Ndërlidhjet

logo-print

KOSOVA PREFERON SHPALLJEN E KOORDINUAR TË PAVARËSISË


Zijadin Gashi

Me përmbylljen e fazës shtesë të negociatave, Prishtina zyrtare paralajmëron hapa vendimmarrës për statusin e Kosovës. Në një deklaratë të përbashkët të Ekipit Negociator, lidhur me përfundimin e procesit të bisedimeve për statusin, thuhet se Kosova për më shumë se dy vjet ka marrë pjesë në negociata, të cilat edhe pas fazës shtesë nuk kanë sjellë asnjë rezultat të pranueshëm për Beogradin dhe Prishtinën. Andaj, ekipi përfaqësues kosovar në bisedime zotohet se Kosova së shpejti do të marrë vendime lidhur me statusin, vendime këto që do t’i koordinojë me bashkësinë ndërkombëtare. “Pas tetë vjetësh paqartësie, populli i Kosovës ka nevojë urgjente për qartësi të së ardhmes së vet”, thuhet në këto qëndrime. Kurse, “propozimi i presidentit Ahtisaari, duke përfshirë edhe rekomandimin e tij për pavarësi të mbikëqyrur, si dhe pakon e masave për mbrojtjen e minoriteteve të Kosovës, ofron një bazë solide për ta çuar Kosovën dhe rajonin drejt një të ardhmeje më të ndritur euroatlantike”, thuhet në deklaratën e Ekipit Negociator. Në këtë aspekt, zyrtari i lartë i PDK-së, Arsim Bajrami, thotë se menjëherë pas konstituimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit, këto institucione i presin përgjegjësi dhe vendime historike. “Padyshim që parlamenti do të ketë një përgjegjësi historike, sepse me të filluar të punës, duhet të marrë vendime historike, duke përfshirë këtu edhe deklaratën e pavarësisë, një deklaratë kushtetuese, me të cilën Kosova do të deklarohet shtet sovran dhe i pavarur. Pastaj, parlamenti do të sfidohet edhe me miratimin e Kushtetutës së re të Kosovës dhe me miratimin e ligjeve shtet-formuese, që parashihen edhe me pakon e Ahtisaarit”, tha Bajrami. Ndërkohë, Ramë Manaj, sekretar i përgjithshëm i LDK-së, thotë se Prishtina pret tani që të përfundojë edhe shqyrtimi i raportit të Treshes ndërmjetësuese në Këshillin e Sigurimit më 19 dhjetor dhe pozicionin që do të paraqitet me këtë rast nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon. Por, Manaj beson se vendimi për pavarësinë e Kosovës nuk është larg. “Vendimi për pavarësinë e Kosovës nuk është larg. S’mund ta thotë ndoshta askush datën e saktë, por, në fakt, janë shterur të gjitha mundësitë e pritjes, të gjitha shqyrtimet, të gjitha nivelet e negociatave dhe tashmë pritet kurorëzimi i aktit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe natyrisht njohjes nga vendet mike, nga komuniteti ndërkombëtar”, theksoi Manaj. Ai e konsideron të papranueshëm koordinimin eventual të afatit të shpalljes së pavarësisë me zgjedhjet presidenciale në Serbi, siç paralajmërojnë analistë të ndryshëm. Manaj thotë se Kosova nuk mund ta caktojë agjendën e vet duke e harmonizuar atë me zhvillimet e brendshme në vendet tjera. “Mendoj se veprimet që duhet t’i ndërmarrin parlamenti dhe institucionet përfaqësuese të popullit të Kosovës, nuk duhet të lidhen me zgjedhjet në Serbi ose në cilindo vend tjetër; në këtë rast, drejtpërdrejt me Serbinë, sepse ne nuk shohim indikacione të drejtpërdrejta e as të tërthorta në përfundimin ose në finalizimin e procesit të definimit të statusit politik të Kosovës”, vlerëson Manaj. Në çdo rrethanë, zyrtarët kosovarë vlerësojnë se vendimi për pavarësinë e Kosovës do të duhej të ishte i koordinuar me faktorin ndërkombëtar, sidomos me Uashingtonin dhe Brukselin. Në këtë aspekt, Arsim Bajrami konsideron se shpallja e koordinuar e pavarësisë do ta ndihmonte jo vetëm njohjen e Kosovës si shtet, por edhe funksionimin e saj si shtet. “Meqenëse tani bëhet fjalë për zyrtarizmin e pavarësisë së Kosovës, procesi duhet patjetër të jetë i koordinuar, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian, në mënyrë që vendimet e Kuvendit të Kosovës të marrin njohje të menjëhershme dhe të mos krijohet vakuum kushtetues, në mënyrë që shteti i Kosovës, në vitin 2008, të mund të funksionojë me kapacitetet e plota”, tha Bajrami. Ndryshe, Prishtina zyrtare pret që bashkësia ndërkombëtare t’i kthehet edhe njëherë pakos së Ahtisaarit, duke e njohur atë si zgjidhje për Kosovën. Në këtë drejtim, Ekipi Negociues, përmes deklaratës së sotme, edhe njëherë ka rikonfirmuar gatishmërinë e Kosovës që ta zbatojë këtë dokument, e po ashtu ka përsëritur zotimin se do t’i ushtrojë të gjitha përgjegjësitë dhe ndikimin që ka në ruajtjen e qetësisë në Kosovë. Sidoqoftë, konstituimi i institucioneve të reja mbetet hapi i parë i kosovarëve, para se të kalojnë në vendimet që paralajmërohen lidhur me shpalljen e pavarësisë.

XS
SM
MD
LG