosovën askush nuk mund ta lë në terr’ dhe këto kërcënime i kanë quajtur vetëm lojë politike.

XS
SM
MD
LG