Ndërlidhjet

KOSOVA MERITON PAVARËSINË E SAJ


Anthony Lloyd, "The Times"

Përtej kufijve të Serbisë, një formë e neveritshme e revizionizmit është shfaqur përgjatë viteve në mesin e atyre që njihen si kritikë të vullnetit të Kosovës për pavarësinë. Një pjesë ka lindur nga dëshira arrogante për të krijuar kundërthënie. Pjesa më e madhe nga injoranca. Dhe një pjesë tjetër buron nga racizmi: enigmatikë, të varfër, myslimanë dhe me gjuhë e kulturë të ndryshme nga pjesa tjetër e Evropës, shqiptarët e Kosovës janë shënjestër e lehtë për elementet që synojnë vetë-kënaqësi në rradhët e klasës pseudo-politike të Evropës Perëndimore.
Argumentet e kritikëve të pavarësisë së Kosovës bazohen në dy doktrina false të vetëmohimit. E para, thotë se shteti i Serbisë nuk është përgjegjës për masakrimin e shqiptarëve midis 1998 dhe 1999 dhe se forcat serbe të sigurimit disi janë mashtruar nga provokimet e UÇK-së për vrasjen e mijëra të pafajshmëve. E dyta thotë se më shumë se 800 mijë shqiptarë në kohën e bombardimeve të NATO-s janë zhvendosur nga frika e bombardimeve dhe jo nga njësitet militare serbe.
Po të ishin këto pohime të vërteta, atëherë rasti fundamental për pavarësinë e Kosovës, do të ishte i padrejtë në mënyrën më fatale. Por, ato nuk janë të vërteta. Dhe këtë e di jo si një supozim, por si fakt. Kam shumë kujtime nga Kosova në kohën që e kam kaluar atje duke raportuar midis viteve 1998 dhe 2000. Në mesin e imazheve të varrezave masive, fshatrave të djegura dhe kufomave të enjtura, një imazh më ka lënë përshtypje të veçantë. Në luginat jashtë fshatit Istniç, kam parë 40 mijë kosovarë të përndjekur nga policia serbe. Të rinjë, të moshuar, burra, gra, fëmijë, të gjithë shikonin syhapur horizontin ku grumbullohej tymi që vinte nga fshatrat e tyre, të djegura nga spastrimi serb, prej të cilit kishin ikur. “Ku është Evropa? Ku është Amerika?”, më pyeste një refugjat.
Pas një dite apo dy, policia serbe i detyroi ata të shkonin në fqinjësi, duke i rrahur dhe kërcënuar me armë. Këta njerëz nuk kishin ikur nga bombat e NATO-s. Bomba e parë e NATO-s ishte shtatë muaj larg. Kjo ka ndodhur në verën e 1998-ës. Atëherë, bota nuk çante kokën edhe aq shumë për Kosovën dhe një vit më vonë, në kuadër të operacioneve më të mëdha të spastrimit, serbët tashmë kishin filluar përndjekjen e mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre.
Përkujtimi i asaj çfarë ka nodhur gjatë luftës është shumë e rëndësishme për çështjen e pavarësisë së Kosovës, meqë zbulon përfshirjen absolute të autoriteteve serbe në shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe ka dëshmuar atëherë dhe tani për një pushtet jonjerëzor dhe të padrejtë, nga i cili shqiptarët e Kosovës meritojnë të jenë të pavarur.
As UÇK-ja nuk ishte engjëllore. Si forcë rebele e çdo karakteri të njeriut (dhe jo vetëm e enitetit mafioz sikur që pohojnë revizionistët), ajo përbëhej nga luftëtarë të lirisë, intelektualë, fshatarë, nacionalistë, e madje edhe elemente kriminale dhe të dhënat për të drejtat e njeriut në këtë kuadër ishin të tmerrshme. Por, UÇK-ja ka pasqyruar vullnetin e popullatës shumicë, vullnet ky i cili ka fituar kredibilitetin më së shumti nga sjelljet e qeverisë serbe kundrejt popullatës civile.
Dhe derisa komuniteti ndërkombëtar mendohet se çfarë të bëjë me Kosovën tani, duhet t’i rikujtojë këto fakte, posaçërisht tash kur koha më nuk është në anën e askujt. Pjesa më e madhe e kësaj kohe është shpenzuar në pavendosmëri që nga viti 1999.
