Ndërlidhjet

logo-print

QYTETARËT MBI SHPALLJEN E KOORDINUAR TË PAVARËSISË


Bekim Bislimi

Bisedimet në mes Prishtinës dhe Beogradit për definimin e statusit të Kosovës tashmë kanë përfunduar dhe institucionet e Kosovës duhet të jenë të gatshme që ta shpallin pavarësinë. Kështu thonë disa qytetarë të Prishtinës, të cilët kanë mendime të ndara se a duhet ose jo të pritet sinjali nga bashkësia ndërkombëtare për një deklarim të pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës. Rexhep Kastrati shpreh mendimin se institucionet kosovare nuk kanë çfarë të presin më dhe se deklarata e pavarësisë duhet të shpallet gjatë këtij viti. “Bisedimet mbaruan. Nuk u ka mbetur gjë tjetër; sinjalet i kanë nga SHBA-të, nga bashkësia ndërkombëtare se do ta njohin pavarësinë e njëanshme, me përjashtim të disave. Qëllimisht nuk po e konstituojnë as qeverinë, as parlamentin. Përndryshe, sipas premtimeve që i kanë dhënë gjatë fushatës, duhet që rreth datës 20-25 dhjetor të shpallet pavarësia”, thotë Kastrati. Ngjashëm shpreh mendimin edhe Skënder Vardari. “Pas skadimit të afatit, duhet të shpallet pavarësia. Por, nëse bazohemi në udhëheqësit tanë politikë, mendoj se ata do ta presin majin, sepse janë shumë të dëgjueshëm ndaj forcave të mëdha ndërkombëtare. Unë mendoj se duhet të shpallet sa më shpejt, e pastaj të bëhet presioni diplomatik në qarqet ndërkombëtare për njohjen e pavarësisë”, thekson Vardari. Ardian Paçarizi thotë se është e dëshirueshme që institucionet e Kosovës ta shpallin pavarësinë brenda këtij viti, por, siç shprehet ai, nuk pritet që kjo të ndodhë. “Nuk ma merr mendja se do të ndodhë sot, më 10 dhjetor, por do të ndodhë më vonë, do të shtyhet afati, përafërsisht pas vitit të ri. Institucionet e Kosovës nuk mund ta bëjnë vetë, pa pëlqimin e BE-së. Mendoj se më mirë është që institucionet e Kosovës t’i marrin hapat vetë, sepse nëse nuk do ta bëjnë këtë, gjithmonë do të ketë probleme, do të shtyhet çdoherë e më shumë statusi i Kosovës”, thotë Paçarizi. Ndryshe mendon Fehmi Pireva. “Mendoj se shpallja e pavarësisë në mënyrë të njëanshme, e pakoordinuar me faktorët më përgjegjës ndërkombëtarë, SHBA-të dhe BE-në, nuk do të ishte një zgjidhje e realizimit të procesit të shtetësisë së Kosovës, sepse ne kemi shpallje të pavarësisë edhe në periudha të mëhershme dhe ky proces i njohjes ka vazhduar deri më tani dhe Kosova nuk është njohur si shtet. Unë nuk pres që brenda këtij viti të kemi një shtet apo njohje të shtetit”, shprehet Pireva. Ndërkaq, Safet Haxhijaha vlerëson se është momenti i fundit që pavarësia e Kosovës të shpallet nga Parlamenti i saj, por, megjithëkëtë, duhet pritur sinjalin nga bashkësia ndërkombëtare. “Bashkësia ndërkombëtare të na japë një sinjal që ne ta shpallim pavarësinë dhe të fillojë të na njohë pavarësinë. Pritja do të ishte pas vitit të ri, diku më 20-25 janar. Njerëzit kanë filluar të bëhen të padurueshëm, por kur dihet që pavarësia do të bëhet pas pak kohe, ia vlen të pritet edhe një muaj, pasi që pritem kaq kohë të gjatë; një sakrificë që ia vlen”, thotë Haxhijaha.
XS
SM
MD
LG