Ndërlidhjet

A DO TË LARGOHEN PJESËTARËT SERBË TË SHPK-SË NËSE SHPALLET PAVARËSIA?


Arton Konushevci

Kohët e fundit, megjithëse jozyrtarisht, është përfolur mundësia që në rast të shpalljes së pavarësisë, pjesëtarët serbë të Shërbimit Policor të Kosovës do t’i braktisnin uniformat e tyre dhe t’i adoptonin ato të forcave serbe të sigurimit. Udhëheqësit e Këshillit Kombëtar në Mitrovicë kanë thënë se pas shpalljes së pavarësisë, serbët nuk kanë asnjë detyrim ligjor të mbeten pjesë e institucioneve të shtetit të ri. Në këtë kuadër, Milan Ivanoviq, njëri nga udhëheqësit e këtij këshilli, që njihet si pjesë e një vije më ekstreme të politikës serbe në Kosovë, ka thënë se në rast të shpalljes së pavarësisë, edhe Shërbimi Policor i Kosovës do të ndahej në dy forca policore, sipas tij, në policinë shqiptare dhe atë serbe. “Serbët nuk do të dëshironin të jenë në institucionet e sigurisë së një shteti të pavarur shqiptar. Kështu që Shërbimi Policor i Kosovës do të ishte ‘de fakto’ i ndarë në shërbimin policor të serbëve dhe në shërbimin policor të shqiptarëve. Shërbimi policor i serbëve, për serbët do të ishte e vetmja siguri në Shërbimin Policor të Kosovës”, tha Ivanoviq. Por, edhe në kuadër të Këshillit Kombëtar Serb, qëndrimet mbi këtë çështje nuk janë të njëjta. Udhëheqësi i këtij këshilli për Mitrovicën, Nebojsha Joviq, megjithatë thotë se vendimi më i mirë do të ishte që pjesëtarët e nacionalitetit serb mos ta lëshojnë SHPK-në. “Sa i përket pjesëtarëve serbë në Shërbimin Policor të Kosovës, do të ishte mirë që ata të qëndronin aty, përderisa nuk do të ishim të provokuar, që qëndrimi i tyre të jetë i pamundur, sepse them që pavarësia e Kosovës nuk na intereson; ne do të mund të mbanim kontakte edhe me UNMIK-un, edhe me KFOR-in. Do të duhej t’i përmbahemi Rezolutës 1244 derisa ajo të jetë në fuqi”, ka thënë Joviq. Sipas tij, Këshilli Kombëtar Serb në veriun e Mitrovicës ende nuk e ka marrë një vendim të prerë, se a duhet të qëndrojnë pjesëtarët serbë në SHPK apo jo, në rast të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës në Mitrovicë, Besim Hoti, i ka hedhur poshtë njoftimet se pjesëtarët e komunitetit serb të SHPK-së do të largohen nga detyra e tyre, nëse shpallet pavarësia. “Jo, ato zyrtare nuk janë. Këtu nuk ka uniforma të tjera. Momentalisht është në pyetje veç nëse ata duan ta lëshojnë punën; kjo është çështje e individëve. Nëse ata atë e bëjnë në mënyrë kolektive, ajo është diçka tjetër. Mirëpo, ju e dini shumë mirë se kush e ka mandatin këtu, për të lejuar llojin e uniformave të sigurisë. Përveç SHPK-së, UNMIK-ut dhe KFOR-it, asnjë institucion tjetër nuk e ka mandatin për t’u ofruar siguri qytetarëve këtu”, theksoi Hoti. Sipas tij, pjesëtarët serbë të SHPK-së në pjesën veriore të Mitrovicës kanë deklaruar të kundërtën, duke shprehur gatishmërinë e tyre të shërbejnë në funksion të rendit dhe ligjit, pavarësisht nga statusi politik që do të ketë Kosova. “Kemi garanci prej udhëheqësve të lartë të strukturave policore të SHPK-së, të komandantëve të stacioneve policore të veriut, të cilët kanë deklaruar të kundërtën, se ata janë të gatshëm ta vazhdojnë punën dhe t’i shërbejnë qytetarëve”, tha Hoti. Ndryshe, në pjesën veriore të Kosovës janë katër stacione të Shërbimit Policor të Kosovës dhe në përbërjen e kësaj force, rreth 300 pjesëtarë janë të komunitetit serb. Sidoqoftë, pohimet e këtilla, Këshilli Kombëtar Serb i bazon në atë që ky mekanizëm e quan shfuqizim të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe në një rast të këtillë, thonë udhëheqësit e Këshillit Kombëtar, mundësohet edhe kthimi i policisë dhe i ushtrisë serbe.
XS
SM
MD
LG