Më herët gjatë këtij viti, Rusia, në përpjekje për të rikthyer ndikimin në rajon, e ka hedhur poshtë planin e arsyeshëm të Kombeve të Bashkuara për pavarësi të mbikqyrur të Kosovës. Pesë muaj të tjerë negociatash midis Kosovës dhe Serbisë përfunduan pa ndonjë rezultat më 10 dhjetor. Dhe bllokimi aktual duket se nuk do të lëvizë. Në njërën anë, kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke e përgatitur veten për shpallje të njëanshme të pavarësisë, në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës dhe pjesës më të madhe të Bashkimit Evropian. Në anën tjetër, kryeministri nacionalist i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, i mbështetur nga Rusia, e ka shndërruar statusin e Kosoëvs në çështjen parësore të politikës serbe, duke tërhequr vërrejtjen për pasoja të rënda nëse Bashkimi Evropian e njeh pavarësinë e Kosovës.
Parashikuesit e fatit flasin për një pasqyrë të zbehtë në të cilën Kosova shpallë pavarësinë e saj, Serbia e sfidon atë duke e shpallur të paligjshme në mungesë të një vendimi nga Këshilli i Sigurimit dhe si rezultat dhuna shpërthen në Kosovë, zgjerohet tek serbët në Bosnjë dhe shqiptarët në Maqedoni të cilët gjithashtu synojnë pavarësinë. Përfundimi: një luftë e re në Ballkan e cila përshkallëzohet nga lufta e re e fothtë.
Por, realiteti është krejt ndryshe. Zoti Thaçi, e din se i duhet njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe ka thënë tashmë se shpallja e pavarësisë do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Ai e kupton se pa këtë mbështetje shpallja e pavarësisë do të thellonte stagnimin ekonomik në Kosovë, e cila edhe tash varet nga ndihma ndërkombëtare për të mbijetuar.
Në anën tjetër, pavarësisht nga propaganda e Koshtunicës, shumica e serbëve janë më të shqetësuar me gjendjen e tyre ekonomike se sa që janë me statusin e Kosovës, që do të thotë se ata mund të ngurojnë të kërkojnë patronazhin e Rusisë nëse kjo nënkupton përkeqësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian. Me humbjen e katër luftërave në 16 vitet e fundit, ata duket se nuk janë duke u ngutur të hyjnë në një konflikt tjetër dhe përkundër kërcënimeve, nuk ka pasur mobilizim të njësiteve ushtarake.
Brenda në Kosovë ndërkaq, në mungesë të pajtueshmërisë midis d grupeve etnike që prej vitit 1999, pakica serbe jeton në enklava, pas zhvendosjes nga shqiptarët. Trazira të lehta, protesta dhe vrasjet janë të mundshme, por me 16 mijë ushtarë të NATO-s nuk ka gjaë të ketë përplasje të gjerë midis forcave paramilitare.
Prandaj, rruga përpara mund të mos jetë edhe aq e rrezikshme sikur që thuhet. Ndërkohë, Bashkimi Evropian duhet të sforcojë misionin civil dhe ushtarak në Kosovë, për të siguruar mbrojtjen e pakicës serbe. Edhe pse do të ishte ideale të gjendej një rrugë përpara me të cilën do të pajtoheshin edhe Serbia edhe Rusia, Bashkimi Evropian duhet ta pranojë se një gjë e këtillë nuk do të ndodhë.
Dhe kur të shqyrtohet përgjigja mbi shpalljen e pashmangshme të pavarësisë së Kosovës, Bashkimi Evrppian duhet të shkëputet nga gjuha emocionale e lojtarëve rajonalë dhe revizionistëve, duke kujtuar tri fakte të thjeshta. Serbia e ka humbur Kosovën më 1999. Shumica dërmuese e kosovarëve duan pavarësinë. Dhe mbi të gjitha, ata e meritojnë pavarësinë.
XS
SM
MD
LG