Ndërlidhjet

THAÇI PREFERON KOALICION DHE JO BASHKËQEVERISJE


Zijadin Gashi

Kosova do të ketë koalicion qeverisës dhe jo bashkëqeverisje, ka thënë sot mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, pas bisedimeve intensive që ka zhvilluar me partitë politike, në përpjekje të arritjes së marrëveshjes për formulën e ardhshme qeverisëse. Ndërsa, jo zyrtarisht, zyrtarë nga PDK-ja kanë pohuar se janë arritur përparime në negociatat ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga mandatari për kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Hashim Thaçi. Kreu i PDK-së tha se ka edhe disa detaje që janë duke u diskutuar, para se ai ta shpallë formulën e Qeverisë së re të Kosovës. “Kanë mbetur edhe disa çështje konkrete, sqaruese, deri në prezantimin e formulës së ardhshme qeverisëse dhe të bartësve të institucioneve të Kosovës. Kosova do të ketë koalicion të mirëfilltë qeverisës dhe jo bashkëqeverisje, Kosova do të ketë pozitë dhe opozitë”, tha Thaçi. Gjatë ditës, ai ka zhvilluar takime nën dyer të mbyllura me kryetarin e LDK-së, Fatmir Sejdiu, si dhe takime me subjektet tjera, LDD-në dhe AAK-në. Sidoqoftë, Thaçi tha se i duhet edhe pak kohë para se të konfirmojë se me cilin subjekt politik do ta shpallë marrëveshjen. “Jemi në fazën përfundimtare të nxjerrjes apo të dhënies së përgjigjes në raport me formimin e institucioneve të ardhshme të Kosovës”, theksoi ai. Jo zyrtarisht, përfaqësues nga PDK-ja dhe LDK-ja kanë pohuar se këto dy parti janë takuar sot, në nivele të ndryshme politike, ku është shtruar edhe çështja e ndarjes së ministrive mes dy partive më të mëdha në Kosovë. Koalicioni i PDK-së me LDK-në dhe pakicat, sipas këtyre burimeve, duket të jetë formula përfundimtare, të cilën mandatari Thaçi do të mundohet ta publikojë në një afat sa më të shpejtë të mundshëm.

XS
SM
MD
LG