Ndërlidhjet

logo-print

SHTYPI NDËRKOMBËTAR PËR KOSOVËN


Në më pak se brenda një muaji, presidenca e radhës e Bashkimit
Evropian do t'i takojë Sllovenisë, pjesës së parë të ish-Jugosllavisë, e cila ka fituar pavarësinë e saj para 16 vjetësh. Kështu shkruan në numrin e sotëm e përjavshmja “Economist”, duke tërhequr vërejtjen se në Bruksel dhe qendrat tjera, ka mendime të ndryshme nëse është gjë e mirë apo e keqe fakti që Sllovenia do ta kryesojë bllokun evropian për zgjidhjen e krizës në Kosovë. Gazeta fillimisht shpjegon anën e keqe, nisur nga fakti se Sllovenia, ndoshta më shumë se vendet tjera të Bashkimit Evropian, do të dëshironte t’i shmangë zgjidhjet e dhimbshme midis Kosovës dhe Serbisë, shkruan “Economist”. Midis Sllovenisë dhe Serbisë ekziston një treg i çmueshëm biznesi, lidhshmëri në gjuhë dhe nostalgji midis dy vendeve. Disa madje mendojnë se çfarëdo shenje ngurrimi nga Sllovenia rrezikon me shtyrjen e marrjes së vendimeve të vështira. Por, anët e mira të presidencës së Sllovenisë në Bashkimin
Evropian kanë të bëjnë me njohuritë që Sllovenia mund t'ia ofrojë
këtij blloku mbi rajonin. Duke cituar një diplomat, “Economist”
shkruan se kur sllovenët dhe serbët takohen, do të jenë sllovenët ata
të cilët do ta dinë se kur fillon dërdëllitja e kotë.
E përditshmja “Independent” shkruan se një shtet i ri është duke
lindur në kufijtë e Evropës, me përgatitjet që po bëhen në zyrat e qeverisë së ardhshme të Kosovës, për deklaratën që do ta shpallë
pavarësinë e Kosovës. Kjo deklaratë ose do të çojë drejt një lufte të
re ose drejt një rruge paqësore për anëtarësim të Kosovës dhe Serbisë
në Bashkimin Evropian, shkruan gazeta. Washingtoni dhe Brukseli
pajtohen me Kosovën se negociatat tjera për statusin janë të
pakuptimta dhe përkrahin pavarësinë, e cila do të jetë nën mbikëqyrjen e misionit të Bashkimit Evropian dhe të më shumë se 16 mijë forcave paqeruajtëse të NATO-s. Tani, detyra përballë Shteteve të Bashkuara dhe Evropës do të jetë menaxhimi i deklaratës së pavarësisë me njohje ndërkombëtare dhe jo me të shtëna armësh, shkruan “Independent”.
Në këtë kuadër, e përditshmja “Financial Times” shkruan se NATO-ja ka
vendosur të sforcojë praninë e saj me 1.600 forca shtesë, për të pasur mundësi kësisoj që të përgjigjet në çdo përshkallëzim dhune. Kjo forcë rezervë përbëhet nga tre batalione, nga Gjermania, Britania dhe Italia, shkruan gazeta. Në këtë mënyrë, NATO-ja synon ta shmangë krizën që ka përjetuar në Kosovë gjatë trazirave të vitit 2004. Në këtë kuadër, “Financial Times” në fund citon komandantin e NATO-s, gjeneralin John Craddock, të ketë thënë: "Më 2004, gati e humbëm Kosovën".
XS
SM
MD
LG