Ndërlidhjet

VENDOSJA E MISIONIT TË BE-SË NË KOSOVË PRET DRITËN JESHILE NGA BAN KI MOON


Albana Isufi

Ekipi planifikues i Zyrës Civile Ndërkombëtare konsideron se kurdo që të kërkohet, misioni i ri i Bashkimit Evropian mund të vendoset në Kosovë, meqë përgatitjet për një gjë të tillë janë finalizuar. Këshilli Evropian i ka dhënë, javën e kaluar, dritën jeshile vendosjes së një misioni të BE-së prej 1800 oficerëve, gjykatësve e prokurorëve në Kosovë. Zëdhënësja e Ekipit Planifikues të Zyrës Civile Ndërkombëtare, Verena Ringler, mendon se tani është në duar të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së vendimi se kur ky mision do zbarkohet në Kosovë. “Ne këtu jemi të mandatuar nga 27 anëtarët e BE-së, që të ndërmarrim përgatitje pa prejudikuar statusin. Dhe, sa i përket mandatit të saktë të ardhshëm, mendoj se duhet të shohim dhe të presim nga Nju Jorku, veçanërisht nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon”, tha Ringler, e cila konsideron se përgatitjet për këtë mision janë bërë, meqë për një çështje të tillë është punuar që nga viti 2006. “Ne kemi bërë përgatitje të qëndrueshme dhe të kujdesshme, bashkë me klasën politike kosovare. Tash jemi të gatshëm që të vendosemi dhe ta marrim mandatin në Kosovë, kurdo që të na kërkohet. Mendojmë se Zyra Civile Ndërkombëtare, që në të njëjtën kohë do të jetë zyrë e përfaqësuesit të BE-së, do ta marrë mandatin e vet shumë shpejt pas vendimit për statusin, ashtu sikurse edhe misioni për siguri”, tha Ringler. Bashkimi Evropian ka qenë i vendosur në marrjen e vendimit për sjelljen e misionit të ri në Kosovë, edhe pse për një gjë të tillë nuk pati rezolutë të Kombeve të Bashkuara. Megjithatë, ende ka paqartësi se kur do të fillojë të vendoset ky mision në Kosovë. “Kur vështrojmë pas se çfarë është bërë në muajt dhe vitet e kaluara, mendoj se afatet kohore nuk është mirë që të planifikohen. Ne e shohim këtë më shumë si proces që do të ndodhë shumë shpejt”, theksoi Ringler, e cila shpjegon se misioni i ri i BE-së nuk do të jetë fare i ngjashëm me atë të UNMIK-ut. “Me siguri se do ta shohim misionin e UNMIK-un kah shuhet, por do ketë autoritet derisa këtë ta marrë Bashkimi Evropian. Por, ajo që duam të sigurojmë, është një kalim i butë dhe koherent, pa ndonjë thyerje në mes. Ne, me të vërtetë, duam të theksojmë dhe e kemi theksuar disa herë, se kjo nuk është kalim i kompetencave prej UNMIK-ut, por kalim i kompetencave te institucionet e Kosovës. Kosova do të marrë përgjegjësi drejt fundit të procesit të statusit, drejt implementimit të statusit, do të marrë përgjegjësi për udhëheqjen dhe përmirësimin e shtetit, në mënyrë që të bëhet anëtare e BE-së në të ardhmen”, tha Ringler, e cila vendimin e Këshillit Evropian për sjelljen e misionit të BE-së, para se për këtë të miratohej një rezolutë e Këshillit të Sigurimit, e sheh si një hap të madh përpara. “Ky ka qenë hapi më i rëndësishëm përpara. Ne kemi dashur shumë që të shohim rezolutë të Këshillit të Sigurimit dhe jemi zhgënjyer që nuk pati. E kemi përkrahur shumë procesin e Treshes dhe të dërguarin evropian, Wolfgang Ischinger, për të gjetur ndonjë rrugë. Dhe, kur pas të gjitha këtyre përpjekjeve nuk pati zgjidhje të negociuar, ishim shumë të kënaqur kur e pamë BE-në të unifikuar dhe është parë nga ky proces se gjetja e konsensusit mes 27 vendeve të BE-së, është e mundshme, pavarësisht mendimeve skeptike për këtë gjë. Kjo u pa se është e mundur, meqë vendimi i së premtes së kaluar ishte unanim dhe u nënshkrua nga të gjitha qeveritë”, tha Ringler. Zyra Civile Ndërkombëtare, që njëherësh paraqet edhe zyrën e përfaqësuesit të BE-së, ka për obligim që ta monitorojë implementimin e marrëveshjes për statusin. Në rast të shpalljes së pavarësisë, meqë marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit duket se nuk do të ketë, ekspertët parashohin që kjo zyrë ta monitorojë implementimin e pakos së Ahtisaarit.
XS
SM
MD
LG