Ndërlidhjet

BAJRAMI:”KEMI FILLUAR HARTIMIN E AKTIT TË SHPALLJES SË PAVARËSISË SË KOSOVËS”


Arsim BAJRAMI, Partia Demokratike e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bajrami, tani ka mbetur vetëm edhe seanca e Këshillit të Sigurimit, ku do të shqyrtohet raporti i Treshes, para se të shkohet në vendimin për statusin. Andaj, sipas jush, cilat duhet të jenë hapat e parë, që Kuvendi i Kosovës duhet t’i ndërmarrë?

ARSIM BAJRAMI
Fillimisht, mendoj se tani na duhet një politikë shtet-krijuese, një politikë realiste, që do të koordinohet plotësisht me partnerët strategjikë të Kosovës. Çfarëdo akti që do të sjellë Kuvendi i Kosovës, duhet menjëherë ta gëzojë njohjen ndërkombëtare. Ka kaluar koha e akteve për konsum të brendshëm. Tani na duhen akte që do të marrin një lloj miratimi ndërkombëtar. Dhe, siç e dini, akti kryesor me të cilin do të deklarohet pavarësia e Kosovës, është një deklaratë e pavarësisë, që tanimë ka filluar të hartohet, një deklaratë politike me elemente kushtetuese, e cila do ta deklarojë Kosovën si sovrane e të pavarur dhe njëkohësisht do të bëjë thirrje për njohje ndërkombëtare. Deklarata duhet të jetë një tekst plotësisht i balancuar dhe krahas përcaktimit për shtet sovran dhe të pavarur, të shprehë edhe zotimin e Kuvendit të Kosovës për implementimin e plotë të pakos së Ahtisaarit dhe gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për t’i ofruar standardet më të larta për pakica, sidomos për komunitetin serb. Pas kësaj deklarate të pavarësisë, pritet njohja ndërkombëtare e Kosovës dhe pastaj do të fillojë një agjendë legjislative dhe kushtetuese shtet-krijuese. Pra, Kushtetuta e Republikës së Kosovës do të miratohet në një afat sa më të shpejtë, sepse me këtë Kushtetutë do të fillojë zbatimi i pavarësisë së Kosovës dhe do të shënohet një lloj përmbylljeje legale e Rezolutës 1244. Pas Kushtetutës pason agjenda e ligjeve të pakos së Ahtisaarit, që tanimë janë në përgatitje e sipër dhe me këtë do të krijohet korniza kushtetuese dhe ligjore për funksionimin e Kosovës me status të ri, me status të pavarur dhe me çka do të mund të shihen efektet e para të pavarësisë së Kosovës, sepse realiteti i shtetit të Kosovës do të krijohet edhe në pikëpamje legale, edhe në pikëpamje politike.

RADIO EVROPA E LIRË
A krijon ndonjë zbrazëtirë juridike mungesa e një rezolute të re në Këshillin e Sigurimit, sa i përket misionit të ardhshëm civil ndërkombëtar në Kosovë dhe largimit të UNMIK-ut?

ARSIM BAJRAMI
Tanimë ekspertët ndërkombëtarë kanë gjetur mundësinë që misioni i ardhshëm evropian të vendoset edhe mbi bazën e Rezolutës 1244. Ky është një interpretim i zgjeruar i rezolutës, që disa ekspertë vendorë edhe më herët kishin thënë, duke theksuar se rezoluta nuk e ndalon pavarësinë e Kosovës. Unë mendoj se Rezoluta 1244 do ta krijojë bazën legale edhe për vazhdimin e misionit ushtarak në Kosovë në kohë të pacaktuar, njëkohësisht edhe për vendosjen e prezencës civile evropiane. Por, natyrisht, prezenca evropiane do të forcohet edhe mbi bazën e kërkesës së Qeverisë së Kosovës, të kryeministrit dhe të Parlamentit, që në Kosovë të kemi një prezencë evropiane dhe kjo do t’i jepte një legjitimitet të fuqishëm prezencës evropiane, që do të jetë partner i qeverisjes së Kosovës pas pavarësisë dhe e cila në fakt do t’i mundësojë edhe lehtësira Kosovës, sa i përket integrimeve evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët Kushtetutën, ligjet e domosdoshme... Çfarë sistemi juridik pritet të ketë Kosova, si do të rregullohet sistemi shtetëror këtu?

