Ndërlidhjet

KAPACITETET MAKSIMALE TË KEK-ut 670 MGW, KËRKESA 1000 MGW...!


Nadie AHMETI, Prishtinë



Mungesa e kapaciteteve prodhuese në termocentrale dhe kërkesat e mëdha të konsumatorëve për energji, janë faktorët kryesorë të mungesës së energjisë elektrike, thonë udhëheqës të Ministrisë së Energjisë. Korporata Energjetike e Kosovës ka kapacitet të prodhojë vetëm 670 megavat orë energji, ndërkaq, kërkesat, për shkak të temperaturave të ulëta, kanë arritur në rreth 1000 megavat orë energji, thotë ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, duke shtuar se për këtë nevojiten edhe 300 megavat të tjera orë energji elektrike dhe kjo është e pamundur të arrihet pa import shtesë të energjisë.
“Këto janë kapacitetet që gjenerojnë në maksimum. Jemi duke furnizuar edhe kategoritë që nuk e paguajnë fare energjinë, për shkaqe humane. Prandaj, këtu nuk kemi të bëjmë në asnjë çast dhe në asnjë moment me mungesën e vakuumit institucional, por kemi të bëjmë me kapacitetet dhe aftësitë gjeneruese të Kosovës“, tha ministri Çeku. Termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës janë shumë të vjetra dhe nuk mundësojnë kapacitet më të madh të prodhimit, thotë Shefqet Avdiu, këshilltar në Divizionin e Gjenerimit në këtë korporatë. Ai thotë se blloku i parë i termocentralit ‘Kosova A’ është ndërtuar në vitin 1962, ndërkaq blloku i pestë ka arritur të përfundojë në vitin 1975, por, aktualisht, në prodhim është vetëm një bllok i këtij termocentrali. Avdiu thotë se pas përfundimit të luftës ka pasur investime të shumta në riparimin e këtyre termocentraleve, por, sipas tij, për shkak të vjetërsisë së tyre, këto termocentrale nuk arrijnë që vazhdimisht të prodhojnë energji me ngarkesë të madhe. “Rreth 250 milionë euro janë investuar vetëm në termocentralin ‘Kosova B’. ‘Kosova B’, blloku i parë në vitin 1983, ndërkaq i dyti 1984. Edhe ato blloqe gjatë 10 vjetësh, prej 1990-1999, kanë qenë të eksploatuara me një mirëmbajtje shumë të keqe. Pas këtyre riparimeve, blloqet në ‘Kosova B’ e kanë një jetë në kohëzgjatje deri më 2024. Në ndërkohë, duhen edhe investime tjera për ta rritur efikasitetin, apo për t’i mbërritur kriteriumet e Unionit Evropian, sa i përket ambientit”, u shpreh Avdiu.
"Është e vërtetë se termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës u ka skaduar afati, pasi jetëgjatësia e tyre është deri në 30 vjet", thotë Jusuf Krasniqi, profesor në Fakultetin Elektroteknik në Universitetin e Prishtinës. Megjithatë, ai pohon se problem në këtë kuadër është edhe mungesa e planeve afatgjate nga strukturat qeverisëse dhe keqmenaxhimi në Korporatën Energjetike. “Unë kujtoj se ka plane, por në qoftë se ato plane janë bërë dhe nuk realizohen, nuk mund të quhen plane. Përgatitja duhet të jetë adekuate me sfidat që ndeshën në këtë rajon, sepse mund të vijnë temperaturat deri në -25 gradë, ndërkaq verës deri në 40 gradë; të gjitha këto duhet të parashihen”, theksoi Krasniqi. Ndërkaq, Shefqet Avdiu pohon se në çdo fundvit, menaxhmenti i KEK-ut përgatit plane afatgjate, duke parashikuar madje edhe avaritë e mundshme. “KEK-u aprovon planet e biznesit dhe planet e prodhimit në fund të vitit, që atëherë planifikohen daljet dhe riparimet. Tjetër është problemi se KEK-u nuk ka mundësi të blejë energji elektrike, përveç aq sa kanë qenë mjetet e parapara, të cilat tashmë janë shpenzuar“, tha Avdiu. Edhe ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku, thotë se Korporata Energjetike nuk ka mjete materiale për të blerë energji plotësuese. Ndërkaq, mjete materiale nga qeveria nuk mund të huazojmë, për shkak se tashmë është mbyllur çështja buxhetore dhe është aprovuar buxheti për vitin e ardhshëm. Çeku thotë se problem të madh në këtë kuadër paraqet edhe mospagesa e faturave të rrymës së shpenzuar. Sipas tij, vetëm 38 për qind e konsumatorëve e paguajnë rrymën e shpenzuar. “Problemi qëndron edhe te mospagesa e energjisë elektrike. Kemi një numër shumë të madh të qytetarëve, të cilët nuk janë të gatshëm, edhe pse bëjnë shpenzime enorme, ta bëjnë pagesën e energjisë së shpenzuar“, tha ministri Çeku.
XS
SM
MD
LG