Ndërlidhjet

PËRFUNDON RINDËRTIMI I 17 OBJEKTEVE KISHTARE SERBE


Albana Isufi

Nga 34 objekte ortodokse, të cilat qenë dëmtuar apo shkatërruar gjatë trazirave të marsit, 17 tashmë janë rindërtuar, 4 pritet të përfundojnë deri në fund të vitit, ndërkaq të tjerat në vitin e ardhshëm. Zyrtarë të komisionit që ka implementuar rindërtimin e objekteve religjioze, janë optimistë se edhe objektet e mbetura do të kryhen shpejt. “Aktualisht, qëllimi ynë kryesor është që ta sigurojmë qëndrueshmërinë e kishave kryesore në Prizren dhe Prishtinë dhe t’u lejohet priftërinjve që të kthehen dhe të jetojnë në kishë”, tha Emma Carmichael, nga Komisioni për rindërtim të objekteve religjioze ortodokse serbe. Që nga viti 2004, Qeveria e Kosovës ka zotuar rreth 6 milionë euro për rindërtimin e 34 objekteve të dëmtuara religjioze serbe. Për projektet e këtij viti janë shpenzuar 1.9 milion euro. Ndërkaq, për vitin 2008, Komisioni planifikon më tepër punë të specializuar në fushën e konservimit të pikturave murale dhe në ndërtimin e ikonave, për të cilën gjë Qeveria ka ndarë 1.8 milion euro. Këshilli i Evropës ka qenë një ndër donatorët tjerë kryesorë, që ka ndihmuar rindërtimin e objekteve të dëmtuara. “Dua që në emër të Këshillit të Evropës të them se ne jemi shumë të përkushtuar që ta vazhdojmë këtë proces, që përveç këtyre objekteve që janë dëmtuar në mars të vitit 2004, Këshilli i Evropës të ndihmojë edhe në fusha të tjera, pasi që trashëgimia kulturore e Kosovës është edhe trashëgimi evropiane. Gjërat mund të ndryshojnë, por trashëgimia mbetet për brezat e rinj”, tha Zurab Kachkatchishvilli, përfaqësues i Këshillit të Evropës në Kosovë. Ndryshe, zyrtarë të këtij komisioni kanë thënë se sivjet puna në rindërtim ka qenë më e lehtë, meqë Kisha Ortodokse Serbe nuk ka penguar punët, siç kishte bërë kur kishte filluar rindërtimi i objekteve. Ndryshe, me iniciativë të Ministrisë së Kulturës, Kuvendi ka miratuar një shumë prej 50 mijë eurosh, që do të shfrytëzohet për t’i shtuar masat e sigurisë në tërësitë më të cenueshme kishtare në Kosovë. Zyrtarë të Komisionit për rindërtim kanë thënë se objektet kishtare vazhdojnë të jenë objektiv i vjedhjeve dhe vandalizmit.
XS
SM
MD
LG