Ndërlidhjet

logo-print

SERBËT MENDOJNË SE STATUSI DO TË ZGJIDHET NË SHKURT


Albana Isufi

Ministri për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, u ka premtuar sot bashkëkombësve të tij kosovarë, se Kosova do të mbetet gjithmonë pjesë e Serbisë. Ndërkohë, vetë përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës, në ditën e përfundimit zyrtar të negociatave për statusin, pranojnë se pavarësia e Kosovës, nëse jo menjëherë, mund të shpallet kah fundi i muajit shkurt. Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb, e sheh 10 dhjetorin si një ditë të zakonshme, përderisa mendon se pala shqiptare nuk do të ngutet që ta shpallë pavarësinë pa u koordinuar me komunitetin ndërkombëtar. “Ka pasur më parë deklarata të kryetarit të Kosovës, të kryeministrit në largim dhe të atij të ardhshmit, të cilët kanë thënë se sipas të gjitha gjasave, më 10 dhjetor do ta shpallin pavarësinë, në ditën kur përfundojnë negociatat. Por, duhet pasur parasysh deklaratën e zotit Çeku, se nuk do të ndërmarrin asnjë hap pa pëlqimin e BE-së dhe të SHBA-ve. Në këtë kuadër, konsideroj se është me rëndësi të madhe deklarata e zotit Wisner, i cili ka thënë se deri në fund të janarit nuk do të ndodhë asgjë e rëndësishme. Unë pres një periudhë të qetë dhe konsideroj se është obligim i udhëheqësisë shqiptare në rend të parë, për shkak të përgjegjësisë ndaj popullit të vet, si dhe përgjegjësi e jona në nivel lokal, që të mos shkaktojmë arsye për tensione, me ndonjë sjellje apo deklaratë të pamatur”, tha Joviq. Në anën tjetër, ministri Sllobodan Samarxhiq ka thënë Serbia do të jetë gjithmonë e pranishme në të gjitha vendet ku banojnë serbët dhe aty ku ka kisha ortodokse serbe.
Por, ndryshe nga Samarxhiq, që kundërshton pavarësinë, në mesin e serbëve të Kosovës ka opinione që në rast se zgjidhja për Kosovën arrihet përmes institucioneve ndërkombëtare, qoftë kjo edhe pavarësia e Kosovës, ajo do të jetë e pranueshme. Sllobodan Petroviq, nga Partia e Pavarur Liberale, nuk pret që të ketë veprime konkrete menjëherë pas datës së sotme. Ai mendon se liderët shqiptarë, fitues të zgjedhjeve të 17 nëntorit, duhet të jenë të matur dhe të përgjegjshëm në veprimet e tyre të ardhshme. “Pres që njerëzit që kanë marrë më së shumti vota në zgjedhjet e fundit, të jenë të vetëdijshëm për situatën dhe njëkohësisht pres nga këta njerëz që të jenë të matur dhe të presin hapa nga bashkësia ndërkombëtare. Ne angazhohemi për një zgjidhje të qetë që do të duhej të gjendej sa më shpejt. Statusi i Kosovës aktualisht është në duar të bashkësisë ndërkombëtare. Presim raportin që tashmë ka arritur në Këshillin e Sigurimit, presim 19 dhjetorin dhe presim një zgjidhje më të mirë për popullin që jeton në Kosovë”, u shpreh Sllobodan Petroviq. Ndryshe, serbët e kthyer në Osojan dhe në Gorazhdec, të cilët sot i ka vizituar ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, janë shprehur të vendosur se nuk do t’i lëshojnë shtëpitë e tyre, edhe në rast të pavarësisë së Kosovës. E vetmja gjë që do t’i lëkundte ata nga pronat e tyre, është ndonjë dhunë eventuale.
XS
SM
MD
LG