Ndërlidhjet

PAS KONSULTIMEVE, THAÇI PARALAJMËRON PËRCAKTIMIN E FORMULËS QEVERISËSE


Zijadin Gashi

Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka vazhduar edhe sot takimet me partitë politike, në përpjekje të arritjes së marrëveshjes për koalicionin qeverisës. Thaçi ka pritur delegacionet nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe Veton Surroin, nga Partia Reformiste Ora, e cila nuk ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor. Ngjashëm me takimet e zhvilluara më herët, me LDK-në dhe AKR-në, edhe sot Thaçi tha se faza e parë e bisedimeve përfshin vetëm konsultimet, ndërkaq hyrja në negociata për marrëveshje konkrete, sipas tij, pritet të ndodhë ditët në vijim, kur ai do t’i zhvillojë raundet e dyta të takimeve me partitë politike. “Formula për koalicionin qeverisës do të prezantohet së shpejti, pas takimeve shtesë me formacionet politike dhe që nga nesër do të fillojnë konsultimet konkrete”, theksoi Thaçi. Ai nuk ka pranuar të përgjigjet drejtpërdrejt se sa kohë do t’i nevojitet për formimin e qeverisë së tij, por tha se kjo do të ndodhë së shpejti. Ndryshe, gjatë ditës së sotme, të parët që u pritën nga mandatari Thaçi ishin zyrtarët e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Dardanisë, por të cilëve nuk u printe Nexhat Daci, i cili u tha se kishte angazhime tjera dhe për këtë mungesë i kërkuan mirëkuptim mandatarit Thaçi. Sekretari i Përgjithshëm i LDD-së, Lulëzim Zeneli, tha se ky subjekt politik do të tregohet partner i qeverisë, pavarësisht nëse do të përfshihet apo jo në të. “Ne kemi shprehur gatishmërinë e plotë që pavarësisht zhvillimeve që do ta përcjellin këtë proces, të mbetet një partnere dhe një forcë serioze në ndërtimin dhe zhvillimin e këtij procesi”, tha Zeneli. Në vazhdim, Thaçi ka pritur edhe një delegacion nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që ka udhëhequr me Qeverinë e Kosovës në koalicion me LDK-në. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, tha se varet nga oferta e PDK-së, nëse AAK-ja do të jetë në pozitë apo jo. “Do të jemi në bashkëpunim, pavarësisht nga relacioni, qoftë në qeverisje, qoftë në opozitë; sot jemi shumë konstruktivë, duke pasur parasysh situatën në Kosovë”, theksoi Isufi. Në vazhdën e këtyre takimeve, Thaçi takoi edhe kryetarin e Partisë Reformiste Ora, Veton Surroin. Ky i fundit tha se është i interesuar që ta ndihmojë procesin dhe të tregohet konstruktiv, por i rekomandoi mandatarit Thaçi që t’i ketë si prioritet në ndërtimin e qeverisë së re forcat politike që kaluan pragun zgjedhor dhe tash janë forca parlamentare. “Pozicioni i Partisë Reformiste Ora është që në këtë proces, përderisa të ndërtohet një qeveri funksionale, me njerëz të duhur, në bazë të një marrëveshjeje, të jemi ata që do ta ndihmojmë këtë proces”, tha Surroi. Për ditën e nesërme, mandatari Thaçi ka ftuar në raundin e dytë të bisedimeve Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën Kosova e Re. Pas raundit të dytë, Thaçi ka paralajmëruar fillimin e negociatave konkrete dhe përcaktimin e tij për partnerët në koalicionin qeverisës, përkatësisht do të vendosë se a do të mund të lidhë koalicion me partinë e dytë në Kosovë LDK-në, apo do të bëjë ndonjë kompozim tjetër.



XS
SM
MD
LG