Ndërlidhjet

EKSPERTËT: AS PAVARËSIA E AS MISIONI I BE-SË NË KOSOVË NUK BIEN NDESH ME REZOLUTËN 1244


Albana Isufi

Rezoluta 1244, me të cilën administrohet Kosova, sipas juristëve kosovarë, nuk paraqet pengesë në zgjidhjen e statusit të Kosovës, meqë edhe pa shfuqizimin e saj institucionet e Kosovës mund të përcaktohen për statusin politik. Ruajtja e sovranitetit territorial të RFJ-së, që përmendet në preambulën e Rezolutës 1244, shihet nga shumë si një ndër problemet që do ta pengojë zgjidhjen e statusit të Kosovës, përkatësisht shpalljen e pavarësisë. Por, eksperti ligjor, Sabri Kiçmari, mendon se ky fakt në të vërtetë nuk pengon veprimet e institucioneve të Kosovës. “Një prej problemeve që aktualisht diskutohet në qarqet ndërkombëtare ka të bëjë me një precizim me preambulën e Rezolutës 1244, për ruajtjen e sovranitetit të ish-RFJ-së, por ky precizim është vetëm në preambulë. Dhe, precizimet normative në preambula nuk janë pjesë e obligimit normativ të veprimeve praktike politike. Prandaj, edhe mbi bazë të Rezolutës 1244 ka hapësirë të mjaftueshme, aty thirret hapur për një zgjidhje të çështjes së Kosovës, andaj ka hapësirë të mjaftueshme për ta shpallur një gjendje të re statusore, në këtë rast pavarësinë e Kosovës, duke mos rënë ndesh me formulimet që janë në rezolutë”, tha Kiçmari. Në anën tjetër, profesori në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, Riza Smaka, konsideron se përmendja e ish-RFJ-së në preambulën e Rezolutës 1244 paraqet një rrethanë lehtësuese për institucionet e Kosovës, që ta shpallin pavarësinë. “Jugosllavia e tretë nuk ekziston, ajo është shpartalluar me disolucion, ajo ka përfunduar definitivisht me daljen e Malit të Zi nga Serbia dhe kjo përmendje është një rrethanë lehtësuese, edhe favorizuese për Kosovën, sepse në rezolutën e KS-së të OKB-së për Kosovën nuk thuhet se Kosova trajtohet në kuadër të integritetit të shtetit serb, por të Jugosllavisë, e Jugosllavia është shpartalluar. Kështu që çështja e Kosovës është çështje e hapur, prandaj edhe në këtë aspekt nuk mund të trajtohet si pjesë e shteti serb”, u shpreh Smaka. Nxjerrja e një rezolute të re për statusin e Kosovës, duke u bazuar në pakon e Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur, qe iniciuar në muajt e verës nga amerikano-evropianët, por kundërshtimi i vazhdueshëm rus kishte bërë të pamundur që të miratohej një rezolutë e tillë në Këshillin e Sigurimit. Megjithatë, eksperti i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, mendon se edhe nën Rezolutën 1244 është e mundur shpallja e pavarësisë së Kosovës. “Nëse analizohet i tërë koncepti i kësaj rezolute, në të vërtetë kjo rezolutë e pretendon statusin final, që do të jetë pavarësia e Kosovës. Kështu që juristët ndërkombëtarë e vendorë, që e njohin mirë ligjin, mund ta interpretojnë në atë mënyrë rezolutën, që rezoluta në fakt e synon statusin final dhe e synon një mbyllje të saj përmes statusit final. Kështu që unë mendoj se nuk është domosdoshmërish e nevojshme që të kemi një rezolutë të re të KS-së, për ta promovuar shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës dhe se rezoluta e le derën hapur që institucionet e Kosovës ta deklarojnë pozicionin e ri kushtetues të Kosovës, sovranitetin dhe pavarësinë, dhe pastaj, sipas praktikave ndërkombëtare, të bëhet njohja e tyre”, tha Bajrami. Ndërkaq, Kiçmari thotë se ka shumë elemente brenda Rezolutës 1244, që japin sinjale për një Kosovë të pavarur. “Ju e dini se në rezolutë janë edhe një numër formulimesh, që në mënyrë të drejtpërdrejtë akuzojnë Serbinë për mosangazhim, për shkelje të të drejtave të njeriut, për akte kriminale. Janë një numër elementesh brenda rezolutës, që në mënyrë indirekte japin sinjale se Kosova në të ardhmen duhet të bëhet shtet i pavarur. Prandaj, hapësira është e mjaftueshme e edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Parlamenti i Kosovës nuk do të binte ndesh me Rezolutën 12 44”, tha Kiçmari. Ndryshe, Bashkimi Evropian ka vendosur që të dërgojë një mision policor dhe civil, të përbërë nga 1800 oficerë, gjykatës e prokurorë në Kosovë, mision ky, që, sipas planit të Ahtisaarit, do të duhej ta zëvendësonte UNMIK-un. Zyrtarët serbë e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke e quajtur si të paligjshëm. Sabri Kiçmari konsideron se është Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ai që mund të marrë vendime për sjelljen e misioneve të tilla në Kosovë, edhe nëse për këtë nuk ka miratimin rus në Këshillin e Sigurimit. “Edhe në Rezolutën 1244 është i ngarkuar sekretari i OKB-së, Ban Ki Moon, që të krijojë misione të veçanta, të cilat do t’i ndihmojnë institucionet vetëqeverisëse në Kosovë, që të përsosin qeverisjen dhe detyrën në të ardhmen. Domethënë, mbi këtë bazë, vendimi i BE-së për të dërguar misionin në Kosovë është në kuadrin e këtyre planifikimeve, që janë precizuar normativisht edhe në Rezolutën 1244”, theksoi Kiçmari. Sidoqoftë, juristët kosovarë thonë se pavarësisht rezultatit të sotëm të seancës së Këshillit të Sigurimit, ku diskutohet për Kosovën, institucionet vendëse duhet t’i nisin përgatitjet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG