Ndërlidhjet

A JANË REALE NORMAT E INTERESIT PËR KREDI NË SISTEMIN BANKAR?


Nadie Ahmeti

Zyrtarë të Autoritetit Qendror të Bankave dhe Pagesave dhe ekspertë për çështje ekonomike japin mendime të ndryshme rreth normave të interesit për kredi nga sistemi bankar. Normat e kamatës për kredi në Kosovë sillen prej 11 deri në 14 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë. Por, megjithatë, të gjithë pajtohen se pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, këto norma mund të ulen. Xhemshit Duriqi, ekspert për çështje ekonomike, thotë se normat e interesit në Kosovë janë më të lartat në rajon dhe njëherësh janë të papërballueshme për biznesin kosovar. Arsye e gjithë kësaj, sipas Duriqit, është se mjetet materiale të disa institucioneve kosovare mbahen në bankat jashtë Kosovës. ”Jo që mendoj se janë të larta, por janë të papërballueshme për biznesin, posaçërisht për prodhimin. Normat e interesit, të instaluara në sistemin bankar kosovar, janë aq të larta, sa sikur të ishin norma të fitimit, janë marramendëse”, pohon Duriqi. Ndërkaq, Ajri Begu, ish-drejtor i Autoritetit Qendror të Bankave dhe Pagesave të Kosovës, thotë se normat e interesit janë reale, pasi, sipas tij, në këtë fushë mund të ndikojnë vetëm oferta dhe kërkesa. “Ende nuk kemi një ofertë dhe kërkesë siç duhet ta ketë një treg i pasur financiar, ku nuk mbështetet vetëm në kreditë e bankave, por edhe në format alternative të kreditimit dhe financimit”, thotë Begu. Normat e interesit për kredi i përcaktojnë vetë bankat me politikat e tyre ekonomike, thonë udhëheqës të Autoritetit Qendror të Bankave dhe Pagesave në Kosovë. Ky autoritet, edhe pse është institucioni i vetëm që kontrollon dhe mbikëqyr sistemin bankar në Kosovë, nuk ka asnjë kompetencë që të ndërhyjë në politikat afariste të bankave, thotë Hashim Rexhepi, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në këtë autoritet, duke shtuar se kamatat e kredive në bankat kosovare nuk kanë ndonjë dallim të madh me bankat në rajon. “Normat e interesit janë ato që aktualisht bankat komerciale i kanë vënë në funksion dhe janë përafërsisht të njëjta me normat e interesit në rajon. Normal, bizneset dhe qytetarët kanë ankesa se normat e interesit janë të larta, ndërkaq, sipas mendimit tim, një çik janë të larta”, thotë Rexhepi. Por, Xhemshit Duriqi pohon se kamatat e kredive duhet të jenë prej 6 deri në 9 për qind, varësisht prej llojit të kredisë. “Çdo kredi që është më tepër se 8 për qind, është e papërballueshme. Për ndërtim banesor, duhet të jenë më të ulëta; për destinime tjera, tregti, turizëm, mund të durohen deri në 9 për qind. Kamatat duhet të jenë prej 6 deri në 9 për qind, kjo është normë që respektohet në tërë botën”, thekson Duriqi. Ndryshe, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pas zgjidhjes së statusit, thonë ekspertë dhe zyrtarë të AQBP-së. Ajri Begu pohon se pas kësaj periudhe do të krijohen rrethana të reja, do të krijohen mundësi për marrjen e investimeve të huaja, të cilat, sipas tij, do të ndikojnë në uljen e kamatave për kredi. “Vetë momenti i pavarësimit të Kosovës, Kosovën do ta bëjë partner të besueshëm; pra, do ta bëjë edhe ekonominë e Kosovës më atraktive dhe më të besueshme. Kjo do të reflektojë edhe në normat e interesit. Mirëpo, nuk duhet pasur iluzione, stabiliteti politik, sistemi politik dhe besueshmëria në këtë sistem, reflektohen edhe në sistemin financiar”, thotë Begu. Në zvogëlimin e normave të interesit do të ndikojë edhe ardhja e bankave tjera në Kosovë, thotë Hashim Rexhepi. “Ju e dini se në këtë vit janë licencuar edhe tri banka të reja, banka shumë të fuqishme dhe që realisht do ta rrisin konkurrencën në sistemin bankar. Pres që do të kenë ndikim edhe në rënien e normave të interesit, të cilat aktualisht janë të larta në Kosovë”, shprehet Rexhepi. Sidoqoftë, në Kosovë veprojnë gjashtë banka komerciale. Krahasuar me vitin 2004, normat e kamatës për kredi për biznese kanë rënë nga 15.1 për qind në 13.8 për qind.

XS
SM
MD
LG