Ndërlidhjet

logo-print

SERBËT E OSOJANIT TË VENDOSUR TË QËNDROJNË NË KOSOVË


Bekim Bislimi

Banorët serbë të fshatit Osojan të Komunës së Klinës, fshat ky i cili njihet për kthimin e serbëve të zhvendosur, pavarësisht paralajmërimeve se statusi i Kosovës mund të përfundojë me shpallje të njëanshme të pavarësisë, janë të vendosur që të mos largohen nga fshati i tyre. Radoje Kovaçeviq thotë se më së rëndi e përjeton paqartësinë e zhvillimeve lidhur me definimin e statusit politik të Kosovës. “Pritjet dhe ajo pavarësi është më e vështira për këta njerëz këtu. Nuk e dimë se në çfarë gjendje jemi. Këtu janë shumë pak të rinj, nuk ka punë për ta”, thotë Kovaçeviq, duke shtuar se nëse shpallet njëanshëm pavarësia e Kosovës, nuk është i sigurt nëse do të mund të mbijetonte në këtë fshat. Ndërkaq, Milivoje Repanoviq është i bindur se pavarësisht se cili do të jetë statusi politik i Kosovës, ai do të qëndrojë në fshatin e tij, Osojan. “Ne jemi këmbëngulës që edhe më tutje të qëndrojmë këtu. Do të qëndrojmë të fortë, sepse unë nuk do të jem i gatshëm kurrë, që ta shes trashëgiminë që e kam nga të parët”, shprehet Repanoviq. Ndërkaq, Verica Shqepanoviq thotë se është e lidhur emocionalisht me fshatin e saj dhe nuk beson se do të largohet me dëshirë nga ai. “Nuk di çfarë të them, por zemra më thotë që të jetoj këtu. Unë nuk frikësohem, por edhe nuk ka ndonjë vend tjetër që më tërheq që të shkoj të jetoj”, thotë Shqepanoviq. Ndryshe, Radivoje Ostojiq pret më shumë mbështetje nga autoritetet serbe për serbët, që të jetojnë në Kosovë. “Nuk kam ku të ik. Nëse nuk na mbështesin nga Beogradi, nuk na mbetet tjetër përveç se të fundosemi. Nevojitet mbështetje. Është vështirë, por nuk frikësohemi”, thotë Ostojiq. Ndërkaq, Ilija Daçiq thotë se nuk do ta lëshojë fshatin, përveç nëse për këtë bën thirrje Beogradi. “Çfarëdo që të ndodhë apo të shpallet, ne nuk do të shkojmë nga këtu. Ky është shteti ynë. Përndryshe, nëse na thërrasin nga lart, nga Beogradi, atëherë ne do ta lëshojmë këtë vend”, thekson Daçiq.
XS
SM
MD
LG