ARSIM BAJRAMI
Ne jemi duke punuar Kushtetutën me vlera evropiane dhe tri janë shtyllat e kësaj Kushtetute; e para, pavarësia e Kosovës; e dyta, një shtet demokratik, një shtet ligjor, një shtet me demokraci kushtetuese, me demokraci parlamentare; e treta, një Kushtetutë me garanci mbievropiane sa i përket komuniteteve. Dhe, në këtë drejtim, po arrijmë një konsensus të plotë me partnerët tanë ndërkombëtarë, që janë të kyçur në procesin e draftimit të Kushtetutës dhe shpresojmë se rreth Kushtetutës do të kemi një konsensus të vendorëve dhe të ndërkombëtarëve, sepse vërtet kjo Kushtetutë do të shërbejë edhe si model rajonal për trajtimin e pakicave. Duke qenë se demokracia jonë është e re, shteti është i ri, ne kemi vendosur mekanizma të kufizimit të pushteteve, balancime të nevojshme kushtetuese midis tre pushteteve, që do të promovojnë një frymë të një demokracie të kontrolluar, një demokraci të bazuar në ndarjen e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe në një gjyqësor të pavarur. Do të thosha se kjo Kushtetutë po i promovon këto vlera dhe po promovon edhe vullnetin e madh të shtetit të ri të Kosovës, që ai në hap dhe në proces t’i demonstrojë kapacitetet e veta qeverisëse.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëkohësisht, përmendët edhe pakon e Ahtisaarit, si bazë për zbatimin e marrëveshjes për statusin e Kosovës. A ka këtu zbrazëtirë juridike, sa mund të jetë pakoja e Ahtisaarit e zbatueshme në Kosovë, pa një miratim paraprak në Këshillin e Sigurimit?

ARSIM BAJRAMI
Pakoja e Ahtisaarit po rikthehet në tavolina ndërkombëtare, në tavolina evropiane. Ju e dini se edhe atëherë kur është larguar nga tavolina, është larguar me kusht, me kusht që të ketë një zgjidhje të Treshes. Duke qenë se Treshja nuk ka gjetur një zgjidhje, atëherë pakoja e Ahtisaarit po aktualizohet. Kuvendi i Kosovës e ka miratuar plotësisht këtë pako. Kjo është ajo që pavarësia jonë bëhet e kushtëzuar, domethënë këto standardet ndërkombëtare që kanë vendosur anekset e Ahtisaarit. Edhe ne gjatë hartimit të Kushtetutës, kemi implementuar plotësisht frymën e pakos së Ahtisaarit. Ekziston edhe një gatishmëri politike e Kuvendit të Kosovës që ta respektojë dhe mendoj se kjo nuk është një hendikep i pavarësisë, por unë e konsideroj si përparësi, sepse ne në start, në themelim të shtetit, duhet t’i promovojmë këto vlera evropiane. Natyrisht, disa zgjidhje kushtetuese janë asimetrike dhe shkojnë përtej standardeve evropiane sa i përket pakicave. Por, duke qenë se jemi një shtet i ri, i dalë nga lufta, neve na duhet të dëshmojmë se do të shohim nga e ardhmja, e më pak nga e kaluara. Pikërisht, edhe Kushtetuta, si një akt i themelimit të shtetit të Kosovës, i përcakton këto zhvillime strategjike të shtetit të Kosovës, që të promovojë një të ardhme ku shteti do të jetë i të gjithëve, të gjithë do të kenë shanse të barabarta dhe shteti nuk do të ndërtohet mbi baza etnike, por më tepër mbi baza civile.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund, sa paraqet sfidë për Kuvendin e Kosovës që ta miratojë këtë pako ligjore, që i duhet në një afat prej 3-4 muajsh, sa është paraparë?

ARSIM BAJRAMI
Kjo është një pako shtet-formuese dhe është një pako rreth së cilës duhet të ketë një unitet të plotë të të gjitha forcave politike. Qeveria që po themelohet do të kërkojë nga të gjitha partitë politike unitet rreth kësaj pakoje dhe mundësisht votim konsensual, sepse ne nuk do të lejojmë zvarritje apo vakuum kushtetues. Unë shpresoj se tre muaj pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, do të miratohet komplet kuadri ligjor dhe kushtetues, në mënyrë që pastaj të fillojë themelimi i institucioneve të reja, sepse Kushtetuta parasheh themelimin e një varg institucioneve të reja, në mënyrë që vërtet Republika e Kosova të bëhet realitet faktik, realitet që vepron në jetën demokratike të Kosovës. Unë mendoj se tre muajt e parë të Kuvendit të Kosovës janë pikërisht agjenda shtet-formuese dhe legjislative. Edhe pse ka prioritete tjera, unë mendoj se fokusimi duhet të jetë pikërisht te këto ligje. Po shpresoj se brenda legjislaturës së ardhshme do të ketë vullnet që të ndërtohet një agjendë mobile e veprimit, një sistem i punës më intensive, sepse dinamika e proceseve politike kërkon që Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të jenë shumë azhure dhe të veprojnë sipas kërkesave që do të parashtrohen në procesin e statusit final të Kosovës.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI
XS
SM
MD
LG