Ndërlidhjet

UNMIK-U KUNDËRSHTON HAPJEN E ZYRËS SË MINISTRISË PËR KOSOVËN NË VERI


Albana Isufi

Ministria për Kosovën e Qeverisë së Serbisë ka hapur sot në pjesën veriore të Mitrovicës një zyrë të saj, pa njoftuar paraprakisht administratën ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara. Kjo ka bërë që UNMIK-u të reagojë, duke e quajtur këtë hap si shkelje të Rezolutës 1244. Pas takimit që ka pasur me ministrin për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, zëvendësshefi i UNMIK-ut, Steven Schook, ka thënë se hapja e kësaj zyre për UNMIK-un është e papranueshme. "PSSP-ja më ka autorizuar të them se UNMIK-u nuk ka qenë i njoftuar dhe nuk ka dhënë leje për këtë zyrë. UNMIK-u konsideron se themelimi i Zyrës së Ministrisë së Qeverisë së Serbisë me qëllim që të ushtrohen detyrat e ministrisë këtu, është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe për këtë arsye, për UNMIK-un është e papranueshme. Po ashtu, përfaqësuesi special do të konsultohet me Grupin e Kontaktit dhe me Nju Jorkun, për direktivat e mëtejme", tha Schook. Sllobodan Samarxhiq, përveç që ka hapur zyrën e ministrisë së tij, ka vizituar gjatë ditës vendbanime të ndryshme serbe, ku ka theksuar se Kosova do të mbetet gjithmonë pjesë e Serbisë. Ai po ashtu ka theksuar se në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Serbia përveç se nuk do ta njohë atë vendim, do t’i përforcojë strukturat paralele në Kosovë. "Serbia këtë nuk do ta njohë, do ta shpallë si vendim të paligjshëm dhe jolegjitim, sikurse edhe të gjitha vendimet e shteteve veç e veç që mund të pasojnë. Nuk do ketë ndonjë represion, por Serbia do të vazhdojë me punën e saj në Kosovë, sikurse edhe deri tani, institucionet e saj do të funksionojnë. Serbët do të jetojnë nën këtë regjim, pak a shumë sikurse që kanë jetuar deri tani, por tani me një ndarje totale prej institucioneve të shumicës shqiptare të Kosovës; do të thotë, do të instalohet një paralelizëm i plotë institucional", tha Samarxhiq. Në anën tjetër, zëvendësshefi i UNMIK-ut, Steven Schook, ka kërkuar nga zyrtarët serbë që të përmbahen nga këto provokime politike. Schook ka thënë se me ministrin Samarxhiq është pajtuar që të ketë përmirësime të raporteve mes UNMIK-ut dhe Beogradit. Por, Schook ka kërkuar në të njëjtën kohë një përgjegjësi më të madhe nga Beogradi zyrtar. "Hapja e kësaj zyre, përveç që është në kundërshtim me Rezolutën 1244, nuk është në frymën e marrëveshjes që ka arritur Beogradi me Treshen në Baden", theksoi Schook. Ai ka njoftuar se me ministrin Samarxhiq ka biseduar edhe për incidentin e para disa ditëve në Gorazhdec, në të cilin ka pasur përleshje mes serbëve lokalë dhe sigurimit të komandantit të KFOR-it dhe shefit të UNMIK-ut. Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, pati theksuar se i ishte thënë se incidenti është ndikuar nga Beogradi dhe se si të tillë do ta paraqiste edhe në raportin e tij të radhës para Këshillit të Sigurimit.

XS
SM
MD
LG