Ndërlidhjet

logo-print

SHBA-TË, BE-JA: TË ZBATOHET PLANI AHTISAARI


KS-ja dështon të gjejë gjuhë të përbashkët për Kosovën

Këshilli i Sigurimit dështoi të gjejë një gjuhë të përbashkët për të ardhmen e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian theksuan se negociatat janë të padobishme pasi palët nuk kanë treguar asnjë shenjë për afrim të qëndrimeve.
"Ajo cfarë dëgjuam nga dy palët, kryeministri Koshtunica dhe presidenti Sejdiu, konfirmuan përfundimin e treshes dhe z Ahtisari se palët kanë qëndrime të papajtueshme lidhur me statusin përfundimtar" tha ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmai Khalilzad.
Të njëjtin pozicion formuloi dhe homologu i tij britanik John Sawers:
"2 vjet të përpjekjeve intensive, së pari nga z. Ahtisari dhe më pas nga treshja amerikane, evropiane, ruse dështuan të ngushtonin dallimet. Përkundrazi nuk ka asnjë afrim qëndrimesh. Edhe statusi neutral i propozuar nga treshja ndërmjetësuese u hodh poshtë me vendosmëri nga Beogradi", tha ambasadori britanik John Sawers.
Qëndrimi i vendeve perëndimore është kundërshtuar nga Rusia, e cila ka përsëritur qëndrimin për vazhdimin e bisedimeve dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar.
Amasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vitali Curkin e cilësoi si të paligjshëm misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit.
"Nëse BE-ja dëshiron ta vendosë misionin e vet në rajon, në Kosovë, duhet ta ketë miratimin e Këshillit të Sigurimit. Cdo lëvizje drejt shpalljes së njëanshme të pavarësisë, qartazi do të jetë jashtë kornizave të së drejtës ndërkombëtare dhe jashtë kornizave të rezolutës 1244", tha Curkin.
Ambasadorët e vendeve perëndimore këmbëngulën se rezoluta 1244 lejon përcaktimin e statusit.
Rezoluta 1244 ofron bazë të mjaftueshme ligjore për të ecur përpara drejt statusit përfundimtar", tha përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, cfarë gjeti mbështetjen e ambasadorit amerikan Khalilzad.
"Është pikëpamja jonë se 1244, rezoluta që ka lejuar praninë e Kombeve të Bashkuara atje lejon zbatimin e planit të Ahtisarit." tha Khalilzad.
I pyetur nga mediat nëse ndihet Rusia e izoluar në Këshillin e Sigurimit lidhur me Kosovën, Vitali Curkin u përgjigj:
"Absolutisht jo. Ka pasur disa delegacione që diskutuan shumë qartë në favor të vazhdimit të negociatave."
Kryeministri i Serbisë Koshtunica përsëriti si në takimin e Këshillit të Sigurimit ashtu dhe për mediat se respektimi i integritetit territorial dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara janë parimet bazë të politikës së Serbisë ndaj Kosovës.
Por ka qenë ambasadori britanik, i cili ka kundërshtuar qëndrimin se pavarësia e Kosovës bie ndesh me parimet ndërkombëtare.
"Keni parimin e integritetit territorial dhe atë të së drejtës për vetvendosje. Ka momente kur këto janë të lidhura. Parimi i integritetit territorial merr vlerë nga parimi i vetvendosjes", tha Sawers.
Më tej diplomati britanik i ka bërë thirrje të dyja palëve si Kosovës dhe Serbisë të respektojnë angazhimet se nuk do ketë dhunë në rajon.
"Sa i përket palës kosovare duhet të garantojë të drejtat e pakicave, të zbatohen dhe mbrohen ato, kurse pala serbe të garantojë se nuk do shkaktojë bllokime të shërbimeve kryesore dhe zyra që kanë hapur në Mitrovicë duhet të mbyllet", tha ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara. Ai ka shtuar se status quoja nuk mund të vazhdojë dhe kjo është kuptuar nga vendet evropiane.
"Ka rreziqe reale nëse lihet statusi i pazgjidhur. Kjo është arsyeja që Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e kanë bërë të qartë në takimet e fundit se BE-ja dhe NATO-ja janë të gatshme të luajnë rolin e tyre dhe të marrin përgjegjësitë për hapat e nevojshme për të mundësuar zgjidhjen e statusit", tha Sawers. Komentet në fjalë ishin të ngjashme me ato të ambasadorit amerikan:
"Shtetet e Bashkuara, evropianët dhe të tjerët janë të vendosur të ecin përpara me zbatimin e planit Ahtisaari në mënyrë që gjërat të mos dalin jashtë kontrollit në Kosovë dhe të mos kemi kërcënim për paqen dhe stabilitetin."
Kryeministri i Serbisë Koshtunica dhe ministri i jashtëm Jeremic theksuan se do marrin masa në rast të pavarësisë së Kosovës, por kanë refuzuar të flasin për masa konkrete.
Në fjalën para Këshillit të Sigurimit presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu theksoi se zbatimi i planit Ahtisaari do nxiste pajtimin dhe stabilitetin në rajon. Presidenti Sejdiu përsëriti qëndrimin se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur në fqinjësi me Serbinë si dy shtete anëtare në Bashkimin Evropian në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG