Ndërlidhjet

logo-print

PAQARTËSIA E STATUSIT TENSIONON SITUATËN E SIGURISË


Albana Isufi

Vazhdimi i paqartësisë së statusit politik të Kosovës do të reflektojë negativisht në situatën e sigurisë në Kosovë, e cila edhe ashtu konsiderohet të jetë e brishtë. Kështu vlerësojnë ekspertë të sigurisë, një ditë pasi që në Këshillin e Sigurimit nuk u arrit pajtueshmëri për statusin e Kosovës. Nuredin Ibishi, këshilltar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, konsideron se situata e sigurisë mund të tensionohet në këtë kohë, kur çështja e statusit hyn në një fazë edhe më të ndjeshme. “Kjo në një formë e tensionon situatën edhe më tej dhe i mbetet misionit të BE-së që t’i përvishet punës, që në bazë të Rezolutës 1244, që lejon në një formë zëvendësimin e misionit të UNMIK-ut, sa më shpejt t’i marrin kompetencat, në mënyrë që sektori i sigurisë të jetë i gatshëm për t’u ballafaquar me situatën e brishtë të sigurisë, që është aktualisht, por edhe me skenarët e ardhshëm që fliten nga Qeveria serbe”, tha Ibishi. Në anën tjetër, edhe autoritetet e sigurisë konsiderojnë se gjendja e paqartë e statusit dhe pritjet për marrjen e vendimeve të rëndësishme, do të jenë ndër sfidat kryesore të sigurisë. Veton Elshani, nga SHPK-ja, shpjegon më tej: ”Ne konsiderojmë se situata e sigurisë në tërë territorin e Kosovës është delikate, duke marrë parasysh se bisedimet kanë përfunduar dhe tani priten vendime të mëdha. Por, vetë bisedimet që përfunduan më 10 dhjetor dhe vendimet e mëdha që priten të merren në këtë fazë, janë sfide për ne”, u shpreh Elshani. Ndërkohë, ekspertë të sigurisë thonë se në tensionimin e situatës ndikojnë edhe më shumë deklaratat e disa zyrtarëve serbë, se do ta mbrojnë Kosovën madje edhe me armë. Nuredin Ibishi mendon se siguria mund të ruhet vetëm nëse shumica shqiptare nuk bie pre e provokimeve. “Sido që të jetë, edhe si qeveri, edhe si popull, duhet të përmbahemi nga veprimet e njëanshme, në kuptimin e ndonjë situate të vetëmbrojtjes, që të mos tensionojmë situatën, sepse me ndonjë hap të ndërmarrë nga ana e shumicës shqiptare në Kosovë, sektori i sigurisë do të qitej nga loja dhe nuk do të mund t’i kryente funksionet e veta për mbrojtjen e sigurisë, nga rreziqet e mbrojtjes nga jashtë, apo tensionet e brendshme. Duhet që popullsia shumicë shqiptare të përmbahet nga veprimet, pa marrë parasysh provokimet që vijnë prej Qeverisë serbe, me strukturat paralele, apo format tjera”, tha Ibishi. Ndryshe, SHPK-ja tashmë është duke zbatuar planin e quajtur ‘Statusi’, i cili është hartuar me qëllim që të parandalohet përshkallëzimi i situatës së sigurisë. “Qëllimi kryesor si i planit operativ ‘statusi’, si i ndonjë plani tjetër, i cili punohet në kuadër të SHPK-së, është që qytetarët e Kosovës të kenë një klimë sigurie. Domethënë, ata ta ndjejnë veten të sigurt në vendet ku jetojnë. Ky është qëllimi ynë kryesor”, theksoi Elshani. Përfaqësues të KFOR-it vlerësojnë se situata e sigurisë aktualisht është e qetë, por e brishtë. NATO-ja është zotuar se do të sjellë 1600 trupa shtesë, në rast se për këtë paraqitet nevoja. Aktualisht, në Kosovë gjenden rreth 16 mijë trupa të NATO-s.


XS
SM
MD
LG