Ndërlidhjet

logo-print

KQZ-JA SHPALLI REZULTATET PRELIMINARE TË BALOTAZHIT


Albana Isufi

Rezultatet preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor për raundin e dytë të zgjedhjeve në 23 komuna, tregojnë se kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë fituar në 14 komuna, ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës në 6 dhe kandidatët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në 3 komuna. Prishtinën e ka fituar kandidati i LDK-së, Isa Mustafa, përderisa 4 qendrat tjera të mëdha i ka fituar PDK-ja, Mitrovicën - Bajram Rexhepi, Prizrenin - Ramadan Muja, Gjilanin - Qemal Mustafa, Ferizajn - Bajrush Xhemajli, kurse dy qendrat tjera i ka fituar AAK-ja, Pejën - Ali Berisha dhe Gjakovën - Palë Lekaj. Rezultatet përfundimtare do të bëhen të ditura në fund të javës së ardhshme, pasi që duhet numëruar edhe votat me kusht. “Janë afërsisht 14 mijë vota me kusht që duhet numëruar, ndërsa ende nuk e dimë se sa vota do të vijnë me postë, meqë afati i pranimit të tyre është 11 dhjetori”, tha Hough Fulton, nga OSBE-ja. Ndërkaq, vlerësimet e para thonë se pjesëmarrja e votuesve nuk ka qenë më shumë se 31.8 për qind. Kryeshefi i KQZ-së e vlerëson këtë si një pjesëmarrje të kënaqshme. “Duke pasur parasysh edhe fazën e parë të këtij procesi, që ka ndodhur më 17 nëntor, konsiderojmë se është një përqindje e lakmueshme, e kënaqshme dhe e mirë, e cila, megjithatë, shpreh vullnetin demokratik të qytetarëve për kandidatët e caktuar”, tha Mazllum Baraliu. Zgjedhjet e djeshme, ashtu sikurse edhe ato të 17 nëntorit, janë kritikuar nga koalicioni ‘Demokracia në Veprim’, rrjet ky që ka vëzhguar zgjedhjet për disa parregullsi dhe tentime të shumta për manipulime. Megjithatë, Baraliu vlerëson se procesi zgjedhor nuk është dëmtuar dhe zgjedhjet kanë qenë të qeta dhe demokratike. “Të dy proceset, edhe ai i 17-shit, edhe ky i djeshmi, kanë qenë procese të qeta, procese të zhvilluara jo vetëm në frymën demokratike, por edhe në frymën e standardeve më të avancuara ndërkombëtare, edhe nga aspekti i mungesës së incidenteve dhe dëmtimit të procesit, pra mungesës së manipulimeve. Për ato që kanë ndodhur më 17, edhe KQZ-ja, edhe KZAP-i e kanë thënë fjalën e vet dhe kemi konfirmuar disa herë se do të shkojmë deri në fund”, tha Baraliu. Sidoqoftë, ‘Demokracia në Veprim’ rekomandon që në të ardhmen, në zgjedhjet për raundin e dytë, të shqyrtohet seriozisht çështja e votave me kusht, madje ndoshta edhe të hiqet fare kjo praktikë. Sipas këtij koalicioni, rastet e raportuara tregojnë për persona që kanë votuar me kusht në vendvotime shumë afër vendbanimit, ndërsa në raste të tjera raportohet për shkallë të gjerë të përdorimit të votimit me kusht. Rekomandimi tjetër është përditësimi i listave të votuesve, trajnimi më serioz i zyrtarëve të vendvotimeve, marrja më me seriozitet e çështjes së fletëvotimeve, meqë, sipas këtij rrjeti, fletëvotimet pa emra të kandidatëve kanë qenë problematikë për një numër të votuesve dhe ka pasur raste kur votuesit kanë shënuar emrin e tyre, në vend të emrit të kandidatit. ‘Demokracia në Veprim’ po ashtu rekomandon që certifikimi i zgjedhjeve duhet të bëhet në mënyrë shumë më të shpejtë dhe me shpalljen e zgjedhjeve, duhet caktuar edhe datën e raundit të dytë.
XS
SM
MD
LG