Ndërlidhjet

logo-print

SHQIPTARËT DHE SERBËT ME QËNDRIME TË NDRYSHME PËR MBLEDHJEN E KS-SË


Arton Konushevci

Është vërtetuar edhe një herë përkrahja për Kosovën nga shumica e shteteve të Bashkimit Evropian, thonë qytetarët shqiptarë. Ata e vlerësojnë pozitivisht takimin e fundit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku u bisedua për Kosovën. Ismajl Isufi thotë se pas asaj që u tha në Këshillin e Sigurimit, nuk mbetet asgjë tjetër veç shpallja e pavarësisë. “Unë mendoj se nuk duhet të ketë më negociata me Serbinë, sepse nuk pritet asgjë prej tyre. Mendoj se duhet të shpallet pavarësia e Kosovës”, thotë Isufi. Edhe Gani Muhadri mendon se tash duhet të shpallet pavarësia. “Mos të pyetet Rusia dhe të bëhet ajo që është nisur, pavarësia; pavarësia dhe asgjë tjetër”, shprehet Muhadri. Arsim Gela vlerëson se mbledhja e Këshillit të Sigurimit ka qenë pozitive dhe, sipas tij, tash duhet të merren hapa konkretë për të ardhmen e Kosovës. “Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit e vlerësoj shumë pozitivisht. Nuk ka nevojë më për negociata. Të gjitha mendimet për negociata janë shterur dhe nuk ka se çka të diskutohet në atë drejtim. Duhet të merren hapat konkretë për zgjidhjen e statusit, faktikisht, njohjen e pavarësisë”, thotë Gela. Njomza Gashi shpreson se Këshilli i Sigurimit do ta gjejë një rrugë më të shpejtë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Edhe një herë u pa vendosmëria e shteteve evropiane, lidhur me definimin përfundimtar të statusit të Kosovës dhe mendoj se Këshilli i Sigurimit do ta gjejë një rrugë për ta zgjidhur sa më shpejt çështjen e Kosovës“, thotë ajo. Nga ana tjetër, Jovan Pantoviq mendon se të gjitha shtetet në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit kanë qenë në anën e serbëve. “Mbledhja e Këshillit të Sigurimit nuk ka sjellë asgjë. Të gjitha palët janë në anën tonë dhe kanë qëndrime të njëjta, si Rusia, Kina dhe Indonezia. Në anën tjetër janë SHBA-të dhe disa shtete evropiane. Në bazë të kësaj, zgjidhja për statusin e Kosovës nuk është afër. Unë jam i sigurt se zgjidhja e statusit të Kosovës do të vazhdojë edhe në vitin 2008 dhe as atëherë nuk do të ketë zgjidhje”, shprehet Pantoviq. Ngjashëm mendon edhe Natasha Svetanoviq. Ajo thotë se bisedimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës do të vazhdojnë edhe në vitin 2008. “Më vjen mirë që Rusia edhe një herë është treguar në anën e palës serbe, përkatësisht do të thotë se fitojmë disa garanci, për të qëndruar edhe më tej në Kosovë. Personalisht mendoj se bisedimet do të vazhdojnë edhe në muajt e ardhshëm; nuk mund të pritet ndonjë vendim për statusin e ardhshëm të Kosovës. E di që SHBA-të dhe BE-ja janë kundër çfarëdo vazhdimi të bisedimeve, por mendoj se dokurdo ata do të pajtohen”, thotë Svetanoviq.


XS
SM
MD
LG