Ndërlidhjet

SFIDA NË KOSOVË


“Washington Post”

Ka filluar të duket sikur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të mund t’i bëjnë ballë sfidës në Kosovë, e cila është sinjalizuar nga Rusia gjithnjë e më agresive. Deri para një viti, mendohej se zgjidhja e statusit të Kosovës do të mund të arrihet lehtësisht, por atëherë presidenti rus, Vladimir Putin, vendosi ta shfrytëzojë Kosovën për të ritkthyer fuqinë e Rusisë në Evropë, për ta zhytur Serbinë në sferën e ndikimit të Moskës dhe për ta ndarë mëdysh Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Pas bllokimit që i është bërë miratimit të planit për pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kundërshtimi i Serbisë ndaj pavarësisë u sforcua edhe më shumë dhe si rezultat, edhe Bashkimi Evropian u nda rreth çështjes nëse duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës pa ndonjë veprim të Kombeve të Bashkuara.
Fatmirësisht, lidershipi i zgjedhur i shqiptarëve të Kosovës dhe administrata e presidentit amerikan George Bush u kundërpërgjigjen me durim dhe diplomaci të qetë në adresë të evropianëve të mëdyshur. Tani, duket sikur pjesa më e madhe e bllokut evropian do t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara në mëbshtetje të shpalljes së pavarësisë në fillim të vitit të ardhshëm.
Qeveritë evropiane kanë vendosur t’i ofrojnë Serbisë një rrugë më të përshpejtuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi t’i ketë përmbushur disa kushte të caktuara. Një qasje e këtillë i ofron Serbisë dhe Rusisë zgjedhje thelbësore. Serbia mund të heqë dorë nga Kosova dhe të fillojë përgatitjet për një të ardhme në kuadër të Bashkimit Evropian; ose mund të bëjë përpjekje të destabilizojë shtetin e ri, duke i shkëputur linjat për furnizim me rrymë dhe duke trimëruar rebelimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës. Zoti Putin ndërkaq duhet të vendosë nëse dëshiron të përshkallëzojë mospajtimet me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara duke u kërcënuar me njohjen e pavarësisë së rajoneve pro-ruse në Gjeorgji. Zgjedhjet e gabueshme do të nënkuptonin kthimin e dhunës në Ballkan; dhe në Evropë, krijimin e marrëdhënieve të ngjashme me ato të Luftës së Ftohtë. Por, kjo gjithsesi nuk duhet ta ndalë Perëndimin të bëjë gjënë e duhur për Kosovën.




XS
SM
MD
LG