Ndërlidhjet

PREMTIMET PËR NJË PRISHTINË MË NDRYSHE


Arton Konushevci

Prishtina do të jetë një kryeqytet ndryshe nga ky që është sot, thonë të dy kandidatët që garojnë për të parin e kryeqytetit, Isa Mustafa i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Fatmir Limaj i Partisë Demokratike të Kosovës. Ata shprehen të bindur se në raundin e dytë të zgjedhjeve, që do të mbahet këtë të shtunë, do të dalin fitimtarë. Isa Mustafa, kandidat i LDK-së, thotë se përparësia e tij është se i di të gjitha problemet me të cilat përballet qytetari Prishtinës, por, përparësi, sipas tij, është edhe programi të cilin e ofron ai. “Mendoj se përparësi është njohja e mirë e komunës në përgjithësi dhe e qytetit të Prishtinës në veçanti. Pastaj, është një program shumë konkret, të cilin e kam ofruar për zgjidhjen e problemeve aktuale të Prishtinës, si dhe sa i përket ndërtimeve infrastrukturale të rregullimit urban të qytetit, por edhe zhvillimit ekonomik, zhvillimit hapësinor, zhvillimit të arsimit, të shëndetësisë, të reformave që duhet të bëhen në shërbimin civil të komunës. Kam përcaktuar edhe mekanizmat që do t’i aplikoj, në mënyrë që programi të sendërtohet në kohë, për çka u kam premtuar qytetarëve”, tha Mustafa. Edhe Fatmir Limaj, kandidat i PDK-së, thotë se e ka mundësinë politike për të vepruar si kryetar komune dhe se programi politik i nivelit qendror dhe atij lokal mund të funksionojë më mirë, për të sjellë ndryshime më të mëdha për banorët e Prishtinës. “Në qoftë se pranojmë konstatimin e përgjithshëm që u vërtetua edhe me votë në nivel të Kosovës, se njerëzit kanë qenë të pakënaqur me këtë qeverisje, kjo është arsyeja e parë pse duhet të më votojnë mua, sepse unë jam e vetmja alternativë, ndryshe nga ajo që është qeverisur deri më tani. Ju e dini se kemi mbetur dy kandidatë, ai që përfaqëson pushtetin aktual që është në Prishtinë dhe unë që vij nga opozita me një alternativë të re. Nëse qytetarët janë të pakënaqur me këtë gjendje, duhet të ndryshohet. E dyta, e kam mundësinë politike për të qeverisur me qytetin, sepse programi qendror dhe lokal mund të koordinohet shumë mirë, sepse është një program i partisë. Dhe, mendoj se këto janë përparësitë e mija, në raport me të tjerët”, u shpreh Limaj. Isa Mustafa konsideron se me udhëheqjen e tij, Komuna e Prishtinës do të ketë një buxhet më të lartë dhe qytetarët nuk do të kenë vërejtje në shërbimet që do t’u ofrohen. “Në rend të parë, mendoj se do ta shtoj dhe do ta forcoj buxhetin e komunës, në mënyrë që të mund të përballojë më shumë investime kapitale. Do të bëj ndryshime në organizimin e brendshëm të komunës, në mënyrë që të rritet efikasiteti i shërbimeve që komuna ofron për qytetarin. Do ta bëj po ashtu edhe disperzimin e disa shërbimeve të komunës në nivele nënkomunale, në mënyrë që ato të jenë më afër qytetarëve. Dhe, përfundimisht, do të bëj përpjekje që ta rinoj këtë shërbim civil të komunës, në mënyrë që të kemi sa më shumë të rinj aty, të cilët janë në gjendje ta aplikojnë teknologjinë informatike, të jenë më efikas, të jenë më të afërt me qytetarët dhe të kemi sa më pak pakënaqësi te qytetarët për shërbimet që komuna u ofron atyre”, theksoi Mustafa. Fatmir Limaj thotë se komuna e udhëhequr nga ai, do të ketë një staf të përbërë prej të rinjve. “Ne ofrojmë diçka krejt të re nga ajo që ka qenë deri më tani. Ne nuk mbajmë mbi supet tona bagazhin e dështimeve të këtyre tetë vjetëve dhe pakënaqësive që janë krijuar te qytetarët, si rezultat i një keqqeverisjeje të deritanishme. Ne shkojmë duke ndërtuar një staf të ri profesional, në kuptimin e udhëheqjes, qeverisjes së re. Ne nuk kemi obligime nga ata që kanë krijuar interesa të ngushta për tetë vjet në Prishtinë dhe, në një mënyrë apo tjetër, çfarëdo rizgjedhje tjetër do t’i minonte të mbrohen dhe t’u shërbejnë interesave të grupeve të caktuara. Thjesht, ne po shkojmë me një alternativë të re, me një qeverisje ndryshe”, tha Limaj. Isa Mustafa mendon se ka njohuri të mjaftueshme për problemet dhe punët me të cilat do të merret dhe kjo, sipas tij, është ndër arsyet kryesore që qytetarët duhet të votojnë për të. “Jam marrë me fushën e zhvillimit ekonomik lokal, me fushën e zhvillimit të arsimit edhe të sektorëve të tjerë të urbanizmit. Kam punuar edhe më parë në këtë problem, kam njohuri edhe me mënyrën e zgjidhjes së këtyre problemeve, sepse kam punuar edhe në pikëpamje praktike, edhe në pikëpamje teorike në këto. Kam eksperiencë në shumë fusha të punëve në Prishtinë dhe Kosovë, e cila më ndihmon që ta kem përgatitjen e duhur, në mënyrë që t’i qasem menjëherë zgjidhjes së këtyre problemeve”, tha Mustafa. Zoti Limaj thotë se është personi më kompetent për ta kthyer ligjshmërinë e qytetit të Prishtinës dhe për këtë, mendon ai, duhet ta votojnë kryeqytetasit. “Unë jam i vendosur për ta kthyer ligjshmërinë në qytetin e Prishtinës. Prishtinës i kanë munguar njerëz, të cilët dinë të marrin vendime, vendime që duhet të zbatohen. Qytetit të Prishtinës i kanë munguar njerëzit, të cilët janë të devotshëm për ta zbatuar ligjin. Qytetit të Prishtinës i kanë munguar njerëzit, të cilët e kanë kredibilitetin e mjaftueshëm për të marrë vendime dhe ata vendime të mos prishen nga të tjerët. Duke u bazuar ekskluzivisht në interesin e qytetarit dhe të mbështetur mbi ligjin, do të mund t’i realizonim projektet tona. Me një fjalë, qyteti i Prishtinës ka nevojë për një qeverisje ndryshe dhe unë jam sinonim i këtij ndryshimi”, tha Limaj. Qytetarët e Prishtinës, më 8 dhjetor, do t’u drejtohen edhe një herë qendrave të votimit, për të zgjedhur kandidatin për kryetar të Komunës së Prishtinës, si dhe të 23 komunave tjera.

XS
SM
MD
LG