Ndërlidhjet

logo-print

KQZ-JA E PËRGATITUR PËR ZGJEDHJET VENDORE


Nadie Ahmeti

Komisioni Qendror Zgjedhor ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, që do të mbahen nesër në 23 komuna të Kosovës. Në këto zgjedhje do të garojnë dy kandidatët që kanë fituar më së shumti vota të vlefshme në zgjedhjet e mbajtura më 17 nëntor. Shefi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Mazllum Baraliu, tha se nesër në orën 7 të mëngjesit deri në orën 19 të mbrëmjes, do të hapen 2095 vendvotime, në të gjitha ato komuna ku do të mbahet balotazhi. “Janë bërë përpjekje të mjaftueshme, edhe pse kemi pasur jashtëzakonisht pak kohë, që të informohen edhe për raundin e dytë, por qytetarët janë informuar për këtë çështje, për votim për kryetarë të komunave edhe në zgjedhjet e 17 nëntorit. Presim dalje masive, sepse është në interesin e qytetarëve që të dalin në zgjedhje, t’i zgjedhin drejtpërdrejt kryetarët e komunave, të cilët kanë më tepër kompetenca, në krahasim me kryetarët e deritanishëm”, shprehet Baraliu. Ai tha se ky proces do të monitorohet edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendorë. Sipas Baraliut, në këtë proces, vëzhguesit janë më të përgatitur, sesa në zgjedhjet e përgjithshme, ndërkaq numri i të interesuarave është shumë më i madh. “Ata që kanë qenë të akredituar atëherë, rreth 26 mijë të tillë kanë të drejtë të marrin pjesë edhe në këtë proces, pa ndonjë procedurë të veçantë. Kemi edhe të tjerë të interesuar që nuk kanë qenë të angazhuar; deri tash 1350. Ndërkaq, sot, KQZ-ja do të akreditojë edhe një grup tjetër të interesuarish nga subjektet politike, nga organizatat e ndryshme etj”, tha Baraliu. Sikur në zgjedhjet e 17 nëntorit, edhe këto zgjedhje do t’i monitorojë koalicioni i organizatave joqeveritare ‘Demokracia në Veprim’. Por, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, ky koalicion nuk do ta bëjë numërimin e votave, por vetëm do t’i vëzhgojë zgjedhjet, për parandalimin e ndonjë parregullsie eventuale, thotë Albert Krasniqi, nga ky rrjet. “Duke u nisur prej praktikës që ka ndodhur në zgjedhjet e 17 nëntorit, u pa se ka pasur shumë parregullsi dhe parregullsitë ndikojnë në rezultate. Kështu që besojmë se është më e arsyeshme t’i lajmërojmë parregullsitë, sesa rezultatin e votave. Herën e kaluar, kanë qenë 2400 vëzhgues, ndërkaq nesër janë 2000 vëzhgues, për shkak të serbëve që nuk do të marrin pjesë në vëzhgim, për shkak se nuk do të zhvillohet balotazhi në zonat e tyre”, tha Krasniqi. Ndryshe, KQZ-ja ka marrë të gjitha masat e mundshme që të ndalohen parregullsitë eventuale, thotë Mazllum Baraliu, duke shtuar se në radhë të parë, janë marrë masa në vendvotimet ku ka pasur tentime për manipulime. “Ne kemi ndërmarrë masa që në ato vendvotime ku ka pasur tentime për manipulime dhe parregullsi, të mos jenë anëtarë të këshillave të vendvotimeve atje, por të tjerë. Pastaj, do të kemi monitorues të veçantë dhe njerëz të tjerë nga KQZ-ja, nga sekretariati, të cilët do t’i përcjellin pikërisht ato vendvotime në mënyrë të veçantë dhe të evidentojnë çdo parregullsi të mundshme dhe ta parandalojmë fillimisht“, theksoi Baraliu. Nesër, në balotazh për kryetarë të komunave, Partia Demokratike e Kosovës do të garojë në 17 komuna, në 14 Lidhja Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Dardanisë në 4 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 3 komuna dhe Partia Reformiste Ora, e cila nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor, do të garojë në një komunë.
XS
SM
MD
LG