Ndërlidhjet

SERBËT: REZOLUTA 1244 NUK LEJON PAVARËSINË; SCHOOK: REZOLUTA 1244 – FLEKSIBILE


Albana Isufi

Përfaqësues serbë të Kosovës vazhdojnë ta kundërshtojnë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, përderisa vetë kanë qëndrime të ndryshme se si në të vërtetë duhet zgjidhur çështja e statusit. Momçillo Trajkoviq, nga Lëvizja e Rezistencës Serbe, thotë se për Kosovën nuk ka zgjidhje, por ka vetëm proces. Ai mendon se shpallja e njëanshme e pavarësisë do ta bënte Kosovën një faktor desintegrues, kështu që propozon të ketë një fazë kalimtare pa status të zgjidhur, pas së cilës edhe Kosova, edhe Serbia do të integroheshin në Bashkimin Evropian. “Ne jemi për një Kosovë të mëvetësishme, e cila kur të hyjë së bashku me Serbinë në BE, do ta përforcojë pozicionin e saj. Kjo është ajo që ne po angazhohemi që nga viti 2003 – për Kosovën si një vend të lirë, por jo për shtet të pavarur të Kosovës dhe kjo Kosovën e bën faktor integrues. Kjo është diçka që Kosovën për një fije peri e mban të lidhur me Serbinë, por njëkohësisht nënkupton proces demokratik, proces integrues dhe pjesëmarrje të serbëve në krijimin e institucioneve demokratike të Kosovës. Unë kështu e shoh zgjidhjen për Kosovën. Çdo veprim i njëanshëm, apo fitore e njërit popull mbi tjetrin, do ta paraqiste Kosovën si faktor konflikti”, tha Trajkoviq. Në anën tjetër, Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb, ka përsëritur se shpallja e njëanshme e pavarësisë do ta detyrojë Serbinë që t’i kthejë institucionet politike e ushtarake në Kosovë. “Me shpalljen e pavarësisë, Rezoluta 1244 do të bie, ndërkaq kjo i hap rrugë shtetit serb dhe obligon presidentin Tadiq si komandantin më të lartë të forcave të armatosura, Koshtunicën si kryeministër dhe të gjithë krerët shtetërorë, që ta kthejnë policinë, ushtrinë dhe të gjitha institucionet që u tërhoqën pas fuqizimit të Rezolutës 1244”, tha Joviq, i cili shpreson se do të jetë pikërisht kjo rezolutë, që nuk do ta lë palën shqiptare ta shpallë pavarësinë, pasi një vendim të tillë ka të drejtë ta hedhë poshtë kryeadministratori i Kosovës. Por, zëvendësshefi i UNMIK-ut, Steven Schook, Rezolutën 1244 e sheh si një dokument fleksibil dhe jo të ngurtë, duke lënë të kuptohet se shefi i UNMIK-ut nuk do ta anulojë domosdoshmërish pavarësinë e Kosovës, nëse ajo shpallet njëanshëm. “Ne jemi në konsultime me Nju Jorkun për shumë çështje, përfshirë edhe shpalljen e njëanshme të pavarësisë; ende po punojmë me Nju Jorkun. Ndërsa, sa i përket 1244-shit, ajo është shumë fleksibile. Ajo kërkon gjykimin e PSSP-së, që të marrë vendime dhe ta implementojë atë, pra është një dokument fleksibil, që ka korniza të qarta”, tha Schook, në debatin ‘E ardhmja e Kosovës në rast se Kuvendi e shpall pavarësinë njëanshëm’, të organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë. Ndryshe nga herët e kaluara kur Këshilli Nacional Serb ka kërcënuar se në rast të shpalljes së njëanshme do të shkëputet, përfaqësues të këtij këshilli mendojnë se me një akt të tillë do ta dëmtonin komunitetin serb, që jeton ne Kosovën qendrore. “Ndarja e veriut të Kosovës do të thoshte që serbët matanë Ibrit t’i lënë në duar të fatit. Ne nuk do të shkëputemi, por do ta respektojmë edhe më tej 1244-shin, do të vazhdojmë kontaktet me KFOR-in dhe UNMIK-un dhe nuk do të tërheqim asnjë pjesëtarë serbë nga SHPK-ja”, tha Nebojsha Joviq. Por, ruajtjen e tërësisë territoriale të Kosovës, në rast të shpalljes së njëanshme të pavarësisë, e ka garantuar edhe Steven Schook. “UNMIK-u dhe KFOR-i i marrin me shumë seriozitet përgjegjësitë nën Rezolutën 1244 dhe ruajtja e kufijve siç janë tani, është komponent kryesor i Rezolutës 1244”, theksoi Schook. Debati për shpalljen e njëanshme të pavarësisë është intensifikuar tani, kur pritet që Treshja ta dorëzojë raportin mbi negociatat 120 ditëshe para Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon. Liderët kosovarë kanë thënë se nëse sërish nuk do të ketë zgjidhje përmes Këshillit të Sigurimit, do ta shpallin pavarësinë njëanshëm, përderisa shumica e vendeve të Bashkimit Evropian dhe SHBA-të kanë sinjalizuar se do ta njohin këtë pavarësi.
XS
SM
MD
LG