Ndërlidhjet

ANALISTËT: SEANCA E KS-SË S’DO TË SJELLË ZHVILLIME TË REJA PËR STATUSIN


Albana Isufi

Seanca e pasnesërme e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, sipas njohësve të së drejtës ndërkombëtare, nuk do të jetë vendimtare për statusin e Kosovës, e as nuk do të prodhojë zhvillime të reja karshi statusit. Bardhyl Hasanpapaj, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, mendon se kjo seancë do ta përmbyllë rrethin e fundit të negociatave shtesë, por nuk do të sjellë ndonjë zhvillim të ri rreth procesit të statusit. “Në këtë takim të Këshilli të Sigurimit, pritet që edhe njëherë palët t’i konfirmojnë qëndrimet e tyre, por tash para OKB-së, para Këshillit të Sigurimit. Por, nuk pritet që të ketë ndonjë zhvillim edhe aq domethënës, apo edhe zhvendosje të kahut, e aq më pak ndonjë rezolutë apo vendim nga Këshilli i Sigurimit”, thotë Hasanpapaj. Në anën tjetër, ligjëruesi i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Bekim Sejdiu, mendon se e reja në këtë seancë është se zëri i Kosovës do të dëgjohet drejtpërdrejt nga përfaqësuesi i saj. Presidenti Fatmir Sejdiu është lejuar të flasë në Këshillin e Sigurimit, por jo në cilësinë e kryetarit të Kosovës. “Padyshim se është një fakt që duhet të përshëndetet, por nuk duhet t’i jepen dimensione më të mëdha, sesa i ka, pasi që për fat të keq nuk do të flasë në cilësinë e kryetarit të Kosovës. Por, është me rëndësi që atij i jepet e drejta e fjalës dhe ai do të flasë në emër të Kosovës, pra është një diçka që është mjaft pozitive”, tha Sejdiu. Sido që të jetë, këta njohës të së drejtës ndërkombëtare mendojnë se procesi i statusit nuk mund të zgjidhet brenda Këshillit të Sigurimit, për shkak të qëndrimit kundërshtues të Rusisë, si për planin e Ahtisaarit, ashtu edhe për pavarësinë e Kosovës, e cila tashmë duket se ka gjetur mbështetje te shumica e vendeve perëndimore. Në këtë kuadër, Bardhyl Hasanpapaj e sheh si një sinjal shumë domethënës vendimin e Bashkimit Evropian për dërgimin e misionit civil dhe policor në Kosovë. “Përkundër kundërshtimit të Rusisë që të vazhdojnë negociatat, BE-ja gjeti një gjuhë të përbashkët dhe tregoi unitetin e saj për një vendim të tillë, edhe pse duhet theksuar se as kjo në vetvete nuk hap ndonjë rrugë për njohjen, shprehimisht me anë të këtij misioni, të pavarësisë së Kosovës. Por, vetë fakti se po vjen një mision i tillë, është i mirëseardhur për Kosovën, pasi faktikisht është ajo që përfaqësuesit e Kosovës e kanë dëshiruar, apo në një formë e kanë pranuar”, u shpreh Hasanpapaj. Zëra brenda BE-së përmendin pranverën e ardhshme si kohë kur institucionet do të mund ta shpallnin pavarësinë, përkatësisht pasi që të jenë kryer zgjedhjet presidenciale në Serbi. Bekim Sejdiu mendon se e rëndësishme për palën kosovare është përkrahja e sa më shumë shteteve për njohjen e pavarësisë, sesa fokusimi vetëm në datën e pavarësisë. “Kryesorja është që shpallja të njihet nga sa më shumë shtete dhe neve nuk duhet të na bëhen fiksim datat, por duhet të ecim në një proces të sigurt, që çon në realizimin e aspiratave të popullit të Kosovës. Dhe, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë nëse shpallja e pavarësisë nuk do të përkrahet nga një numër i shteteve të rëndësishme, përfshirë SHBA-të dhe 3-4 shtetet kryesore të BE-së, sepse neve do të na duhet përkrahja e faktorit ndërkombëtar, jo vetëm për të na pranuar, por për ta siguruar kohezionin dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Pra, përkrahja ndërkombëtare do të na duhet shumë edhe pas shpalljes, edhe pas njohjes”, theksoi Sejdiu. Liderët shqiptarë, nga shpallja e njëanshme, tashmë kanë nisur ta përdorin më tepër termin shpallje e koordinuar e pavarësisë së Kosovës, që nënkupton se kjo shpallje do të njihet menjëherë nga partnerët ndërkombëtarë. Hë për hë, asnjë lider kosovar nuk ka dhënë datën e shpalljes së pavarësisë.
XS
SM
MD
LG