Ndërlidhjet

PRISHTINA QË SOT FILLON KONSULTIMET ME PERËNDIMIN PËR SHPALLJEN E PAVARËSISË


Zijadin Gashi

Prishtina zyrtare i konsideron përfundimisht të përmbyllura negociatat për statusin dhe nga dita e sotme, paralajmëron fillimin e konsultimeve me qeveritë perëndimore për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Duke prezantuar pozicionin e Ekipit Negociator, zëdhënësi Skënder Hyseni tha se pala kosovare, me datën e sotme, 10 dhjetor, i konsideron të mbyllura të gjitha format e negociatave për statusin dhe paralajmëroi hapat në vijim të Kosovës, në drejtim të shpalljes së pavarësisë. “Prej sot, Kosova do të fillojë konsultime intensive me partnerët kyçë ndërkombëtarë, me qëllim të koordinimit të hapave për shpalljen e pavarësisë dhe për bërjen e kërkesës zyrtare për njohjen e kësaj pavarësie”, tha Hyseni. Pas më shumë se një viti të negociatave nën ndërmjetësimin e presidentit Martti Ahtisaari dhe 120 ditëve shtesë të negociatave nën ndërmjetësimin e Treshes, përfaqësuesit e Treshes ia kanë paraqitur raportin Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, raport ky që do të shqyrtohet në Këshillin e Sigurimit më 19 dhjetor. Mes tjerash, raporti konstaton se negociatat nuk sollën ndonjë rezultat, kur është në pyetje marrëveshja për statusin e Kosovës. Zëdhënësi Hyseni tha se Ekipi Negociator dhe presidenti Fatmir Sejdiu kanë kërkuar nga Presidenca e Këshillit të Sigurimit, që në takimin e 19 dhjetorit, në Nju Jork, të drejtën e vet të përfaqësimit dhe të fjalës ta ketë edhe presidenti i Kosovës. Për këtë kërkesë, është konfirmuar se presidenti Sejdiu ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga Nju Jorku. Ndërkohë, zyrtarë të partive politike konsiderojnë se hapi i parë që duhet të ndjekë Prishtina, është konstituimi i institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 17 nëntorit, dhe menjëherë pas, sipas tyre, në koordinim me perëndimin, Kosova duhet ta shpallë pavarësinë e saj. Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, vlerëson se shpallja e pavarësisë do të duhej të jetë në koordinim me ndërkombëtarët. “Duke pasur parasysh se bisedimet janë kryer, në këtë moment duhet sa më shpejt të konsolidohen institucionet e Kosovës, të cilat marrin përgjegjësinë mbi vendin dhe të bëhet shpallja e pavarësisë në Kuvendin e Kosovës, në përputhje me interesat e bashkësisë ndërkombëtare”, tha Isufi. Ai thotë po ashtu se Prishtina duhet ta bëjë shumë të qartë se negociatat kanë përfunduar dhe tani është koha e vendimeve. Njëkohësisht, edhe nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, vlerëson se pritja e kosovarëve duhet të ketë një limit, por, sipas tij, do të ishte jo e dobishme nëse kosovarët do ta shpallnin pavarësinë pa koordinim sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me Bashkimin Evropian. Sidoqoftë, Makolli thotë se kosovarët tani duhet të dëshmojnë më shumë vendosmëri për deklarimin e pavarësisë. “Pala kosovare duhet të paraqesë një vendosmëri edhe para faktorit ndërkombëtar, para miqve tanë, por edhe para të tjerëve, të cilët nuk po pajtohen akoma me një gjendje tashmë faktike, një vendosmëri, e cila gjithsesi do të rezultonte në një afat sa më të shpejtë kohor që të përmbyllet i gjithë ky proces, sepse tashmë të gjithë jemi të vetëdijshëm, se nuk guxojmë të humbim kohë të mëtutjeshme në përfundim të gjithë kësaj çështjeje”, theksoi Makolli. Shpallja e pavarësisë së Kosovës, sipas zyrtarëve kosovarë, është një zhvillim që do të ndodhë shumë shpejt, por ata thonë po ashtu se askush nuk mund ta dijë apo ta thotë edhe datën se kur do të ndodhë kjo. Duke u ndërlidhur me një raport të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, ku parashihet që shpallja e pavarësisë do të ndodhë në muajin maj të vitit 2008, zëdhënësi Skënder Hyseni tha se beson se Kosova do ta shpallë pavarësinë para kësaj date. Sidoqoftë, sfida e parë që i pret kosovarët mbetet konstituimi i kuvendit dhe qeverisë së re. Me formimin e institucioneve, Ekipit Negociues u tha sot se do t’i pushojë mandati dhe se çështja e statusit do të kalojë te institucionet e reja.
XS
SM
MD
LG