Ndërlidhjet

VETËM STATUSI MUND T’I AKTIVIZOJË RESURSET PËR NGRITJE EKONOMIKE


Bekim Bislimi

Pavarësisht se gjendja ekonomike e Kosovës, aktualisht është e rëndë, është krejtësisht reale se pas definimit të statusit politik, Kosova ka potenciale që të mbijetojë me resurset e veta, duke i futur ato në përdorim përmes investimeve të kapitalit të huaj, thonë ekspertët kosovarë të ekonomisë. Musa Limani, drejtor i Institutit Ekonomik të Kosovës, thotë se Kosova disponon me resurse natyrore, të cilat paraqesin një parakusht dhe kusht për zhvillimin ekonomik. “Kemi potencialin më të rëndësishëm, kemi fuqinë punëtore, do të thotë kuadrot, relativisht shumë të reja, me një nivel arsimor të lartë, që janë të përgatitura që të punojnë dhe ta çojnë përpara Kosovën. Lirisht mund të konstatojmë se kemi mundësi ekonomike që ta mbajmë vetveten, kur gjithë kësaj ia shtojmë edhe potencialin bujqësor dhe resurset tjera. Pra, del se Kosova mund të mbahet vetë në aspektin ekonomik”, thotë Limani. Për t’u vetëmbajtur ekonomikisht Kosova, shton ai, qeveria e ardhshme duhet t’i qaset ndryshe politikës zhvillimore makroekonomike, sepse ajo e deritashmja e ka sjellë Kosovën në krizë të thellë ekonomike. Agim Shahini, drejtues i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se duke pasur parasysh që Kosova disponon me resurse natyrore të mjaftueshme për vetëmbajtje ekonomike, Qeveria e Kosovës, pas definimit të statusit politik, duhet ta hapë dhe shtrojë rrugën e investimeve të huaja, në mënyrë që këto resurse të futen në funksion. “Të krijojë kushte, infrastrukturë ligjore më joshëse, në krahasim me vendet që kanë një status të zgjidhur. Nëse pavarësia e Kosovës shpallet njëanshëm nga Kosova, është shumë e rëndësishme se cilat shtete do ta njohin këtë pavarësi. E rëndësishme është edhe ekonomikisht, andaj ne do të kemi nevojë që të na mbështesin institucionet financiare ndërkombëtare, që ta rimëkëmbim ekonominë, por me një interes më të ulët, në mënyrë që kjo të jetë një infuzion për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, thekson Shahini. Nevojën e investimeve të huaja e pohon edhe zoti Limani, i cili thotë se zhvillimi perspektiv i Kosovës duhet të mbështetet në absorbimin e këtyre investimeve, si dhe investimeve nga diaspora shqiptare. Për ta realizuar këtë, sipas tij, Kosova duhet t’i përgatisë politikat e zbatueshme ekonomike, veçmas instrumentet e politikës fiskale dhe politikës kreditore, të cilat duhet të jenë në favor të këtyre investimeve. “Duke u nisur nga garancia për kapitalin e tyre, pra për investime dhe duke u dhënë lehtësime me instrumentet e politikës së tregtisë së jashtme dhe politikës fiskale, të lirohen nga doganat për pajisjet që i sjellin në Kosovë, me rastin e hapjes së vendeve të reja; pastaj, të lirohen nga tatimi në vlerën e shtuar dhe taksat e tjera për një periudhë 3 deri në 5 vjet; të mos ngarkohen me taksa. Dhe, nga aspekti tjetër, politika kreditore të jetë favorizuese për ta”, thotë Limani. Ndërkaq, Agim Shahini shpreh mendimin se zhvillimi i një vendi varet nga zhvillimi i sektorit privat dhe në këtë rast, ekonomia e Kosovës do të varet shumë edhe nga zhvillimi i bizneseve private. “Me një bashkinvestim të huaj dhe me një sigurim për investimet e huaja, Kosova do të jetë një vend që do të ketë sektorë të fortë dhe modernë të biznesit, si dhe do të ketë një qëndrueshmëri ekonomike. Kjo qëndrueshmëri është perspektivë e re e Kosovës. Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të fokusohet pikërisht në problemet ekonomike, në zgjidhjen e papunësisë dhe në futjen në funksion të të rinjve, një potencial që e kanë lakmi krejt vendet evropiane dhe bota”, u shpreh Shahini. Sidoqoftë, sipas ekspertëve të ekonomisë, pas definimit të statusit të Kosovës, qeveria e saj, përveç politikave të drejta zhvillimore, duhet të bëjë edhe politikë të drejtë kadrovike, duke angazhuar ekspertë në nivelin qeveritar, si dhe në subjektet ekonomike, veçanërisht në ndërmarrjet publike, të cilat kryejnë shërbime për popullatën e gjerë.


XS
SM
MD
LG