Ndërlidhjet

JOHNSON: “ZGJIDHJA E STATUSIT DUHET TË IMPONOHET MBI SERBINË”


A.Ross JOHNSON, Instituti Hoover

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Johnson, tashmë është e qartë se çështja e statusit të Kosovës nuk do të zgjidhet në kuadër të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në ç’drejtim mendoni se po ecën ky proces?

A.ROSS JOHSON
Po, tashmë është e qartë se çështja e Kosovës nuk do të zgjidhet në kornizën e Këshillit të Sigurimit dhe në fakt kjo ka qenë e qartë që prej verës së shkuar për shkak të qëndrimit që ka pasur Federata Ruse. Të rikujtojmë se për shkak të qëndrimit të Federatës Ruse ka ndodhur edhe intervenimi i NATO-s në Kosovë, para se të miratohej rezoluta në Këshillin e Sigurimit. Dhe tani, nuk do të ketë rezolutë të re e cila do ta zëvendësojë rezolutën aktuale 1244 të Këshillit të Sigurimit, por procesi do të ecën përpara jashtë kornizave të Këshillit të Sigurimit dhe kjo është bërë shumë e qartë pas takimit të fundit të këtij Këshilli nga ambasadori amerikan dhe ai britanik. Mendoj se mund të presim që në fillim të vitit 2008 të shpallet ajo që quhet deklaratë e koordinuar e pavarësisë; kjo do të thotë që autoritetet në Prishtinë e shpallin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe pastaj anëtarët e Grupit të Kontaktit, përveç Rusisë, pra Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia e pranojnë dhe e njohin atë sovranitet. Të njejtën gjë pas tyre do ta bëjë edhe Bashkimi Evropian, mendoj se pjesa më e madhe e vendeve anëtare do ta bëjnë në një afat të shkurtër kohor. Dhe, siç është planifikuar tash e sa kohë, misioni i Bashkimit Evropian, do të marrë përsipër shumë funksione, nëse jo të gjitha, të cilat janë zbatuar nga UNMIK-u. Është me rëndësi të thuhet se nuk është në mandatin e misionit të Bashkimit Evropian të zëvendësojë UNMIK-un, do të jetë detyrë dhe përgjegjësi e qeverisë në Prishtinë të qeverisë me Kosovën. Misioni evropian ndërkaq do të ketë për qëllim të vëzhgojë dhe të mbikqyrë, por jo të qeverisë apo të bëjë punët e përditshme të cilat në 9 vitet e fundit i ka kryer UNMIK-u.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju sapo thatë se nuk do të ketë rezolutë të re. Në këtë kuadër, debatet së fundi janë përqëndruar në interpretimet që i bëhen rezolutës aktuale, 1244. Disa thonë se kjo rezolutë, nuk e parandalon shpalljen e pavarësisë së Kosovës, por të tjerët pohojnë se rezoluta specifikon se zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për të dyja palët. Çfarë mendoni ju?

A.ROSS JOHNSON
Nuk ka asnjë gjasë që të dyja palët, pra që Prishtina dhe Beogradi të pajtohen. Njerëzit kanë bërë përpjekje për një kohë të gjatë që një gjë e këtillë të arrihet dhe në këtë kuadër përpjekja e fundit ka qenë periudha 120 ditëshe e bisedimeve, të cilin e ka udhëhequr Treshja ndërkombëtare. Edhe Treshja i ka raportuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara se bisedimet e drejtëpërdrejta nuk kanë të ardhme dhe se nuk ka gjasë të arrihet marrëveshje midis palëve. Nga perspektiva e komunitetit ndërkombëtar, kjo do të thotë se zgjidhja duhet të imponohet mbi Serbinë. Avokatët ndërkombëtarë mbase do të flasin pafundësisht për interpretimet mbi rezolutën 1244. Sido që të jetë, NATO-ja tashmë është e vendosur dhe ka autoritetin që të jetë e angazhuar nëpërmjet KFOR-it në Kosovë dhe Bashkimi Evropian do të vendosë misionin e vet. Prandaj, në botën reale, nuk mendoj se këto diskutimet ligjore mbi 1244-shin do të kenë ndonjë ndikim në atë që do të ndodhë në gjashtë muajt e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Johnson, shumë analistë kanë tërhequr vërrejtjen se Kosova ka hyrë në rrugën e rrezikshme të jostabilitetit, me përfundimin e negociatave pa ndonjë rezultat. Të tjerët hedhin poshtë mundësinë e një lufte të re. Cila është pikëpamja juaj?

A.ROSS JOHNSON
As unë nuk pres ndonjë luftë të re. Në fakt, është statusi i pazgjidhur dhe e ardhmja jo e sigurt faktorët që rrisin mundësitë e jostabilitetit. Zgjidhja e statusit mendoj se do t’i zvogëlojë këto mundësi të çfarëdo jostabiliteti. Ajo që do të jetë shumë e rëndësishme në gjashtë muajt e ardhshëm është që qeveria në Prishtinë të bëjë gjithë ç’është e mundur për të shmangur madje edhe ndonjë akt minor dhune. Unë i kam marrë seriozisht zotimet që janë dhënë nga Serbia për të mos shfrytëzuar dhunën në çfarëdo rrethanash, pavarësisht nga pakënaqësitë që mund t’i ketë. Sërish, mendoj se çelësi do të jetë në Kosovë, në duart e qeverisë së re të bëjë çdo gjë për të shmangur dhunën dhe të veprojë në mënyrë energjetike edhe në zbatimin e të gjitha provizioneve që janë paraparë me planin e Martti Ahtisaarit, duke ofruar siguri dhe respektimin e të drejtave për pakicat, ne veçanti për pakicën serbe, përfshirë këtu edhe mundësitë për këtë pakicë që të ketë lidhje të posaçme me Beogradin. Sa më shumë që qeveria në Prishtinë arrin ta bëjë një gjë të këtillë, aq më shumë do t’i zvogëlojë mundësitë e jostabilitetit dhe do të sforcojë pozicionin e vet teksa merret me komunitetin ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Kohët e fundit është thënë mjaft shpesh se çështja e Kosovës mund të jetë një nga mospajtimet që mund të shtojë tensionet edhe më shumë midis Perëndimit dhe Rusisë në një stil që i ngjan Luftës së Ftohtë. Ju çfarë mendoni?

A.ROSS JOHNSON
Federata e Rusisë nën udhëheqjen e zotit Putin e ka shfrytëzuar çështjen e Kosovës si një instrument taktik për të ndihmuar rikthimin e fuqisë së saj në botë. Tani është e kuptueshme që Federata Ruse sërish është duke luajtur rolin e saj në skenën ndërkombëtare. Ajo ka qenë në një mënyrë artificiale jashtë kornizave të politikës ndërkombëtare, por tani është rikthyer. Megjithatë, Rusia nuk ka interes në Kosovë. Për mendimin tim, Kosova pra shfrytëzohet si instrument ta pozicionojë vetveten viza-vijë me Shtetet e Bashkuara. Në një kuptim të caktuar, kjo mbase ka sforcuar edhe më shumë vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të mos i ofruar Rusisë mundësinë e shfrytëzimit të vetos dhe për ta zgjidhur çështjen e Kosovës tani. Pasi t’i kemi kaluar gjashtë muajt, nuk pres që kjo çështje të jetë problematike në raportet midis amerikanëve dhe rusëve. Do të ketë çështje të tjera të mëdha problematike, por nuk mendoj se Kosova do të jetë një prej tyre.

INTERVISTOI ARBANA VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG