Ndërlidhjet

RIKTHEHEN REDUKTIMET NË RRYMË


Nadie Ahmeti

Janë rikthyer në Kosovë reduktimet e gjata të furnizimit me energji elektrike. Derisa dje ka dalë nga prodhimi blloku B2 i termocentralit ‘Kosova B’, në orët e hershme të mëngjesit të sotëm ka dalë nga puna edhe njësia B1 e këtij termocentrali, thonë zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës. Syrmije Kika, zëdhënëse në këtë korporatë, pohon se procesi për sanimin e dëmeve tashmë ka filluar. “Departamenti për Menaxhimin e Kapaciteteve ka futur në punë njësinë A4 të termocentralit ‘Kosova A’. Është bërë sinkronizmi në punë i njësisë B2 të termocentralit ‘Kosova B’, që dje ka qenë i dalë nga puna. Gjithashtu, në punë janë edhe njësia A3 dhe hidrocentrali i Ujmanit”, pohon Kika. Ndryshe, për dy muaj me radhë, dy blloqet e termocentralit ‘Kosova B’ kanë qëndruar jashtë prodhimit, për shkak të remontit të planifikuar vjetor, riparimi i të cilëve ka kushtuar 13 milionë euro. Përveç kostos së këtyre riparimeve, KEK-u ka shpenzuar mbi 18 milionë euro import të energjisë elektrike, prej 1 shtatorit deri më 15 tetor, në kohën kur kanë qenë jashtë prodhimit të dy blloqet e këtij termocentrali. Ndërkaq, ekspertë për çështje të energjisë thonë se riparimet jokualitative janë problemi kryesor i mungesës së energjisë elektrike. Jusuf Krasniqi, profesor në Fakultetin Elektroteknik në Universitetin e Prishtinës, pohon se është e paarsyeshme, që menjëherë pas remonteve të ketë rënie të blloqeve të termocentraleve. “Lëshimet janë bërë në remont. Si pasojë e remontit jocilësor, po ndodhin këto punë, sepse është e paarsyeshme që brenda një muaji të rrjedhë përsëri kazani. Do të thotë, nuk janë bërë remontet siç duhet”, thotë Krasniqi. Ai shton se menaxhmenti i KEK-ut duhet të ketë projekte afatgjate për furnizimin stabil me energji, pasi, sipas tij, Korporatën Energjetike të Kosovës po e zë vazhdimisht të papërgatitur ndryshimi i temperaturave. “Në programin e tij vjetor dhe afatmesëm e afatgjatë, duhet t’i ketë zgjidhjet adekuate për defektet eventuale që mund të ndodhin në sistem. Duket se në KEK, sikur korporatat tona që janë për pastrimin e rrugëve, në dimër i befason bora, edhe këta siç duket po i befasojnë prishjet e tilla dhe në momentet kritike nuk janë në gjendje gatishmërie për të reaguar si duhet”, thotë Krasniqi. Ndryshe, ai pohon se mungesa e energjisë elektrike po ndikon drejtpërdrejt në kualitetin e jetës së qytetarëve. Kosovarët, thotë ai, janë lodhur duke u ballafaquar me terrin, me vite të tëra. Dhe, për këtë, Krasniqi potencon se KEK-u duhet të jetë më serioz në periudhën e zgjidhjes së statusit, që të mundohet ta ruajë qetësinë e qytetarëve. “Jam i mendimit se korporata nuk duhet të luajë me këtë popullatë, e cila vërtet është lodhur. Por, shpresojmë se afati i zgjidhjes së statusit po afrohet dhe mandej duhet të mendojnë mirë këta të korporatës dhe të qeverisë, sepse do të ballafaqohen me probleme sociale, jetësore dhe të përgjithshme; e një prej tyre është edhe mungesa e energjisë elektrike”, u shpreh Krasniqi. Në planin afatshkurtër, Syrmije Kika thotë se përmirësimi i gjendjes me energji shpresohet të ndodhë nesër në mëngjes. “Përmirësimi dhe stabilizimi i plotë i gjendjes me energji elektrike pritet nesër në mëngjes, kur pritet të kthehet në punë njësia B1 e termocentralit ‘Kosova B’. Momentalisht, jemi duke importuar nga Shqipëria 100 megavat për orë dhe 39 megavat i kemi nga kontraktorët tanë. Aktualisht, dy blloqet e A-së prodhojnë nga 120 megavat dhe Ujmani 32 megavat. Ndërkaq, B2 dje është sinkronizuar dhe nuk është stabilizuar, kështu që ndryshon prodhimi i tij”, thotë Kika. Ndryshe, gjatë ditës së sotme, qytetarët e kategorisë A, që llogariten se janë konsumatorët e rregullt të pagesës së faturave të energjisë së shpenzuar, sipas zyrtarëve të KEK-ut, 4 orë do të kenë rrymë dhe 2 jo, ndërkaq kategoria B dhe C, 3 orë do të kenë drita dhe 3 orë terr. Por, në realitet, ky orar nuk është duke u zbatuar në tërë territorin e Kosovës, pasi në viset rurale rrymë nuk kanë pasur deri në 8 orë.
XS
SM
MD
LG