Ndërlidhjet

BRUKSEL


Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s u pajtuan sot që të mbajnë një forcë të fuqishme paqeruajtëse në Kosovë, që do të jetë e gatshme ti kundërpërgjigjet dhunës eventuale gjatë periudhës kur pritet përcaktimi i statusit të Kosovës, pas dështimit të negociatave ndërmjet Perishtinës e Beogradit, të udhëhequra nga Treshja ndërkombëtare. "NATO_ja do të përgjigjet me vendosmëri ndaj çfarëdo përpjekjeje për rrezikimin e sigurisë të secilit popull në Kosovë", thuhet në kumtesën nga ky takim. Sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice tha pas takimit se lidhur me Kosovën "kemi afirmuar unitetin tonë në lidhje me vazhdimësinë e Rezolutës 1244, për qëllimet tona për ta mbajtur KFOR-in në terren, pa reduktimin e nivelit të trupave, që të lejojmë komandantët tanë ushtarakë që të bëjnë planifikimet e domosdoshme për situata të paparashikueshme", tha Condoleezza Rice. Para fillimit të takimit, sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veri-atlantike, Jaap De Hoop Scheffer tha se "NATO-ja e vazhdon përkushtimin e saj se siguria dhe stabiliteti i rajonit mbetet çështje krysore dhe se do të veprojmë vendosmërisht kundër secilit që synon të përdorë dhunë". Ai mëtutje u shprehë se "pavarësisht nga përfundimi i procesit për status, Kosova do të mbetet vend ku shqiptarët dhe serbët e Kosovës dhe të tjerët do të mund të jetojnë të lirë, së bashku, në paqe, pa frikë dhe pa kërcënime". Sekretari i jashtëm brtianik, David Miliband tha para takimit se beson se "mund të arrijmë një shkallë të lartë të unitetit lidhur me çështjen e Kosovës". Ndërkaq, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, pas takimit me kolegët e vendeve anëtare të NATO-s, në Bruksel, tërhqoi vërejtjen se çfarëdo zgjidhje për statusin e Kosovës, që nuk është brenda kornizës së Kombeve të Bashkuara do ta çojë Evropën në "në një teposhëze të rrëshqitshme" kah jostabiliteti.
XS
SM
MD
LG