Ndërlidhjet

TRAJKOVIQ: KOSOVA NUK KA KAPACITETE PËR TË QENË SHTET SOVRAN


Rada TRAJKOVIQ, Këshilli Nacional Serb

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Trajkoviq, si e shihni procesin e statusit të Kosovës pas seancës së fundit në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork?

RADA TRAJKOVIQ
Në nju Jork nuk ka ndodhur asgjë e papritur. Pas përfundimit të mbledhjes, ne pamë një grup më të madh dhe më të organizuar të përfaqësuesve të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe në anën tjetër, përfaqësuesin rus, Curkin, të cilët u paraqitën me qëndrime krejt të kundërta, përafërsisht me qëndrime të kundërta për aq sa janë qëndrimet e kundërta mes udhëheqësisë së Serbisë në njërën anë dhe qëndrimet e shqiptarëve të Kosovës në anën tjetër. Kjo flet se Këshilli i Sigurimit, tash për tash, por kam frikë se as në të ardhmen e afërt, nuk do të ketë konsensus apo marrëveshje në lidhje me gjetjen e kompromisit për zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç Rusisë, pjesa tjetër nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk e ka përkrahur vazhdimin e negociatave. Sa nënkupton kjo se procesi tash po shkon kah marrja e vendimit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës?

RADA TRAJKOVIQ
Unë mendoj se nuk do të ndodhë, pasi që hapësira e Kosovës nuk ka as kapacitete institucionale e as demokratike. Kurse ne e dimë se projekti i pavarësisë së Kosovës është krejt i paqëndrueshëm dhe unë mendoj se do të shkohet në zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës, që në përgjithësi nuk ndryshon shumë nga ajo që Beogradi ka ofruar. Beogradi gjatë negociatave ka ofruar diçka që nënkupton qeverisje të plotë legjislative e ekzekutive, madje edhe me mundësinë e formimit të ministrisë për bashkëpunim tregtar me jashtë, me demilitarizimin, me të gjitha ato që në përgjithësi nënkuptohet se Beogradi ka ofruar të gjitha, përveç sovranitetit. Do të thotë se territori i Kosovës duhet të jetë krejtësisht i kënaqur me atë që ka në këtë moment, ka ofruar Beogradi. Në këtë kontekst, mendoj se bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme për diçka që do të ishte zgjidhje definitive e statusit të Kosovës. Unë tërë këtë projekt do ta quaja projekt të një pavarësie të plotë të territorit të Kosovës, me një perspektivë që liderët institucionalë shqiptarë të Kosovës të dëshmohen dhe me standarde të luftojnë për një sovranitet të plotë. Por, për këtë duhet të pritet shumë gjatë dhe nuk e them këtë pse jam e lumtur për këtë fakt, por thjesht mendoj se në territorin e Kosovës nuk ka kapacitete institucionale dhe për këtë bashkësia ndërkombëtare është e vetëdijshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, si do të reagonin serbët e Kosovës, në rast se Parlamenti do ta shpallë pavarësinë e Kosovës?

RADA TRAJKOVIQ
Normalisht që Parlamenti i Kosovës ku dominojnë shqiptarët apo është shqiptar, ka të drejtë që dëshirat e veta politike t’i deklarojë edhe në formën që do ta deklaronte pavarësinë. Por, bashkësia serbe do të funksionojë në kuptimin e respektimit të Rezolutës 1244 deri në momentin kur kjo rezolutë të mos ndryshohet në Këshillin e Sigurimit. Lidhur me këtë, ne do të përpiqemi që normalisht të funksionojmë në mënyrë identike në ato institucione që kanë funksionuar edhe deri më tash. Unë mendoj se është e drejtë elementare dhe demokratike që njeriu të jetojë aty ku do dhe për çka është përcaktuar, madje edhe atëherë kur nuk pajtohet me vendimet që merren brenda parlamentit.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI

XS
SM
MD
LG