Ndërlidhjet

logo-print

FORMIMI I QEVERISË SË RE PRET KTHIMIN E THAÇIT E TË SEJDIUT NGA NJU JORKU


Zijadin Gashi

Negociatat për formimin e Qeverisë së re të Kosovës presin kthimin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentit të Kosovës, përkatësisht kryetarit të LDK-së, Fatmir Sejdiu, nga Nju Jorku. Zyrtarë nga këto dy parti politike besojnë se Hashim Thaçi e Fatmir Sejdiu do ta kenë rastin që përveç takimeve në nivele ndërkombëtare lidhur me statusin, gjatë qëndrimit të tyre në Nju Jork, të bisedojnë edhe për koalicionin e ardhshëm. Mandatari për formimin e Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, u ka dorëzuar parimet e tij të gjitha partive relevante politike, ndërkaq është vërejtur një afërsi më e madhe me LDK-në. Zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se formimi i qeverisë si dhe konstituimi i institucioneve të reja pritet të dinamizohet sapo që Thaçi e Sejdiu të kthehen në Prishtinë. “Ne jemi në bashkëbisedime intensive me subjektet politike dhe këto gjatë gjithë kohës kanë qenë publike. Ndërkohë që tani kryetari i PDK-së dhe mandatari i qeverisë, zoti Thaçi, është në Nju Jork, e atje është edhe presidenti, përkatësisht kryetari i LDK-së, Sejdiu, dhe besojmë se këtë periudhë kohore do ta shfrytëzojnë edhe për të diskutuar për koalicionin e mundshëm. Ne presim që me kthimin e kryetarit Thaçi të qartësohen pozicionet dhe menjëherë të fillohet me ndërtimin e institucioneve të reja”, tha Çitaku. Ajo tha se beson që institucionet e reja do të formohen brenda këtij viti. Afati ligjor për konstituimin e Kuvendit skadon më 5 janar, ndërkaq lidhur me formimin e qeverisë, nuk ka një afat të caktuar. Në anën tjetër, edhe sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj, thotë se bisedimet me PDK-në mund të prodhojnë rezultate, vetëm pasi që Sejdiu dhe Thaçi të kthehen nga Nju Jorku. “Lidhja Demokratike e Kosovës i ka filluar negociatat me Partinë Demokratike të Kosovës. Kanë qenë dy takime në nivel të lartë dhe kanë qenë takime fillestare, ku janë diskutuar çështjet parimore. Bisedimet do të vazhdojnë, nuk ka pozicionime ende pro as kundër dhe nuk ka hapje të ofertës nga palët në negociata. Pas kthimit të presidentit të vendit dhe mandatarit për formimin e qeverisë, kjo çështje sigurisht se do ta marrë epilogun e saj brenda javës së ardhshme”, theksoi Manaj. Pas dy raundeve të bisedimeve që mandatari Thaçi ka zhvilluar me partitë politike, kanë dalë si opsione disa formula të mundshme qeverisëse. E para, ajo ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. Ndërkaq, formulat tjera kanë të bëjnë me bashkëqeverisjen. Si formula të mundshme janë përmendur koalicioni i PDK-së me LDK-në dhe AKR-në, por ishte LDK-ja ajo, e cila e ka kundërshtuar këtë formulë, duke propozuar që partneri i tretë qeverisës të jetë AAK-ja. Sidoqoftë, negociatat janë në vazhdim e sipër dhe nëse të gjitha këto formula dështojnë, atëherë si formulë rezervë përmendet koalicioni i PDK-së me AKR-në dhe LDD-në. Në të gjitha kombinimet, pakicat llogariten pjesë e koalicioneve, pasi që kjo e drejtë atyre u garantohet edhe me kornizën kushtetuese.
XS
SM
MD
LG