Ndërlidhjet

KOSOVA NË PRITJE TË SIMBOLEVE SHTETËRORE


Arton Konushevci

Akademikë dhe historianë të Kosovës kanë mendime të ndryshme sa i përket nxjerrjes së simboleve të reja të Kosovës. Megjithatë, ata thonë se nëse shpallet pavarësia e Kosovës, nuk do të këtë problem në nxjerrjen e simboleve. Akademik Ekrem Myrtezai, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, mendon se nuk ka vonesa rreth përgatitjeve për simbolet dhe, sipas tij, i mbetet Kuvendit të Kosovës të vendosë për propozimet. “Siç dihet mirëfilli, çështja e simboleve të një vendi nuk është çështje e një piktori ose kompozitori, por çështje e institucioneve më të larta qeveritare, shtetërore, politike dhe të tjera. Përgatitjet paraprake janë bërë. Parlamenti, ai që shpall pavarësinë, gjithsesi duhet ta marrë vendimin për njërin nga variantet, në bazë të konsensusit, në bazë të rregullores së punës së Parlamentit. Kështu që nëse e jep Zoti dhe bëhet pavarësia e Kosovës, unë jam i bindur se kjo do të ndodhë. Nuk ma merr mendja se ka shumë probleme rreth kësaj, veçse një tubim i një këshilli paraprak të Parlamentit”, tha Myrtezai. Ai shtoi se çështja e simboleve të Kosovës nuk është veç punë e institucioneve të Kosovës, por, siç thotë ai, edhe e atyre ndërkombëtare, që veprojnë në Kosovë. “Veç ekzistojnë variante sa i përket flamurit. Mirëpo, çështja e flamurit, siç e dini edhe ju, edhe të gjithë të tjerët, nuk është vetëm çështje e Kosovës, këtu do të ketë ingerenca edhe bashkësia ndërkombëtare”, pohoi Myrtezai. Nga ana tjetër, Frashër Demaj mendon se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe ata të partive politike, është dashur që deri më tash të kenë një konsensus të përbashkët, sa i përket simboleve shtetërore. “Mendoj se Kosova është dashur që më herët të jetë e përgatitur për t’i pasur simbolet e veta shtetërore. Përgjegjësia politike në këtë rast bie mbi institucionet e Kosovës, përfaqësuesit e partive politike dhe të këtyre institucioneve, që, në njëfarë mënyre, kanë qenë jo shumë vigjilentë, në kuptimin e asaj që është dashur shumë më parë të përgatiten simbolet shtetërore, meqenëse institucionet politike të Kosovës kanë kërkuar prej kohësh të njihet pavarësia e Kosovës nga subjektet ndërkombëtare. Edhe institucionet e Kosovës, edhe Kosova në përgjithësi, është dashur që paraprakisht t’i kenë të përfunduara këto punë”, tha Demaj. Ai ka vlerësuar se jo vetëm Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës duhet të angazhohen rreth kësaj çështjeje, por, sipas tij, edhe institucionet e tjera profesionale është dashur që të japin një ndihmesë në realizimin e këtyre pretendimeve që ka populli i Kosovës. Sipas Frashër Demajt, nga Instituti i Historisë së Kosovës, Kosova dominohet me 90 për qind të popullsisë shqiptare dhe në bazë të asaj duhet të nxirren simbolet. “Duhet të kihet parasysh historia, trashëgimia kulturore, kultura etj. Të gjitha këto duhet të përmblidhen në ato ngjyra të flamurit, p.sh, sipas rregullave duhet të jetë trengjyrësh. Mirëpo, kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se duhet të përjashtohen popujt tjerë, në këtë rast minoritet, por edhe minoritet duhet ta japin kontributin e tyre; duke dhënë kontributin e tyre, duhet ta respektojnë popullsinë shumicë në Kosovë”, u shpreh Demaj. Kohë më parë, anëtarët e grupit punues për simbole kanë thënë se pengesa në përzgjedhjen e simboleve qëndron te moszgjidhja e statusit të Kosovës dhe mungesa e Kushtetutës.


XS
SM
MD
LG