Ndërlidhjet

SERBIA DËMTON MË SHUMË VETEN SE KOSOVËN ME SANKSIONE EKONOMIKE


Arton Konushevci

Mbyllja e pikave kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do t’i shkaktojë kurrfarë humbjeje ekonomike Kosovës, por prodhuesit në Serbi do ta humbin shumën prej 200 milionë eurosh në vit. Është kjo një analizë e Institutit për Studime të Avancuara, GAP, që e ka prezantuar pas kërcënimeve për mbyllje të kufijve, që Qeveria e Serbisë i ka bërë Kosovës, në rast të shpalljes së pavarësisë. Shpend Ahmeti, drejtor i Institutit për Studime të Avancuara GAP, u ka sugjeruar institucioneve të Kosovës që t'i kenë të gatshme politikat për veprim. "Humbësit më të mëdhenj nga mbyllja e kufirit potencial do të jenë prodhuesit serbë. Te ne mund të shkaktohet një ndërprerje e zinxhirëve furnizues në aspektin afatshkurtër, mirëpo në aspektin afatgjatë nuk do të kemi kurrfarë problemi. Në aspektin afatshkurtër mund të ketë ndonjë ngritje eventuale të vogël të çmimeve, mirëpo ajo ngritje vjen nga paniku i shkaktuar nga popullata, se nuk e kemi atë furnizim. Prandaj, ne dëshirojmë t’i themi edhe publikut, edhe Ekipit të Unitetit, edhe Qeverisë, se nuk ka hapësirë për panik. Mirëpo, prapëseprapë, këto gjëra duhet të planifikohen, në mënyrë që në rast të mbylljes së kufirit apo të mbylljes më gjatë se dy-tre muaj, t’i kemi politikat e gatshme, të reagojmë ndaj Qeverisë serbe dhe t’i themi se kurrfarë problemi nuk mund të na shkaktojë", tha Ahmeti. Megjithatë, ai shtoi se produktet më të mëdha që vijnë nga Serbia janë ato të qeramikës, drithërat dhe produktet farmaceutike, që, sipas tij, mund të zëvendësohen nga shtetet tjera, me të cilat lidhet Kosova. Ahmeti tha se tashmë disa kompani kanë filluar kontaktet me shtetet tjera sa i përket furnizimeve dhe, siç tha ai, nuk ka nevojë për kurrfarë paniku. "Në bisedë me importuesit e grurit kemi parë se ata tashmë kanë filluar të importojnë nga shtetet tjera. Domethënë, janë kontraktuar sasi të ndryshme të grurit që të vijnë nga shtetet tjera, sepse importuesit po përgatiten për këtë gjë. Në rast të bllokadës, nuk do të ketë kurrfarë problemi”, theksoi Ahmeti. Nga ana tjetër, Ardian Jashari, zyrtar i Shërbimit Doganor të Kosovës, tha se nëse do të ketë mbyllje të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të rriten masat e kontrollit dhe nuk do të lejohet futja e mallrave në rrugë ilegale. Ai tha se Shërbimi Doganor tashmë ka përgatitur strategjinë e veprimit. "Shërbimi Doganor është një institucion, i cili, vazhdimisht, prej informatave në terren, ndërton edhe politiken e tij të reagimit të shpejtë. Kështu që në rast se eventualisht bëhet mbyllja e kufirit, aplikohet bllokada e paralajmërimit nga shteti serb ndaj Kosovës dhe atëherë Shërbimi Doganor e ka të përgatitur planin operacional. Ne kemi njësi të specializuara, të cilat janë anti-kontrabandë. Nëse ndodh eventualisht bllokimi, atëherë do të rritet volumi nga pikat e tjera doganore, që është Hani i Elezit, Peja, Aeroporti, në mënyrë që të mos kemi ngecje të eksportit dhe importit”, tha Jashari. Serbia dhe Kosova kanë tri pika kufitare për qarkullim të njerëzve dhe mallrave. Një nga këto pika kufitare është në veri të Mitrovicës, tjetra në veri të Podujevës dhe një afër Gjilanit.
XS
SM
MD
LG