Ndërlidhjet

LAJÇI:”SHPALLJA E PAVARËSISË SË KOSOVËS – RRUGË NJËDREJTIMËSHE”


Driton LAJÇI, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lajçi, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të diskutohet për Kosovën. Cilat janë pritjet e juaja nga ky takim?

DRITON LAJÇI
Në radhë të parë, është me rëndësi që përfaqësues të institucioneve të Kosovës do ta marrin fjalën dhe do t’i prezantojnë qëndrimet e veta lidhur me statusin final të Kosovës. Edhe pse takimi është i natyrës private, është mjaft i rëndësishëm, sepse për herë të parë do të dëgjohet zëri i përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës. Është shumë i rëndësishëm për faktin se anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit do të dëgjojnë nga dora e parë për qëndrimet e tyre dhe natyrisht, mbi bazën e atyre prezantimeve, edhe ta palës serbe, edhe asaj të Kosovës. Nëse vjen deri te ndonjë deklaratë apo ndonjë akt eventual, atëherë formulimi i atij akti do ta marrë parasysh edhe prezantimin e pjesëmarrësve të sotëm në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit. Unë nuk pres ndonjë mrekulli prej këtij takimi, pres vetëm që palët do të dëgjohen në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa shtete të Bashkimit Evropian, siç duket, ende nuk kanë një qëndrim të qartë sa i përket zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ju, si e shihni rolin e BE-së?

DRITON LAJÇI
Në Bashkimin Evropian, marrë parasysh të kaluarën e afërt, me dallimet e mëdha që ka pasur, megjithatë ekziston një unitet i brishtë në mesin e tyre. Duket se ky unitet është si rezultat apo si pasojë e betonimit rus, kundruall zgjidhjes së statusit final të Kosovës. Me dallime të vogla, pres një unifikim dhe qëndrim të përbashkët të Bashkimit Evropian, sa i përket çështjes së Kosovës, sidomos me situatën e krijuar në Këshillin e Sigurimit, ku, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ketë kompromis, nuk do të ketë konsensus mes anëtarëve të përhershëm dhe Brukseli do të jetë ai që do të vendosë për hapat e ardhshëm të statusit të Kosovës. Në radhë të parë, janë aleatët historikë, tradicionalë, kulturorë të Rusisë; e dyta, janë disa shtete që kanë probleme të brendshme dhe i vlerësojnë si të ngjashme dhe mund të krijohet precedenti, tradita dhe nëpër vendet e tyre mund të ketë reflektime; disa popuj që ekzistojnë brenda atyre shteteve mund të kërkojnë shpallje të shtetit apo pavarësi eventuale. Këto janë dy arsyet kryesore që dominojnë, që ato shtete që kundërshtojnë, Qiproja, Greqia, deri diku Sllovakia, janë duke kundërshtuar unifikimin e plotë të Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur mendoni se duhet të shpallet pavarësia e Kosovës, në cilin muaj të 2008-ës?

DRITON LAJÇI
Për datat historike nuk mund të flasim, as për muaj, as për ditë. Datat historike dalin si rezultat i zhvillimeve në kohë dhe në hapësirë. Kurdo që të piqen kushtet, atëherë do të ndodhë edhe lindja e shtetit më të ri në Ballkan, Kosovës. Nuk mund të flasim për datë, as për ditë, as për muaj. Mirëpo, populli i Kosovës duhet që sa më shpejt që të jetë e mundur t’i pjekë ato kushte, ta kuptojë momentin, t’i kuptojë sinjalet që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare dhe ta shpallë shtetin e Kosovës. Për mendimin tim, është rrugë njëdrejtimëshe, nuk ka alternativë dhe kjo është si pasojë e qëndrimit të betonuar të Rusisë dhe natyrisht e qëndrimit permanent të Serbisë anti Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka kaluar më shumë se një muaj që kur u mbajtën zgjedhjet në Kosovë dhe ende nuk po shihet të ketë një përafrim qëndrimesh për formimin e koalicioneve. A mendoni se do të ketë vakuum institucional?

DRITON LAJÇI
Gradualisht po hyjmë në atë që quhet zhargitje e krijimit të institucioneve të reja dhe kjo është si pasojë e mungesës së blloqeve demokratike në Kosovë, mungesë e profilizimit të qartë të partive politike dhe janë vënë në pah, në rend të parë, preferencat personale dhe formula të fitojë sa më shumë që është e mundur prej partnerit të koalicionit. Këto kritere që përmenda nuk janë afër njëra-tjetrës, prandaj, gradualisht, duket se po hyjmë në një krizë të krijimit të institucioneve të reja të Kosovës. Sipas të gjitha gjasave, kjo është duke u shtyrë për fillimin e vitit 2008. Ky është test për lidershipin politik të Kosovës dhe është mirë që prezenca ndërkombëtare në Kosovë nuk është duke ndërhyrë shumë. Është mirë që është duke e lënë që vetë lidershipi i Kosovës ta gjejë formulën e formimit të koalicionit. Mirëpo, gjasat janë që do të ketë vakuum institucional dhe kjo e dëmton tash për tash Kosovën, sepse Kosova veç po hyn në fazën finale të përcaktimit të statusit dhe nuk do të duhej që vonesa e krijimit të këtyre institucioneve të jetë pengesë.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG