Ndërlidhjet

KOSOVARËT PRESIN QË KS-JA TA KONKLUDOJË PËRFUNDIMIN E NEGOCIATAVE


Zijadin Gashi

Përfaqësuesit politikë kosovarë presin që seanca e nesërme e Këshillit të Sigurimit, ku do të shqyrtohet raporti i Treshes ndërkombëtare, të sjellë si rezultat konkludimin e përfundimit të negociatave për statusin e Kosovës. Kosovarët nuk presin ndonjë vendim apo lëvizje të madhe në procesin e statusit, por një formë debati, ku do të pasqyrohen si pikëpamjet e Treshes, ashtu edhe të Prishtinës e Beogradit, si dhe të ambasadorëve të vendeve anëtare. Alush Gashi, zyrtar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se ky takim paraqet një moment të posaçëm, ngase atje do të dëgjohet pozicioni i Kosovës, që do të prezantohet nga presidentit Fatmir Sejdiu. “Takimi është i një rëndësie të posaçme, sepse e përmbyll tërë procesin negociator, i cili është zhvilluar në Kosovë, në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbi të gjitha nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara”, vlerëson Gashi. Ai thotë në vazhdim se seanca e 19 dhjetorit duhet të pasohet edhe me vendimet e institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tij, tanimë nuk janë vetëm në realizimin e qëllimeve për deklarimin e pavarësisë. “Kosova nuk është vetëm dhe Kosova e ka një prej të arriturave më të mëdha në historinë e vet, e ka demonstrimin e fuqishëm publik të Aleancës Veri-atlantike dhe të botës së lirë për këtë proces. Andaj, ne presim që menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe institucioneve që dalin nga zgjedhjet e lira demokratike, që i kishim ditë më parë, që pavarësinë e vendit tonë gradualisht ta njohë bota e lirë”, tha Gashi. Ndërkohë, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bajram Kosumi, fillimisht rikujton dështimin e Këshillit të Sigurimit, që ta miratojë pakon e Ahtisaarit dhe nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën. Bazuar në këtë përvojë, Kosumi thotë se nuk pritet që Rusia, si bllokuese e nxjerrjes së këtyre akteve, ta ndryshojë qëndrimin e vet. Andaj, sipas Kosumit, tash do të ishte me rëndësi që Këshilli i Sigurimit të paktën ta konkludojë përfundimin e procesit të negociatave. “Ajo që presim dhe do të duhej të ndodhte është që së paku Këshilli i Sigurimit ta vulosë përfundimin e bisedimeve për statusin final të Kosovës, në mënyrë që me këtë vendim të hapen dyert për veprimet e tjera. E se çfarë do të ndodhë me veprimet e tjera, varet në radhë të parë nga klasa politike e Kosovës”, tha Kosumi. Duke njohur edhe rolin që qendrat vendimmarrëse ndërkombëtare do ta kenë në procesin e finalizimit të statusit, Bajram Kosumi thotë po ashtu se Kuvendi i ri, sapo që të konstituohet, duhet të tregojë vendosmëri dhe ta marrë hapin tjetër, atë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Ajo çka do të duhej të bënte Kuvendi i Kosovës është që të ecë drejt shpalljes së pavarësisë në Kuvendin e Kosovës, për t’i marrë përgjegjësitë si shtet, si qeveri e një shteti, edhe për t’i marrë përgjegjësitë për qytetarët e Kosovës, por edhe për shtetet tjera, qoftë të rajonit apo më gjerë dhe pastaj të kërkohet njohja ndërkombëtare e këtij shteti”, vlerëson Kosumi. Ndërkaq, përfaqësuesit serbë besojnë se takimi i nesërm në Këshillin e Sigurimit nuk do të sjellë asgjë të re në procesin e statusit. Kreu i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq, thotë se në Nju Jork vetëm do të ketë përsëritje të qëndrimeve të mëparshme. “Mendoj se do të paraqitet një raporti i Treshes, që do të prezantohet nga ambasadori Ischinger, edhe pse nuk e përjashtoj mundësinë që pikëpamjet e veta t’i prezantojnë edhe ambasadori amerikan, Frank Wisner, dhe ai rus, Kharchenko”, tha Ivanoviq. Në përgjithësi, Ivanoviq pret që kjo seancë të jetë, siç tha ai, monotone dhe pa rezultate. Sidoqoftë, përfaqësuesit e partive shumicë besojnë se menjëherë pas formimit të institucioneve të reja, Kuvendin e Kosovës e pret vendimi për shpalljen e pavarësisë, kërkesa për njohjen e shtetit të Kosovës, si dhe duke u bazuar në pakon e Ahtisaarit, thirrja që institucionet duhet t’i bëjnë misionit civil evropian dhe NATO-s për praninë e tyre në Kosovë.

XS
SM
MD
LG