Ndërlidhjet

SERBËT E VERIUT NUK PRESIN ZGJIDHJEN E STATUSIT TË KOSOVËS KËTË VIT


Zijadin Gashi

Përfaqësues politikë serbë nga pjesa veriore e Kosovës thonë se nuk presin që statusi i Kosovës të zgjidhet gjatë këtij viti. Andaj, sipas tyre, nuk pritet diçka e jashtëzakonshme para apo pas 10 dhjetorit, datë kjo kur Treshja ndërkombëtare edhe zyrtarisht e përmbyll mandatin e vet ndërmjetësues në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Marko Jakshiq, një përfaqësues serb nga Kosova, por që përfaqësohet në Ekipin Negociues të Beogradit, thotë se me rëndësi është që serbët e Kosovës nuk kanë nevojë të ndihen të shqetësuar në këtë fazë të zhvillimeve për statusin. “Është ende një rrugë shumë e gjatë për t’u kaluar, para se shqiptarët të mund të mendojnë për të formuar edhe një shtet të tyre në Ballkan, kështu që askush nga serbët nuk ka nevojë të brengoset për këtë”, vlerëson Jakshiq. Po ashtu, edhe bartësi i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq, beson se zhvillimet në lidhje me statusin, sado që duken në fazën finale, nuk do të prodhojnë të papritura, sidomos në planin e sigurisë. “Kam zhvilluar shumë takime me përfaqësuesit e KFOR-it, NATO-s, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Veri-atlantike, të cilët më kanë garantuar se KFOR-i, kësaj radhe, do të jetë shumë më energjik, në rast se shqiptarët tentojnë që me dhunë t’i realizojnë projektet e tyre për pavarësi”, thotë Ivanoviq. Sipas tij, për këtë vit madje as që mund të bëhet fjalë për ndonjë vendim në lidhje me statusin. Përderisa, kryetari i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, i përgënjeshtron paralajmërimet e disa përfaqësuesve tjerë serbë, se në rast se Kuvendi i Kosovës shpall pavarësinë, njësoj do të veprojë edhe veriu i Kosovës, duke deklaruar shkëputjen nga Kosova. “Pjesa veriore përbën vetëm 9 për qind të territorit të Kosovës, kurse çështja serbe është integrale kudo që ata jetojnë dhe nuk mund të ndahet”, thotë Milan Ivanoviq. Sipas tij, serbët nuk e kanë ndërmend t’i përfillin vendimet e institucioneve të Kosovës dhe serbët do të vazhdojnë të jetojnë jashtë këtyre institucioneve si në pjesën veriore, ashtu edhe në pjesët tjera të Kosovës. Po ashtu, edhe qytetarë serbë nga veriu i Kosovës nuk presin asgjë të veçantë nga 10 dhjetori. “10 dhjetori është njësoj sikurse edhe data 9 apo 11 dhjetor dhe asgjë nuk do të ndodhë atë ditë”, thotë qytetari Lidij Trifunoviq. Ai pret që shkurti apo marsi i vitit vijues mund të sjellin të reja në këtë proces. Ndërkaq, bashkëqytetarja e tij, Zhelka Tvërdishiq, thotë se ka edhe arsye që të ndihet e shqetësuar. “Si e shoh Kosovën pas 10 dhjetorit, unë këtë nuk e di. Krejt e kam të paqartë dhe krejt më duket e errët. Të jem e sinqertë, kam edhe frikë”, thotë qytetarja Tvërdishiq. Për dallim nga përfaqësuesit e tyre politikë, të cilët thonë se asgjë nuk do të ndryshojë, qytetarët e komunitetit serb megjithatë shprehin drojën e tyre, pasi që ndihen të pasigurt në lënien e tyre anash dhe në vazhdimin e jetës jashtë-institucionale edhe nëpër enklava.
XS
SM
MD
LG