Ndërlidhjet

PAKICA SERBE NUK PAGUAN ASNJË DETYRIM NDAJ INSTITUCIONEVE


Nadie Ahmeti

Pjesëtarë të komuniteti serb, të cilët jetojnë në enklavat serbe, për tetë vjet me radhë nuk paguajnë asnjë obligim ndaj institucioneve kosovare. Mospërmbushja e këtyre obligimeve ndaj këtyre institucioneve, ka dëmtuar dhe po dëmton vazhdimisht buxhetin e konsoliduar të Kosovës, thonë ekspertë kosovarë për çështje ekonomike. Sipas tyre, kjo situatë është krijuar për shkak të ndikimit të politikës së Qeverisë së Serbisë në këto pjesë. Ymer Havolli, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore ‘Riinvest’, tha se pjesëtarët e pakicës serbe duhet, njëherë e përgjithmonë, ta pranojnë realitetin e krijuar në Kosovë dhe t’i pranojnë institucionet vendore dhe obligimet ndaj këtyre institucioneve. “Duhet të jenë pjesë e asaj përgjegjësie lidhur me përmbushjen e obligimeve ndaj shtetit, në të cilin jetojnë; pra, në përmbushjen e obligimeve si tatimpagues, si pagues të energjisë elektrike, pasi edhe energjia elektrike, kudo në botë, konsiderohet si mall dhe duhet të paguhet ai mall. Pra, duhet të jenë qytetarë me të gjitha të drejtat dhe përgjegjësitë e barabarta, sikur të gjithë qytetarët tjerë kosovarë”, tha Havolli. Problem kryesor në mospërmbushjen e obligimeve ndaj institucioneve përkatëse, Ibrahim Rexhepi thotë se është krijimi i një tolerance të madhe ndaj këtij komuniteti prej institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Ndërkaq, ai pohon se vetë institucionet vendore kanë pak qasje në enklavat e banuara me shumicë serbe. “Nuk kanë bërë asnjë përpjekje që ata njerëz të futen në sistemin tatimor. Përndryshe, dëmet janë evidente kur i kemi parasysh edhe statistikat, ku tatimi në pronë dhe tatimet e ndryshme komunale paguhen në masën 2-3 për qind”, tha Rexhepi. Mosprezenca e institucioneve vendore në enklavat serbe, ai thotë se ka krijuar hapësirë edhe për kontrabandimin e mallrave të ndryshme, për t’u ikur akcizave. “Krejt këto e bëjnë si një pikë të zezë në funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e politikave fiskale të obligueshme në Kosovë. Është edhe fakti tjetër, marrim rastin e KEK-ut dhe të PTK-së, ku shërbimet publike nuk paguhen. Këtë le ta quajnë ledhatim, le ta quajnë tolerim, por unë e konsideroj si një masë politike për të mos irrituar serbët”, u shpreh Rexhepi. Ndërkaq, Ymer Havolli thotë se vetë institucionet vendore duhet të jenë më aktive, në mënyrë që ta bindin komunitetin serb se edhe ata janë pjesë e shoqërisë. “Ne i konsiderojmë se janë qytetarët tanë dhe ne nuk duhet të lejojmë që ata të jenë të manipuluar nga Beogradi dhe qëndrimet e Beogradit të vlejnë ende në një pjesë të Kosovës. Pra, ne duhet t’i bëjmë përpjekjet tona, që ata të jenë pjesë e shoqërisë, për shkak të orientimeve tona që i kemi në të ardhmen, për shtetin e pavarur të Kosovës”, theksoi Havolli. Ndryshe, sipas zyrtarëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, që nga përfundimi i konfliktit në Kosovë, pjesëtarët e komunitetit serb që banojnë në enklavat serbe, nuk kanë paguar asnjë euro për energjinë e shpenzuar. Edhe pse kjo korporatë nuk ka qasje në këto enklava, vetëm në pjesën veriore të Kosovës, KEK-u konsideron se 10 milionë euro në vit llogaritet energjia e shpenzuar. Ndërkaq, institucionet tjera publike nuk kanë të dhëna të sakta se sa është shuma e humbjes që pëson buxheti i konsoliduar i Kosovës nga mospagesa e obligimeve të serbëve që jetojnë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG