Ndërlidhjet

logo-print

LIDERËT VOTOJNË NË RAUNDIN E DYTË TË ZGJEDHJEVE PËR KRYETARË TË KOMUNAVE


Arton Konushevci

Dy kandidatët për kryetarë të Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Partia Demokratike e Kosovës, derisa kanë hedhur votën e tyre, kanë ftuar qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhjet e sotme. Isa Mustafa ka thënë se qytetarët e Kosovës dinë për kë të votojnë. “Unë e kam besimin e plotë te qytetarët, se kujt do t’ia japin ata votën. Unë shpresoj se qytetarët janë koshientë, se sot duhet të vendosin për vetveten. Duhet të vendosin për lagjet e veta, duhet të vendosin për qytetin në tërësi, duhet të vendosin për vendbanimet e tyre. Ata do ta zgjedhin kryetarin, i cili u ka premtuar atë që e kanë pritur dhe i cili do t’i sigurojë ata që do t’i realizojë detyrat që i ka premtuar. Unë kam besimin e plotë, prandaj kam dëshirë që qytetarët të dalin në zgjedhje, në mënyrë që fuqia e votimit të tyre të jetë sa më e fortë”, ka thënë Mustafa. Fatmir Limaj ka ftuar qytetarët që të votojnë, në mënyrë që të jenë pjesë e procesit të ndryshimeve dhe të përmirësimit të jetës së tyre. “Unë besoj se Prishtina u përgatit për ndryshime, Prishtina ka nevojë për qytet më të mirë. Qytetarët e Prishtinës kanë nevojë për një jetë më të mirë dhe këtë ua garantojnë ndryshimet, këtë ua garantojnë ata që ende nuk e kanë provuar dhe sigurisht që unë jam ai, i cili siguroj dhe garantoj, që me mua Prishtina do të jetë ndryshe dhe jo ajo që ka qenë deri më tani. Unë i ftoj qytetarët që të dalin të gjithë në votime, për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese, sepse vota e tyre më jep fuqi, që nesër t’i realizoj të gjitha premtimet, të cilat i kam dhënë për qytetin e Prishtinës. Sigurisht, gjithmonë kam besim në vete dhe në fitore”, është shprehur Limaj. Nga ana tjetër, qytetarët kosovarë, që paraditen e sotme kanë votuar për të parin e kryeqytetit, presin përmirësime të shumta për jetën e tyre. Sejdi Ahmeti është njëri nga qytetarët, i cili thotë se duhet të bëhen ndryshime. “Për ne, këto zgjedhje paraqesin ndryshime të mëdha dhe fati jonë është në duart tona. Nëse nuk bëhen ndryshime, prapë nuk do të jemi mirë. Por, pres që çdo gjë të jetë më mirë, për shembull, standardi i qytetarëve të Prishtinës, jeta, siguria e tyre, rregullimi i ambientit. Të gjitha këto i presim nëse do të bëhen ndryshime; nëse nuk bëhen, katastrofë do t’i kemi punët”, thotë Ahmeti. Edhe Granit Pireva mendon se në kryeqytet ka më së shumti nevojë për vende të lira të punës. ”Shpresojmë të kemi ndonjë ndryshim në udhëheqjen komunale. Kemi vetëm dy kandidatë, të LDK-së dhe PDK-së. Shpresojmë të kemi ndryshime brenda rrjedhave të komunës dhe normalisht të jetë më mirë për qytetarët; konkretisht, krijimi i vendeve të punës për qytetarët e Prishtinës”, shprehet Pireva. Mejreme Tahirukaj konsideron se në Prishtinë ka përparime, por ajo thotë se duhet të investohet edhe më shumë, e sidomos në infrastrukturë. “Këto zgjedhje kanë rëndësi të madhe, sepse deri më tani janë bërë disa përparime, por kanë qenë shumë të pakta. Të dy kandidatët që janë sot në lista, shpresoj se do t’u përmbahen premtimeve që kanë dhënë gjatë fushatës. Kemi shumë gjëra, të cilat janë në një shkallë, mos të them primitive”, thotë Tahirukaj. Kurse, Ibrahim Martinaj thotë se është vështirë të bëhen ndryshime për dy vjet. “Duhet të ketë rrymë, ujë. Vështirë është që kaq shpejt, për dy vjet, të bëhet diçka”, thotë ai. Zyrafete Aliu thotë se këto zgjedhje do të jenë pozitive. Sipas saj, më shumë vëmendje duhet t’i kushtohet arsimit dhe shëndetësisë. ”Populli pret ndryshime. Besoj se ka nevojë për ndryshime dhe kisha pasur dëshirë të ndryshohet diçka në aspektin e punësimit, shëndetësisë dhe në të gjitha profilet tjera”, thotë Aliu. Ndërkaq, Ragip Begolli thotë se deri më tash në Prishtinë jeta ka qenë e mirë, por do të ishte edhe më mirë nëse ka ende investime. “Presim që të na bëhet një kryetar i mirë, i aftë dhe të na i rregullojë disa gjëra”, shprehet ai. Megjid Kika thotë se nëse qytetarët dëshirojnë të ketë ndryshime në qytetet e tyre, duhet të dalin dhe të votojnë. “Si të gjitha zgjedhjet, edhe këto janë të rëndësishme dhe është mirë të dilet në votime. Presim të bëhet më mirë, një jetë më e mirë”, thotë Kika.
XS
SM
MD
LG