Ndërlidhjet

STUDENTËT MARSHOJNË PËR PAVARËSI


Nadie Ahmeti

Me moton ‘Të gjithë për pavarësinë e Kosovës’, organizuar nga Nisma Studentore për Pavarësinë e Kosovës, mijëra qytetarë kanë marshuar në Prishtinë, duke filluar nga Qendra e Studentëve deri tek Kuvendi i Kosovës. Para Kuvendit të Kosovës, protestuesit kanë kërkuar nga liderët dhe institucionet vendore e ndërkombëtare, që të caktojnë një datë për shpalljen e pavarësisë. Ardian Bajraktari, nga kjo nismë, tha se kërkesa për shpalljen e pavarësisë është një e drejtë legjitime dhe qytetarët e Kosovës, sipas tij, meritojnë ta kenë pavarësinë. “Është momenti i fundit, ku ju duhet ta dëshmoni veten se vërtet jeni përfaqësues të qytetarëve të Kosovës. Nga ju kërkojmë që ta kryeni obligimin tuaj ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, ta shpallni pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, nga ky vend i dërgojmë porosi të gjitha qendrave të vendosjes. Mjaft më, mos manipuloni me fatin e Kosovës dhe qytetarëve të saj! Ju që vetë i krijoni rregullat, vini në veprim edhe rastin tonë. Nuk durojmë më, mjaft kemi pritur, nuk presim më. Mos e keqpërdorini mirësjelljen tonë!”, është shprehur Bajraktari. Aktivisti tjetër nga kjo nismë, Petrit Nimani, njëherësh kryetar i Unionit të Studentëve Shqiptar, tha se është momenti i fundit, kur deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta shpallin pavarësinë. “Nuk mund të presim më. Kaluan tetë vjet duke pritur pavarësinë, por ajo nuk po shpallet dhe po zvarritet, si nga faktori ndërkombëtar, ashtu edhe nga ai vendor. Është momenti i fundit, kur deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta marrin guximin dhe ta shpallin pavarësinë, sepse këtë e kanë obligim falë gjakut dhe sakrificës së popullit të Kosovës”, tha Nimani. Ndryshe, edhe qytetarë tjerë, të cilët kishin dalë në përkrahje të kërkesës së vetme të studentëve, thonë se tashmë është momenti i duhur për ta shpallur pavarësinë e Kosovës. Shyqyri Thaçi thotë se koha e negociatave shtesë ka përfunduar, kështu që i mbetet institucioneve vendore që të ndërmarrin veprime konkrete për këtë çështje. “Është koha dhe momenti i duhur për ta shpallur pavarësinë e Kosovës, në koordinim me SHBA-ë dhe shtetet evropiane”, tha Thaçi. Ngjashëm thotë edhe Hakif Refiku: “Sot është dita ndërkombëtare e të drejtave të njeriut dhe pikërisht në këtë ditë kemi dalë të kërkojmë shpalljen e pavarësisë. Mjaft kemi pritur dhe duhet shpallur sa më shpejt pavarësia”, u shpreh ai. Ndërkaq, Basri Hoti pohon se bashkësia ndërkombëtare është ajo, e cila duhet ta japë dritën jeshile për shpalljen e pavarësisë. “Caktimi i ditës së shpalljes së pavarësisë nuk varet prej nesh dhe ne nuk mund ta caktojmë. Pa bashkëpunim me ndërkombëtarët, nuk ka asgjë”, tha Hoti. Ndryshe, protesta ka përfunduar në mënyrë të qetë dhe pa ndonjë incident.
XS
SM
MD
LG