Ndërlidhjet

logo-print

MITROVICË: SERBËT PROTESTOJNË KUNDËR PAVARËSISË DHE MISIONIT TË BE-SË


Albana Isufi

Një ditë para takimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilin do të diskutohet raporti i Treshes ndërkombëtare mbi procesin negociator për statusin e Kosovës, serbët kanë protestuar kundër pavarësisë së Kosovës dhe për mbetjen e Kosovës në Serbi. Kryetari i Asociacionit të komunave serbe, Marko Jakshiq, ka porositur nga veriu i Mitrovicës se serbët e shohin veten si qytetarë të Serbisë, ndërsa Kosovën si pjesë të shtetit serb. “Protesta e sotme i ka së paku dy arsye; e para është që t’i japim përkrahje delegacionit tonë me në krye kryeministrin Koshtunica, që t’i mbrojë interesat tona në Nju Jork, ndërsa arsyeja e dytë është që ta dërgojmë porosinë se misioni i Bashkimit Evropian, pa një rezolutë të OKB-së, nuk është i mirëseardhur në Kosovë”, tha Jakshiq, duke iu referuar vendimit të para disa ditëve të BE-së, për dërgimin e një misioni civil dhe policor në Kosovë. Protesta e sotme në veri është organizuar nga Këshilli Nacional Serb. Kryetari i këtij këshilli për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, deklaroi se Kosova është çështja më e rëndësishme e integritetit serb. “Kosova është djep i Serbisë, Kosova është baza e themelit të shtetit serb, pa Kosovë nuk ka shtet serb, pa Kosovë s’ka popull serb. Dhe, për këtë arsye, Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë”, tha Milan Ivanoviq para protestuesve, numri i të cilëve, sipas Shërbimit Policor të Kosovës, nuk ka kaluar 2 mijëshen. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës në Mitrovicë, Sami Mehmeti, njoftoi se protesta e komunitetit serb, që përbën shumicën në pjesën veriore të qytetit, ka kaluar pa incidente. “Protesta e paralajmëruar është mbajtur në orën 12, në sheshin ‘Shumadia’, në pjesën veriore të qytetit, ku kanë marrë pjesë afërisht 2 mijë njerëz. Protesta ka qenë e qetë dhe ka kaluar pa probleme. Në orën 13 e 30 protestuesit janë shpërndarë”, bëri të ditur Mehmeti. Në protestën e sotme, edhe pse ishte paralajmëruar, nuk ka marrë pjesë sekretari shtetëror për Kosovën, Dushan Prorokoviq. Ndryshe, Qeveria serbe ka intensifikuar aktivitetet e saj në rajonet e banuara me shumicë serbe. Javën e kaluar, ministri për Kosovën, Slobodan Samarxhiq, hapi një zyrë në Mitrovicë, veprim ky që u kundërshtua ashpër nga UNMIK-u dhe u quajt provokim dhe akt i paligjshëm. Analistët parashohin se në ditët në vijim, Serbia do t’i rrisë provokimet, me qëllim që ta destabilizojë situatën e sigurisë në Kosovë dhe të kontribuojë në zvarritjen e zgjidhjes së statusit.
XS
SM
MD
LG