Ndërlidhjet

KOSUMI:”KOHË MË IDEALE PËR SHPALLJE TË PAVARËSISË S’MUND TË KETË”


Bajram KOSUMI, ish-kryeministër i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kosumi, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, tashmë ka marrë raportin e Treshes negociuese për bisedimet shtesë 120 ditëshe, që kanë përfunduar pa marrëveshje. Çka pritni pas shqyrtimit të këtij raporti në Këshillin e Sigurimit të OKB-së?

BAJRAM KOSUMI
Fatmirësisht, ka përfunduar edhe procesi shtesë i negociatave, pra 120 ditëshi shtesë dhe tashmë letrat janë të hapura. Një ndryshim, një dritë të gjelbër përmes Këshillit të Sigurimit, për shkak të qëndrimit të Rusisë, nuk do të ketë. Prandaj, duhet të shkohet me formulën tjetër. Formula tjetër nuk është ashtu siç është propaganduar gjatë tërë kohës, shpallje e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, por do të jetë një bashkëpunim i ngushtë në mes të Kosovës, popullit të Kosovës dhe pjesës më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare për shpalljen e shtetit të Kosovës dhe njohjen e këtij shteti. Kjo do të jetë rruga, në të cilën presim të ecim, ditët e ardhshme dhe javët e ardhshme. Besoj se nuk do të ketë vendim tjetër nga Këshilli i Sigurimit, por do të ketë një marrëveshje paraprake midis Kosovës dhe shteteve të Bashkimit Evropian e SHBA-ve, që Kuvendi i Kosovës ta shpallë pavarësinë e Kosovës dhe kjo pavarësi të njihet prej bashkësisë ndërkombëtare, prej vendeve të BE-së, prej SHBA-ve, prej vendeve fqinje në rajonin tonë dhe të fillojë funksionimi i shtetit të ri të Kosovës. Po ashtu, për të krijuar një stabilitet edhe më të madh dhe më të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon, Qeveria e Kosovës do t’i bëjë ftesë BE-së për një prezencë të caktuar kohore në Kosovë, sipas dokumentit të Ahtisaarit; po ashtu, do të ketë një ftesë edhe për NATO-n, që NATO-ja të qëndrojë në Kosovë në një kohë të caktuar, për ta krijuar sigurinë këtu dhe në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e Bashkimit Evropian në këtë drejtim?

BAJRAM KOSUMI
Tash jam shumë optimist, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së. Ka ndodhur një lëvizje shumë e mirë në BE, një lëvizje pothuajse e papritur për shumë kë. BE-ja ka krijuar unitet dhe kjo ka qenë shumë vështirë të arrihet, por është një fakt i pamohueshëm. BE-ja ka krijuar unitet të plotë, me përjashtim të një shteti, Qipros, për hapat që duhet të ndiqen në Kosovë, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj, si dhe prezencën e BE-së dhe të NATO-s në Kosovë. Kjo është një e arritur e madhe jo veç për Kosovën, por unë e theksoj se çështja e Kosovës ka qenë një test shumë serioz, ndoshta testi më serioz për BE-në dhe BE-ja e ka kaluar këtë test pozitivisht. Rusia, sipas të gjitha gjasave, do ta ketë qëndrimin që e ka proklamuar deri më tash. Mirëpo, përfundimisht, Kosova nuk mund të mbetet peng i qëndrimeve të Rusisë, e as peng i proceseve kontroverse në Serbi. Tash, ekziston një unitet i plotë, i fuqishëm i vendeve të BE-së, i SHBA-ve, e çka është e rëndësishme, edhe i shteteve përreth Kosovës, përveç Serbisë; të gjitha shtetet e Ballkanit janë në të njëjtat valë, që të krijohet shteti i Kosovës dhe të njihet ai. Kështu që Rusia, me qëndrimet e veta, nuk e ka ndihmuar procesin në Kosovë, por nuk mund as ta stopojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në ç’farë rrethanash mendoni se duhet të shpallet pavarësia e Kosovës dhe kur mendoni se duhet të ndërmerret një veprim i tillë?

BAJRAM KOSUMI
Duhet të shpallet në këto rrethana që jemi tash. 10 dhjetori ishte kufiri i fundit i negociatave. Nuk do të ketë më negociata për statusin final të Kosovës. Janë pjekur të gjitha kushtet, edhe faktorët e brendshëm në Kosovë janë të pjekur. Ka vështirësi me komunitetin serb, ka vështirësi në Mitrovicë, por nuk mund të pritet një kohë më ideale për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, se kjo që është tash. Po ashtu, edhe faktorët ndërkombëtarë janë të pjekur, janë në pikën më kulminante për shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kështu që kohë më ideale nuk mund të ketë. Kuvendi i Kosovës duhet ta caktojë datën e saktë se kur do ta bëjë këtë; ndoshta në muajt e parë të vitit 2008 duhet ta bëjë. Sa më shpejt që të jetë e mundur të caktohet data dhe të ndërmerren të gjitha masat e duhura dhe të gjitha përgjegjësitë, që në ditën e parë të shtetit të Kosovës, gjithçka të funksionojë mirë, duke filluar nga çështjet më thelbësore, që janë elementare për jetën e qytetarëve, ushqimi, uji i pijes, energjia elektrike etj. T’i bëjmë të gjitha përgatitjet e duhura këto ditë, që në momentin kur të shpallet shteti i Kosovës, të funksionojë gjithçka mirë. Nuk e injorojmë kërcënimin e Serbisë për bllokadë, duhet ta trajtojmë seriozisht këtë çështje. Mirëpo, Kosova është e fuqishme. Ne kemi mundësi, kemi energji, kemi edhe zgjidhje për t’u zhvilluar dhe për ta përballuar atë bllokadë.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë kësaj jave, partia fituese në zgjedhjet e 17 nëntorit, PDK-ja, ka filluar takimet me partitë politike për formimin e qeverisë së re. Cila do të ishte për ju formula më e mirë qeverisëse?

BAJRAM KOSUMI
Janë dy modele; modeli i parë – Kosova duhet ta ketë një qeveri me bazë më të gjerë, ose të them më mirë, një qeveri që ka një përkrahje më të gjerë në Kuvendin e Kosovës, do të thotë që siguron përafërsisht dy të tretat e votave të Kuvendit, që dy të tretat është e domosdoshme jo për çdo ligj, por për ligjet themelore, siç është për shembull buxheti i Kosovës; për çështjet themelore politike është e domosdoshme. Do të thotë, një qeveri që siguron përafërsisht dy të tretat e Kuvendit të Kosovës dhe me një opozitë – formula e parë. Formula e dytë është një qeveri me një bazë jo shumë të gjerë, me një bazë më të ngushtë, që siguron shumicën e votave, domethënë mbi 61 vota në Kuvendin e Kosovës, por me një opozitë të fortë. Interesi i Kosovës, në këtë moment, është që të ketë një qeverisje me një bazë pak më të gjerë dhe me një opozitë; edhe nëse nuk është shumë e fortë, por me një opozitë gjithsesi. Besoj se ky është interesi i Kosovës. Por, i mbetet zotit Thaçi, që edhe formalisht është mandatuar për kryeministër të Kosovës, që të përcaktohet se cilin variant e dëshiron ai dhe në cilin variant është i gatshëm të punojë. Unë besoj se duhet të mbizotërojë racionaliteti politik. Kosova, në këtë moment, ka nevojë për një qeveri me një bazë më të gjerë, e po ashtu edhe për një opozitë.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI


XS
SM
MD
LG