Ndërlidhjet

HAMITI:”DUHET TË KETË KONTRATË NACIONALE PËR KOSOVËN E PAVARUR”


Sabri HAMITI, Lidhja Demokratike e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hamiti, Lidhja Demokratike e Kosovës duket se ka arritur një pajtueshmëri në parim me Partinë Demokratike të Kosovës, për ta formuar koalicionin qeverisës. Çfarë konkretisht ju është ofruar?

SABRI HAMITI
Konstatimi juaj është konstatim që nuk e di sa mund të përkrahet në këtë formë si e bëni ju pyetjen. Unë vetëm dua të them se programi fundamental i Lidhjes Demokratike të Kosovës është Kosova e pavarur e demokratike dhe sipas këtij programi, do të thotë që të ndërtohen institucionet e Kosovës dhe të bëhet Kosova e pavarur. Kjo parti ka qenë gjithnjë parti institucionale dhe është në gjendje të ndihmojë në krijimin e institucioneve edhe tani. Kjo puna e krijimit të institucioneve mund të bëhet edhe si pozitë, edhe si opozitë. Unë mendoj se LDK-ja, si parti institucionale që ka program Kosovën e pavarur e demokratike, duhet të bëhet me të gjithë ata që duan të bëjnë një kontratë nacionale për zhvillimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Puna pozitë-opozitë është problem i sistemit të funksionimit të institucioneve në Kosovën sot dhe nesër. Pra, unë insistoj në këtë kontratë nacionale për Kosovën e pavarur dhe demokratike. Sa i përket koalicionit që ka të bëjë me qeverisjen konkretisht, LDK-ja në parim është duke bërë biseda me PDK-në. Ato biseda vazhdojnë. Një koalicion i përfunduar, me dijen time, nuk ekziston deri në këtë moment. Ekziston një hapje parimore që të bisedohet edhe për koalicione. Domethënë, problemi nuk është një çështje e mbaruar deri më tash.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka është ofruar dhe kur mendoni se do të zyrtarizohet një koalicion?

SABRI HAMITI
Konkretisht se çfarë është ofruar, unë nuk mund të pohoj, as të mohoj, për shkak se nuk jam në ekipin e bisedimeve. LDK-ja ka të autorizuar një ekip që ka ndërtuar kryetari i partisë dhe i Kosovës, Fatmir Sejdiu. Unë mendoj se ata, kur t’i ofrojnë pikëpamjet, nëse i ofrojnë, me PDK-në, do të referojnë te organi më i lartë, Kryesia e LDK-së, për ta marrë vendimin përfundimtar. Prandaj, konkretisht, nuk mund të them kurrfarë shifrash, kurrfarë proporcionesh, sepse ajo do të varet natyrisht se çfarë koalicioni do të jetë ai.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se nuk jeni në ekipin për koalicione, por, megjithatë, kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, takohet me ju. A ju ka kumtuar atë që është diskutuar, që është ofruar nga PDK-ja për formimin e koalicionit?

SABRI HAMITI
Absolutisht, ajo është detyrë, është domosdo, është funksionimi institucional i partisë. Këto janë vendime të mëdha, që duhet të merren në konsultim me përgjegjësit dhe bashkëpunëtorët. Fundi i fundit, keni kujdes, ne jemi në një situatë delikate në Kosovë. Presim që të rishpallet pavarësia e Kosovës dhe të kërkohet e të sigurohet njohja. Jemi në një situatë delikate edhe karshi zgjedhësve dhe simpatizantëve tanë. Duhet të peshohet, të matet interesi i një partie dhe interesi i një kombi, i një vendi. LDK-ja duhet ta gjejë baraspeshën e kësaj dhe i përket kreut të partisë që t’i japë arsyetimet dhe shpjegimet për këto interesa, për baraspeshën e këtyre interesave, edhe para anëtarësisë, edhe para zgjedhësve, edhe para qytetarëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri më tash, çfarë ju ka thënë presidenti se është ofruar nga PDK-ja?

SABRI HAMITI
Nuk flitet për oferta konkrete. Flitet për parimet e ndërtimit të institucioneve të Kosovës. Flitet për një kontratë që Kosova të bëhet shtet. Flitet për institucionet që mund të bëhen funksionale dhe mund të marrin përgjegjësi. Nëse mund të arrihet një koalicion, nëse mund të arrihet një ekip i Kosovës që merr përsipër një stabilitet politik, një pavarësi dhe një zhvillim, normalisht se nuk ka pse të mos përkrahet. Mirëpo, gjithmonë duhet të bëhet kontrata paraprake e punës, nëse duam përgjegjësi, nëse duam profesionalizëm, nëse duam zhvillim.

RADIO EVROPA E LIRË
Njëra prej çështjeve që janë diskutuar në këtë drejtim, është ajo e postit të presidentit të Kosovës. A është arritur marrëveshje në këtë çështje?

SABRI HAMITI
Me sa e di unë, presidenti i Kosovës është në detyrë dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë marrëveshje.

RADIO EVROPA E LIRË
Takimi i fundit në Këshillin e Sigurimit i dha fund procesit negociator për zgjidhjen e statusit dhe tani pritet shpallja e asaj që njihet si deklaratë e koordinuar e pavarësisë. Në çfarë rrethanash mendoni se duhet të bëhet një shpallje e këtillë?

SABRI HAMITI
Për mua shpallja e pavarësisë është rishpallje e pavarësisë. Ne nuk mund ta harrojmë historinë. Pavarësia është deklaruar, pavarësia është votuar me referendum në Kosovë, para shumë vitesh. Ajo mund të rishpallet; rishpallja tani ka kuptimin e marrjes së përgjegjësisë definitive për ta ndërtuar Kosovën e pavarur, këtë herë duke siguruar edhe atë që quhet njohje ndërkombëtare. Kjo që thoni, procedurat që kanë ndodhur, janë procedura që janë vonuar. Ne do të detyrohemi ta bëjmë këtë rishpallje. Për rrethanat është problem të flitet. Nëse formula shpallje e koordinuar dikujt i tingëllon mirë në vesh, si muzikë e bukur, për mua është pak problematike, sepse nëse koordinimi është bashkëveprim, mundet bashkëvepruesi që gjithmonë të gjejë momente e të thotë që nuk është momenti i përshtatshëm. Kur fola më parë për koalicione, për atë që unë e quajta kontratë nacionale, unë kisha parasysh këto probleme. Kosova, udhëheqësit që krijon Kosova sot, nesër, duhet të jenë të përgatitur, të zotët dhe përgjegjës që t’i marrin këto vendime.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë drejtim, Beogradi zyrtar ka paralajmëruar disa masa si kundërpërgjigje, në rast të shpalljes së pavarësisë. Disa madje kanë përmendur edhe luftën. Si e shihni ju këtë çështje?

SABRI HAMITI
Luftë nuk do të ketë. Nuk besoj që ka luftë, që Serbia ta provojë edhe një luftë me NATO-n. NATO-ja është e pranishme me trupat e saj në Kosovë. Nuk e besoj luftën. Ndërsa, nuk dyshoj hiç që Serbia do t’i përdorë të gjitha masat e mundshme që i ka në dispozicion, që ta destabilizojë ose mos ta lë Kosovën të zhvillohet. Mirëpo, jam i bindur se ne që themi se na duhet pavarësia dhe ne që themi se e meritojmë pavarësinë, ne duhet ta kemi organizimin e brendshëm për t’i bërë ballë një bllokade, ta quajmë ekonomike, të Serbisë.

INTERVISTOI: ARTON KONUSHEVCI
XS
SM
MD
LG