Ndërlidhjet

logo-print

POLICIA VENDORE DHE NDËRKOMBËTARE ME PLAN UNIK NË FAZËN E VENDIMIT TË STATUSIT


Zijadin Gashi

Forcat policore në Kosovë do të angazhohen për krijimin e një mjedisi të sigurt gjatë fazës së vendimit për statusin, duke mos u pozicionuar në asnjë formë për këtë apo atë zgjidhje, ka thënë sot komisionari i Policisë së UNMIK-ut, Richard Monk. Gjatë një debati lidhur me sigurinë në Kosovë, në kohën e vendimit për statusin e saj, Monk tha se roli i policisë nuk është që të angazhohet për ndonjë zgjidhje, pasi që kjo i përket politikës. Kurse, në rast se gjendja përshkallëzohet, atëherë komisionari Monk tha se policia do ta ketë mbështetjen e KFOR-it. “Kemi një marrëveshje ndërmjet policisë ndërkombëtare dhe asaj të Kosovës, se ne do ta ndihmojmë njëra-tjetrën. Nëse do të jetë e nevojshme, do ta kemi edhe mbështetjen e KFOR-it”, tha Monk. Po ashtu, edhe zëvendëskomisionari i Shërbimit Policor të Kosovës, Sheremet Ahmeti, tha se forca vendore e policisë është e gatshme për çdo situatë që mund të krijohet. “Në këtë fushë, ne tash jemi të vetëdijshëm se po kalojmë në një fazë mjaft të ndjeshme dhe së bashku me institucionet tjera të sigurisë do të bëjmë çdo gjë, që të gjithë qytetarët e vendit, në çdo pjesë dhe çdo individ të jetë i sigurt. Padyshim, jam i sigurt se kësaj do t’ia dalim së bashku me qytetarët e Kosovës”, u shpreh Ahmeti. Ndërkaq, duke komentuar zhvillimet politike, analisti Shkëlzen Maliqi tha se pavarësia e Kosovës tash do të jetë një zgjidhje e pashmangshme, kështu që, sipas tij, mund të pritet që serbët ta provokojnë sigurinë në Kosovë, pasi që atyre nuk do t’u pëlqente kjo zgjidhje. Duke u ndërlidhur me këtë, analisti për çështje ushtarake nga Beogradi, Millovan Drecun, vlerëson se kërcënimi për sigurinë në Kosovë nuk vjen nga pala serbe, por nga grupet e organizuara shqiptare. Mirëpo, menjëherë pas, analisti Shkëlzen Maliqi ka sqaruar se provokimet mund të ndodhin nga pala serbe, edhe pse jo në masën e ndërhyrjes ushtarake apo policore, pasi që kjo nuk do të lejohet nga KFOR-i. Kosova është një rast i veçantë dhe për sigurinë e saj përkujdeset edhe bashkësia ndërkombëtare, tha Maliqi, duke parë si rrezik vetëm eskalimet e mundshme në pjesë të caktuara, por jo edhe ndonjë rrezik për ndonjë konflikt eventual. “Nëse ka ambicie këtu që të provokohen konflikte, ata nuk mund të nxisin as më herët e as tash ndonjë luftë, apo një konflikt mes serbëve e shqiptarëve, sepse do të konfrontohen me një superfuqi apo superforcë, që është kujdestare e sigurisë në Kosovë (KFOR-in) dhe kjo mendoj se është edhe faktor që limiton Beogradin dhe ushtrinë serbe, sepse e detyron që të merret vetëm me retorikë se ‘kurrë s’do ta lëshojmë Kosovën’ e tjera”, tha Maliqi. Ndërsa në vazhdimësi përgjegjësit për sigurinë në Kosovë thanë se janë të gatshëm të përballen me të priturat dhe të papriturat, që në fushën e sigurisë mund të prodhojë faza e vendimit për statusin, ata nuk patën ndonjë përgjigje se si do të mund të reagonin pjesëtarët serbë në kuadër të Shërbimit Policor të Kosovës, sidomos pas disa thirrjeve që u bëhen nga struktura të caktuara serbe, që në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ata t’i lëshojnë radhët e SHPK-së.
XS
SM
MD
LG