Ndërlidhjet

EKSPERTËT: SANKSIONET E MUNDSHME NGA SERBIA, NUK PARAQESIN PROBLEM PËR KOSOVËN


Arton Konushevci

Serbia do t'i bëjë dëm vetëm vetes, nëse vendos të vë sanksione ekonomike, ashtu siç është kërcënuar ditë më parë, nëse Kosova shpall pavarësinë. Kështu thonë ekspertë vendorë për çështje ekonomike, duke shtuar se Serbia në Kosovë do t'i bllokojë produktet e veta, që në tregun kosovar zënë hapësirë të madhe. Muhamet Sadiku, nga Instituti Riinvest, thotë se Serbia në Kosovë ka një eksport të madh dhe nuk beson se do të ndodhë një gjë e tillë. "Në situatën aktuale, Serbia edhe nëse vendos të vë sanksione tregtare, këto në radhë të parë do t'i godasin kompanitë e Serbisë, sepse duhet pranuar se Serbia në Kosovë, në vit, eksporton rreth 180 milionë euro nga 4, 5 miliardë, sa e ka eksportin e përgjithshëm. Sido që të jetë, këto masa mund të jenë të karakterit afatshkurtër dhe ajo që dihet është se janë masa që shërbejnë për konsum të brendshëm në opinionin e Serbisë", theksoi Sadiku. Ai tha se vetë ndërmarrjet tregtare në Serbi do të bëjnë presion në qeverinë e tyre, që të mos merren masa të tilla. Sadiku ka shtuar se edhe nëse ndërmerret një veprim i tillë, do të jetë shumë i shkurtër. Edhe eksperti tjetër kosovar, Ejup Qerimi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, vlerëson se nga deklaratat e deritanishme mund të ndodhë një sanksionim i tillë, por, siç thotë ai, nëse Serbia është një qeveri e ndërgjegjshme ndaj vendit të vet dhe ndërmarrjeve tregtare, nuk do të duhej të ndërmerrte veprime të tilla. "Këto deklarata mund të jenë reale, duke u nisur nga qeveria ekzistuese, duke u nisur nga vetë momenti kritik, që jemi para shpalljes së pavarësisë. Domethënë, nuk përjashtohet që realisht të ndodhë kjo. Mirëpo, nuk besoj që vetë komuniteti i biznesit të Serbisë do ta pranonte një gjë të tillë në mënyrë aq të thjeshtë. Besoj se do të ketë reagime, për shkak që mund të kemi pasoja në çmime. Por, mund të orientohemi nga një treg tjetër dhe ata të humbin një treg prej 5-6 milionë banorëve", tha Qerimi. Ai theksoi se Kosova është një vend me kufij të hapur dhe si i tillë do t'i shfrytëzojë të gjitha mundësitë nga vendet e tjera fqinje, në mënyrë që të mos ketë mungesë të mallrave të ndryshme. Qerimi tha se nëse do të ketë një sanksionim të tillë për Kosovën, atëherë do të ketë rritje edhe të kontrabandës, edhe të çmimeve. "Do të ketë rritje të kontrabandës shumë më shumë, nëse ata vendosin ndonjë barrierë kufitare; atëherë, humbjet do të jenë në të dyja anët, edhe për buxhetin e Serbisë, edhe për buxhetin e Kosovës. Humbjet do të jenë edhe për konsumatorin, se do të ketë ngarkesa të reja, sepse nuk është njëjtë si kur kalon malli në mënyrë të rregullt, si në mënyrë të parregullt; rritet kostoja, rriten çmimet. Në këtë rast, humbësi më i madh do të jetë vetë Serbia", u shpreh Qerimi. Po ashtu, edhe Muhamet Sadiku vlerëson se Serbia nuk është fuqi tregtare, që mund të bëjë rregulla të reja në këmbimin tregtar. "Serbia nuk është fuqi e madhe biznesi që të bëjë ndryshime në këmbimin tregtar në rajon. Unë mendoj se nëse merren këto masa, ato do të jenë të karakterit afatshkurtër", tha Sadiku. Përveç sanksioneve ekonomike, në rast se Kosova shpall pavarësinë, Serbia është kërcënuar edhe me sanksione të tjetra, siç janë ato të energjetikës dhe vështirësimit të lëvizjes së lirë për qytetarët kosovarë.

XS
SM
MD
LG