Ndërlidhjet

PRISHTINA VLERËSON SE KËSHILLI I SIGURIMIT I DHA FUND PROCESIT NEGOCIUES


Zijadin Gashi

Seanca e djeshme e Këshillit të Sigurimit për Kosovën është karakterizuar me kundërthëniet e thella ndërmjet perëndimit dhe Rusisë për të ardhmen e Kosovës, ndërkaq si konkludim ishte se koha e negociatave ka kaluar dhe tash po vjen koha e vendimeve, vlerësojnë përfaqësues politikë në Prishtinë. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, thotë se me ditën e djeshme mbyllet faza e negociatave dhe kalohet në fazën e koordinimit të veprimeve dhe vendimeve ndërmjet Kosovës, Uashingtonit e Brukselit, drejt shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Definitivisht, me Këshillin e Sigurimit, nga dita e djeshme, del se çështja e Kosovës dhe zgjidhja e saj përmes negociatave me Serbinë është diçka e paarritshme. Dhe, tani duhet të vazhdohet me projektin e Ahtisaarit dhe në fund të fundit, Kosova po i kthehet origjinës së vet si çështje evropiane, duke u bazuar edhe në deklaratën e misionit evropian, për të ardhur në Kosovë. Njëkohësisht, edhe në bazë të qëndrimit amerikan, tani Kosova praktikisht do të futet në një agjendë të koordinuar me miqtë tanë, në këtë rast me botën perëndimore, për të vazhduar më tutje drejt implementimit të pakos së Ahtisaarit dhe shpalljes së shtetit të pavarur”, tha Limaj. Ndërkohë, zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vehbi Miftari, e vlerëson si moment shumë të rëndësishëm edhe adresimin e parë zyrtar të presidentit Fatmir Sejdiu para Këshillit të Sigurimit. Kjo ka bërë që edhe zëri i Kosovës të dëgjohet në Nju Jork, tha Miftari. Ndërkaq, lidhur me punimet e djeshme, Miftari thotë se edhe ashtu nuk është pritur ndonjë vendim, duke pasur parasysh qëndrimet e Rusisë, por si lëvizje pozitive, ai sheh disponimin e pjesës tjetër të botës, duke përjashtuar Rusinë, që Kosova të ecë përpara me vendimet e veta. “Tashmë procesi për jetësimin e shtetësisë së Kosovës është i pakthyeshëm, se procesi i negociatave dhe konsultimet shtesë kanë rezultuar me mossukses dhe se çështja e adresimit të pavarësisë tashmë është çështje jetike, jo vetëm për popullin dhe institucionet e Kosovës, por edhe për Bashkimin Evropian, i cili për herë të parë ka krijuar një pozicion shumë më të fuqishëm në raport me çështjen e statusit dhe sidomos me Shtetet e Bashkuara, përgjithësisht me perëndimin, për sa i përket të ardhmes së Kosovës”, vlerësoi Miftari. Në anën tjetër, nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, ndonëse shpreh keqardhjen për qëndrimet ruse, thotë se lëvizjet pozitive duhet parë në deklaratat dhe zotimet e evropianëve, që krahas Uashingtonit, tash edhe BE-ja po tregohet unike sa i përket Kosovës. “Natyrisht vetëm vendosmëria e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta zëvendësuar misionin e UNMIK-ut me misionin e BE-së në Kosovë, është ajo garancia se procesi do të mbahet nën kontroll dhe do të kurorëzohet, ndoshta përmes një rruge më të gjatë, por do të kurorëzohet me pavarësinë e Kosovës”, theksoi Gashi. Mirëpo, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thonë se seanca e Këshillit të Sigurimit dëshmoi se negociata të vërteta ndërmjet Prishtinës e Beogradit as që kishte, pasi që, sipas tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane i kishin paraprakisht qëndrimet e tyre për të ardhmen e Kosovës. Dragan Veliq, kryetar i Këshillit Nacional Serb, thotë se përparimet në negociata i kanë penguar vetë amerikanët dhe evropianët, pasi që ata patën deklaruar se nëse nuk ka marrëveshje, procesi i kthehet planit të Ahtisaarit. “Shqiptarët nuk kishin kurrfarë motivi dhe as nevoje për bisedime, që nënkupton se në fund procesi do t’i kthente te Ahtisaari”, tha Veliq. Ai konsideron se shpallja e pavarësisë së Kosovës do të ishte me rreziqe të mëdha dhe ende beson se zgjidhja mund të gjendet mbi bazën e negociatave, duke respektuar të Drejtën Ndërkombëtare, si argument që në vazhdimësi përdoret nga Beogradi. Sidoqoftë, përfaqësuesit e partive shumicë konsiderojnë se me formimin e institucioneve të reja, Prishtinës i mbetet t’i koordinojë hapat në vijim, që kanë të bëjnë jo vetëm me nxjerrjen e aktit të shpalljes së pavarësisë, por edhe me zyrtarizmin e zbatimit të pakos së Ahtisaarit si zgjidhje, mbi bazat e së cilës do të vendosej edhe misioni i ri civil ndërkombëtar dhe do të vazhdohej prania ushtarake e NATO-s në Kosovë.
XS
SM
MD
LG