Ndërlidhjet

ZVARRITJET NË PËRCAKTIMIN E STATUSIT DESTABILIZOJNË SITUATËN


Arton Konushevci

Çdo shtyrje e mëtejme e zgjidhjes së statusit të Kosovës pas datës që do ta caktojë Kuvendi i Kosovës për shpalljen e pavarësisë, do të sjellë mundësinë e destabilizimit të situatës në Kosovë, thonë politikanë dhe analistë kosovarë. Qerim Qerimi, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, thotë se zvarritja e statusit të Kosovës do të jetë e papëlqyeshme për të gjitha palët. “Vërtet ky proces është shtyrë në një kohë që ndoshta askush nuk e ka menduar. Dhe, duke e pasur parasysh këtë, duket se çdo shtyrje e mëtejme mund të sjellë rezultate të papëlqyera për të gjitha palët. Sa i përket kohës së saktë se kur do të mund të bëhet kjo, sigurisht është jo saktësisht e mundshme që të parashihet, por mendoj se do të ishte e pëlqyeshme nëse do të merreshin veprime konkrete brenda muajit janar të vitit 2008, në kuptimin e asaj që do të arrihet një pajtim në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe pjesës më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, me të cilën po nënkuptoj SHBA-të, ose aktorët kryesorë të BE-së”, u shpreh Qerimi. Ai thotë se politikanët e Kosovës tashmë kanë shprehur gatishmërinë e tyre se çfarëdo vendimi që mendohet të merret, do të bëhet në bashkëpunim me SHBA-të dhe BE-në. “Përfaqësues brenda qeverive dhe jashtë qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian, e gjithashtu edhe të SHBA-ve, janë shprehur tashmë se dështimi ose pamundësia për të arritur një marrëveshje në bisedimet e fundit, nuk lë alternativë tjetër përveç miratimit ose rikthimit tek plani i propozuar nga Martti Ahtisaari”, tha Qerimi. Kurse, Jakup Krasniqi, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se janë duke pritur përfundimin e procesit negociator të Treshes ndërmjetësuese dhe vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe të Bashkimit Evropian, lidhur me negociatat shtesë dhe, sipas tij, në fillim të vitit të ardhshëm, institucionet e Kosovës do të marrin një vendim për të ardhmen e Kosovës. “Jemi duke pritur përfundimin zyrtar të procesit 120 ditësh të Treshes së Grupit të Kontaktit. Do ta presim konsolidimin e institucioneve të Kosovës, do ta presim edhe qëndrimin e OKB-së, të Sekretarit të Përgjithshëm dhe të Bashkimit Evropian, në lidhje me procesin e zgjatur prej 120 ditësh. Dhe, sigurisht, institucionet e Kosovës, në vitin e ri, domethënë në fillim të viti 2008, do të marrin vendime konform vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, theksoi Krasniqi. Ai thotë se në muajin janar do të zhvillohet debat në Kuvendin e Kosovës dhe, sipas tij, aty do të përcaktohen hapat e mëtejmë për procesin e statusit. “Në muajin janar, në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, që e mbështet pavarësinë, thjesht bëhet agjenda e veprimeve për shpalljen e pavarësisë dhe periudha e njohjes së shtetit të pavarur dhe sovran”, tha Krasniqi. Edhe Arben Qirezi, këshilltar politik i kryeministrit aktual të Kosovës, thotë se Kuvendi i ri i Kosovës pritet të caktojë një datë të prerë me bashkësinë ndërkombëtare për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe, sipas tij, afati kohor që nga shpallja e kësaj date nuk do të mund t’i kalojë më shumë se dy muaj. ”Pritet që Kuvendi të caktojë një datë të saktë, se kur do të shpallet pavarësia e Kosovës. Kjo datë, me gjasë, do të shpallet me miqtë ndërkombëtarë, me SHBA-të dhe me Unionin Evropian; ndoshta do të jetë ndonjë interval prej rreth dy muajsh, prej momentit kur do të shpallet data deri në ditën e shpalljes”, tha Qirezi. Ai mendon se nëse Kuvendi arrin të konstituohet shpejt, në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, ky institucion do ta shpallë pavarësinë. “Prej tani, nëse Kuvendi i Kosovës konstituohet diku kah mesi i dhjetorit, atëherë besoj se diku kah muaji shkurt do të mund të parashikohet se Kuvendi i Kosovës do ta shpallë pavarësinë e vendit. Është kohë perfekte, është shumë me rëndësi që ajo të shpallet para marsit”, theksoi Qirezi. Nga ana tjetër, Rangjell Nojkiq, nga Lista Serbe për Kosovën, konsideron se për statusin e Kosovës nuk do të vendosin as Prishtina e as Beogradi, por vendimi për të do të merret nga institucionet ndërkombëtare, në rend të parë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe BE-ja. Sipas Nojkiqit, deklaratat e ndryshme për shpalljen e pavarësisë janë balona provues, për të matur reagimin e qytetarëve. “Ata që përcaktojnë afate të ndryshme se kur duhet shpallur ose jo pavarësia, janë balona provues, për të parë se si do të pranohet një gjë e tillë në popull; janë sondazhe për të përcaktuar se si do të sillen qytetarët në rastet e tilla. Për statusin e Kosovës nuk do të vendosë as Prishtina e as Beogradi, aq më pak disa organizata joqeveritare. Kur, si dhe në çfarë mënyre do të bëhet përcaktimi i statusit, varet nga bashkësia ndërkombëtare, në rend të parë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, BE-ja dhe OSBE-ja, që do të vlerësojnë se çka sjell zgjidhja eventuale, do ta ndihmonte jetën e qytetarëve apo do të shkaktonte konflikte të reja”, u shpreh Nojkiq. Ndryshe, debatet për afatet kohore për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës janë intensifikuar ditët e fundit, me afrimin e 10 dhjetorit, datë kjo e cila konsiderohet si përfundim i procesit negociator dhe fillim i një periudhe vendimmarrëse.
XS
SM
MD
LG